PROBLEMATIKAT E TRE DEKADAVE TRANZICION REFLEKTOHEN ENDE TEK DREJTËSIA DHE QYTETARËT DUAN TË SHOHIN NDRYSHIM

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani paraqiti para Kuvendit në seancë plenare aktivitetin e ILD, për vitin 2021.

Gjatë vitit të raportimit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka pasur si prioritet uljen e backlogut të trashëguar nga institucionet e tjera (2104 ankesa të patrajtuara ose të trajtuara pjesërisht) dhe plotësimin e kapaciteteve të inspektimit.

Për shmangien kulturës së pandëshkueshmërisë dhe harresës, vuri në dukje Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ato praktika dokumentare trajtohen sipas një radhe përparësie të bazuar në kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës për të shmangur efektin e parashkrimit. Paralelisht u kushtohet vëmendje edhe denoncimeve që kanë ardhur në ILD prej 1 shkurtit 2020, kur është ngritur institucioni.

“Natyrisht në përmbushjen e këtij objektivi kemi një faktor ngadalësues, që janë mungesat në kapacitetet e inspektimit”, tha Z. Metani, duke sjellë në vëmendje se gjatë vitit 2020, ILD ka punuar me vetëm 1 inspektor të trashëguar nga ish-KLD, ndërsa prej shkurtit 2021 punon me 8 inspektorë, teksa organika parashikon 26 të tillë. “Mungesa e inspektorëve mbetet një sfidë, që ILD e ka përsëritur si shqetësim edhe gjatë këtij viti, sidomos nevojën për inspektorë magjistratë gjyqtarë”.

“Sot që flasim janë mbi 4700 ankesa të konfirmuara në ILD, nga 3054 që kishim deri në fund të vitit 2020. Kjo flet shumë për besimin dhe pritshmërinë e lartë që kanë qytetarët tek institucioni. Me kapacitetet ekzistuese të ILD, gjatë vitit 2021 janë marrë 22 vendime për fillimin e hetimit disiplinor për 31 subjekte të hetimit disiplinor” tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Në raportin e paraqitur në Kuvend thuhet se shkeljet disiplinore për të cilat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor, renditen në shkelje disiplinore gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit si dhe shkelje disiplinore për shkak të kryerjes së veprës penale me vendim të formës së prerë, që sipas natyrës së tyre, diskreditojnë pozitën dhe figurën e magjistratit ose dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, bazuar në faktet dhe rrethanat e pranuara nga gjykata. Masat disiplinore të propozuara kanë qenë nga vërejtje deri në shkarkim nga detyra. Nga përfundimi i hetimit disiplinor gjatë vitit 2021, për 21 magjistratë, ILD ka propozuar fillimin e procedimit disiplinor për 17 magjistratë ( 11 gjyqtarë dhe 6 prokurorë), ose për 81% të rasteve të hetuara, ndërsa për 4 magjistratë ka vendosur mbylljen e hetimit disiplinor.

“Dua të nënvizoj se nga 17 procedimet, 7 prej tyre kanë ardhur si rezultat i shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga qytetarët, të cilat zënë një volum prej 41% të rasteve të procedimit disiplinor.” tha Z. Metani, duke nënvizuar se trajtimi i sa më shumë ankesave vijon të jetë prioritet i institucionit për vitin 2022, “sepse për fat të keq, problematikat e 3 dekadave tranzicion reflektohen ende tek drejtësia dhe qytetarët duan të shohin ndryshim në gjetjen e të drejtës së tyre përballë problematikave që hasin në sistem, në prokurori apo gjykata. Kam gjithë ndjeshmërinë edhe personale për këtë.”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duke e mbyllur fjalën e tij me kujtesën për draft amendamentet e depozituara në Kuvend nga ILD për adresimin e kësaj situate, përmes rishikimit të kritereve që duhet të përmbushin magjistratët për t’u komanduar në detyrën e inspektorit, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ose për çdo zgjidhje tjetër të ofruar nga Kuvendi.