Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në takimin e organizuar nga Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) me temë “Çfarë pritet nga Shqipëria gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian?”, ku merrte pjesë Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Komisionin Europian z. Olivér Várhelyi dhe drejtues të institucioneve të pavarura e përfaqësues të shoqërisë civile në vend.
Duke e marrë fjalën në takim, z. Metani u ndal në përpjekjet për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të një mjedisi demokratik të shëndetshëm në vend.
“Lufta për pavarësinë e pushtetit gjyqësor nuk është një destinacion final, është një përpjekje e përditshme e të gjithëve ne, pra jo vetëm e strukturës që punon dhe lufton për ta ngritur e për ta bërë funksional sistemin e kontrollit kushtetues dhe demokratik të punës së gjyqtarëve e prokurorëve, por kërkohet më shumë se kaq, kërkohet edhe një mjedis demokratik, që sistemi gjyqësor dhe institucionet e drejtësisë të funksionojnë. Nuk mund të ketë padyshim demokraci pa pavarësi të pushtetit gjyqësor, por s’mund të ketë as pavarësi të sistemit gjyqësor pa demokraci dhe kultivimi i një mjedisi demokratik në një shoqëri si kjo, dhe të polarizuar nëse mund ta them, zgjidhja e vetme afatgjatë mendoj unë është diskutimi dhe kërkimi i zgjidhjeve për çështjet që ngrihen në një moment të caktuar është diskutim jo emocional dhe jo duke u bazuar në debatin e momentit, por duke i parë zgjidhjet afatgjata, duke i parë zgjidhjet në përputhje me kushtetutën dhe pikërisht mbi ato vlera për të cilat ju diskutoni me Shqipërinë”, tha z. Metani.
Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë:
Faleminderit z. Balla!
Përshëndetje z. Várhelyi! Mirë se erdhët në Shqipëri.
E konsideroj kënaqësi të jem pjesë e kësaj tavoline, edhe pse mund të kem ndonjë dyshim nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë apo edhe institucionet e drejtësisë mund të jenë pjesë e proceseve apo tryezave si këto, por gjithsesi e konsideroj kënaqësi edhe personale, sepse të jesh pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e vendit është edhe kënaqësi profesionale, sepse je në një ambient ku shkëmben diskutime edhe mbi vlerat për të cilat ne po luftojmë. Shkëmbejmë mendime me kolegë apo struktura të Bashkimit Evropian, nga të cilat ne padyshim presim edhe të shkëmbejmë mendime mbi vlerat mbi të cilat po ndërtohet kjo reformë apo edhe ecuria e Shqipërisë në këtë proces.
Së dyti, padyshim nuk është vendi për të folur për atë që është bërë mirë apo mund të ishte bërë më mirë nga strukturat tona, apo nga imja personalisht, por them që lufta kundër korrupsionit në gjyqësor, lufta për pavarësinë e pushtetit gjyqësor nuk është një destinacion final, është një përpjekje e përditshme e të gjithëve ne, pra jo vetëm e strukturës që punon dhe lufton për ta ngritur e për ta bërë funksional sistemin e kontrollit kushtetues dhe demokratik të punës së gjyqtarëve e prokurorëve, por kërkohet më shumë se kaq, kërkohet edhe një mjedis demokratik, që sistemi gjyqësor dhe institucionet e drejtësisë të funksionojnë. Nuk mund të ketë padyshim demokraci pa pavarësi të pushtetit gjyqësor, por s’mund të ketë as pavarësi të sistemit gjyqësor pa demokraci dhe kultivimi i një mjedisi demokratik në një shoqëri si kjo, dhe të polarizuar nëse mund ta them, zgjidhja e vetme afatgjatë mendoj unë është diskutimi dhe kërkimi i zgjidhjeve për çështjet që ngrihen në një moment të caktuar është diskutim jo emocional dhe jo duke u bazuar në debatin e momentit, por duke i parë zgjidhjet afatgjata, duke i parë zgjidhjet në përputhje me kushtetutën dhe pikërisht mbi ato vlera për të cilat ju diskutoni me Shqipërinë dhe strukturat e BE-së po negocioni me shtetin shqiptar. Kjo është ajo që unë e konsideroj të rëndësishme për ta bërë reformën funksionale, përtej detyrimeve që ne kemi dhe duhet të marrim angazhim për të bërë edhe më shumë në këtë drejtim, por gjithsesi mendoj që përpjekjet e një institucioni apo qoftë edhe pesë institucioneve do ishin gjysmake, nëse nuk kuptohet rëndësia e kësaj reforme nga të gjithë, edhe nga pjesëmarrësit në tavolinë, por edhe nga të tjerë përtej saj.
Ju faleminderit!