TAIEX DHE ILD TRAJNIM MBI ÇËSHTJET DISIPLINORE TË MAGJISTRATËVE

Një trajnim online u zhvillua me stafin e ILD-së, Inspektorë, ndihmës inspektorë, këshilltarë ligjorë e drejtorë juridikë nga misioni i ekspertëve të Bashkimit Evropian TAIEX në bashkëpunim më zyrën e Inspektorit të Lartë Drejtësisë me fokus çështjet disiplinore të magjistratëve.

Në fjalën përshëndetëse, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani falenderoi misionin TAIEX, që në vazhdimësi ka ofruar ekspertizë për institucionet shqiptare dhe ekipin e trajnuesve të Spanjës, një vend që është përdorur jo pak herë si referencë për çështje të drejtësisë nga Shqipëria.

Qëllimi i trajnimit ishte marrja e dijeve të thelluara mbi zbatimin e legjislacionit në shtete të caktuara të Bashkimit Evropian, e posaçërisht në një vend si Spanja, mbi organizimin dhe funksionimin e institucioneve të autorizuara për të kryer hetimet dhe procedimet disiplinore ndaj magjistratëve, çështjet disiplinore të magjistratëve (gjyqtarëve dhe prokurorëve), metodologjitë dhe standardet ndërkombëtare për hetimin dhe procedimin disiplinor nga institucionet e këtij shteti, përputhshmëria me kuadrin ligjor të BE-së dhe jurisprudenca mbi shkeljet disiplinore të magjistratëve.

Trajnues ishin anëtarë të spikatur të Këshillit të Përgjithshëm të shërbimit të Inspektimit të Gjyqësorit dhe zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Spanjës.

Trajnerët paraqitën sesione teknike mbi masat disiplinorë të magjistratëve përfshi metodologjinë dhe standardet e zbatueshme në çështjet disiplinore, legjislacioni dhe regjimi disiplinor i magjistratëve, organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Përgjithshëm të Gjyqësorit në çështjet disiplinore, praktika e mirë e jurisprudencës dhe standardeve ndërkombëtare, mbështetja për menaxhimin e veprimtarisë në gjykata, rregulla për mënyrën e zhvillimit të inspektimeve, si dhe veprime në lidhje me menaxhimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit publik e ndaj qytetarëve të Administratës së Drejtësisë.