FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË NË ASAMBLENË E PËRGJITHSHME TË RRJETIT EVROPIAN TË SHËRBIMEVE TË INSPEKTIMIT (RESIJ)

Përshëndetje të gjithëve!

Faleminderit për prezencën tuaj sot në Tiranë!

Sot nuk mund t`a fsheh ndjesinë që kam dhe lumturinë që ndjej për zhvillimin e këtij aktiviteti. Sot pas gati një viti e gjysëm më vonë, jemi përsëri bashkë. Ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar, që mbledhja e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ, po zhvillohet në Shqipëri.

Gjatë kësaj periudhe kohore kemi pasur një bashkëpunim intensiv. Kemi zhvilluar shumë aktivitete në kuadër të RESIJ, por ky takim sot për mua ka një domethënie tjetër. Ndoshta për vetë faktin se institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, tashmë gëzon statusin e anëtarit të RESIJ. Faleminderit të gjithëve ju! Është nder për institucionin të cilin drejtoj, që sot të jetë pjesë e këtij organizmi me cilësinë e anëtarit të tij.

Vendimmarrjen tuaj për të anëtarësuar institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë në RESIJ, e shikoj para së gjithash si një vlerësim për angazhimin e deritanishëm të institucionit të ILD të Republikës së Shqipërisë në këtë Rrjet. Nga ana tjetër, anëtarësimin e ILD-së në RESIJ, e shikoj edhe si një konfirmim të vullnetit dhe bashkëpunimit tonë të përbashkët.

Megjithatë krahas vlerësimit dhe bashkëpunimit, e shikoj edhe si një përgjegjësi të madhe. Këtë proces anëtarësimi e shikoj si një sfidë për t`iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Rrjetit dhe kontributit, të cilin duhet të japin tashmë në cilësinë e anëtarit dhe përmbushjes së një sërë detyrimesh, të cilat mund të rrjedhin në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, mbledhja e sotme e Asamblesë së Përgjithshme të RESIJ, ka një rëndësi  tejet të veçantë. Duke mbajtur në konsideratë ndryshimet e sotme, të cilat do të ndërmarrim në Statut, ne synojmë përcaktimin e rregullave të reja mbi organizimin dhe funksionimin e tij. Kjo fazë përkon me një fillim të ri të veprimtarisë së RESIJ.

Sot RESIJ “fiton” një personalitet të ri juridik. Personalisht vlerësoj se tashmë RESIJ kërkon një vëmendje të veçantë. Aktualisht qasja jonë ndaj aktiviteteve të tij kërkon një kujdes të shtuar dhe më shumë angazhim. Për çdo organizëm të këtij lloji, zhvillimi dhe rritja e tij përpara, përveçse bashkëpunimit, veprimit apo energjisë, kërkon mbi të gjitha një mision, kërkon një planifikim në nivel strategjik duke përcaktuar prioritete të qarta, si dhe një qasje sa më gjithëpërfshirëse nga të gjithë ne për arritjen e qëllimeve të tij.

Gjatë këtyre ditëve, duke menduar mbi konsideratat e mia dhe fjalën time, të cilën do të ndaja me ju, me erdhën në mendje disa dilema apo ndjesi, me baza skepticizmi lidhur me të ardhmen e RESIJ, të cilat i shtruam për diskutim edhe përgjatë konferencës së Qershorit “Tirana 2022”.  Janë vështirësitë me të cilat ne përballemi, e që vijnë si pasojë e dallimeve, që ne anëtarët e RESIJ kemi nga pikëpamja politike, juridike, apo organizative dhe institucionale.

Duke bërë një analizë në retrospektivë, të veprimtarisë së deritanishme të RESIJ, arrijë në përfundimin, se të gjithë ne bashkë ia kemi dalë, jo vetëm të tejkalojmë këto barriera, të cilat ngrihen përpara nesh për shkak të këtij diversiteti, por edhe të prodhojmë rezultate të qarta, jo vetëm për një periudhë afatshkurtër, por edhe për vitet në vijim.

Megjithatë kemi akoma më shumë për të bërë. Zhvillimi i këtij takimi sot, si dhe agjenda e tij është një tregues i qartë, që jemi në rrugën e duhur. Për sa kemi vepruar deri më tani, duke aplikuar metodat apo qasjet më të mira të partneritetit dhe komunikimit të suksesshëm, si dhe duke pasur një vullnet të mirë për të kontribuar në zhvillimin e rolit të shërbimeve të inspektimit në përputhje me vlerat tona të përbashkëta evropiane, si demokracia dhe shteti i së drejtës, personalisht mendoj se do të arrijmë që RESIJ të realizojë misionin për të cilin është krijuar.

Duke ju falënderuar edhe një herë për pjesëmarrjen më lejoni që t`ia kaloj fjalën Presidentes së RESIJ,  Znj. Roxana Petcu.

Faleminderit!