INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË TAKIM ME ANËTARËT E KESHILLIT TË LARTË GJYQËSOR

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një takim pune me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, me fokus koordinimin e veprimtarisë së Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësor në funksion të ushtrimit të kompetencave të parashikuara për dy institucionet.

Përcaktimi i modaliteteve e praktikave administrative mbi përcjelljen e ankesave të depozituara në KLGJ deri në ngritjen e ILD-së, shkëmbimi i informacionit me qëllim zbatimin e praktikave më të mira, bashkëpunimi në lidhje me hartimin e akteve nënligjore, si dhe aplikimi i një qasjeje uniforme në interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të reja ligjore, në kuadër të procedimit disiplinor, ishin tema të bashkëbisedimit ndërinstitucional.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor u dakordësuan që bashkëpunimi mes dy institucioneve, të materializohet përmes nënshkrimit të një memorandumi që të reflektojë këto parime pune.

Takimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor është pjesë e një serie takimesh që z. Metani ka iniciuar me institucione, që kanë objekt të punës magjistratët në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të procesit të nisur për hartimin e planit strategjik dhe planit të veprimit të ILD-së për vitin 2021-2022.