Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Procesi i vetingut dhe efektet e tij drejt një gjyqësori të pavarur, profesional dhe të përgjegjshëm në Shqipëri”, bashkë me drejtues e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë e jo vetëm, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gjykata e Lartë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Avokati i Popullit, organizata të Shoqërisë Civile etj dhe Ambasadorin e Bashkimit Evropian dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Tiranë.
Takimi u organizua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), që paraqiti Dokumentin e Politikave në lidhje me vazhdimin dhe konsolidimin e procesit të vetingut në Shqipëri me mbështetjen e Platformës së Grupkapitullit 1
Në fjalën e tij z. Metani tha mes të tjerash se “Që prej ngritjes së organeve të reformuara të drejtësisë dhe në vazhdim, proceset e rekrutimit, karrierës dhe llogaridhënies së magjistratëve po implementohen nga këto organe, bazuar në parashikimet ligjore në fuqi, që i rregullojnë ato. Veç këtyre praktikave të krijuara tashmë nga organet e drejtësisë, standardet e krijuara nga vettingu, përbëjnë gjithashtu një model të mirë dhe plotësues të procedurave që ne ndjekim sot. Natyrisht, standardet e zbatuara nga procesi i vetingut, i cili ishte një proces sui generis, i përkohshëm dhe i jashtëzakonshëm, nuk mund të përdoren si një mjet zëvendësues i proceseve të punës, që ne ndjekim, që nga ngritja e institucioneve të drejtësisë. Por, përthithja e praktikave më të mira të zbatuara nga vetting, i shërben jo thjesht rritjes së performancës së sistemit të drejtësisë, por edhe konsolidimit të standardeve më të mira tona të përbashkëta. “
Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në tryezën e diskutimit “Procesi i vetingut dhe efektet e tij drejt një gjyqësori të pavarur, profesional dhe të përgjegjshëm në Shqipëri”
Të nderuar zotërinj Ambasadorë z. Gonzato dhe z Vos!
Të nderuar pjesëmarrës !
Faleminderit për ftesën dhe mundësinë, për të shprehur disa konsiderata në lidhje me dokumentin e hartuar në kuadër të veprimtarisë së organeve të vettingut në Shqipëri.
Duke mbajtur në konsideratë faktin, se qëllimi i këtij dokumenti është përmirësimi i debatit mbi politikat dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë, e vlerësoj në mënyrë maksimale zhvillimin e aktiviteteve të tilla, të cilat nxisin diskutimet e drejtpërdrejta për ato çështje, të cilat kërkojnë një vëmendje të veçantë dhe një analizë të thelluar e cilësore në kuadër të trajtimit dhe implementimit të tyre.
Qe prej ngritjes së organeve të reformuara të drejtësisë dhe në vazhdim, proceset e rekrutimit, karrierës dhe llogaridhënies së magjistratëve po implementohen nga këto organe, bazuar në parashikimet ligjore në fuqi, që i rregullojnë ato. Veç këtyre praktikave të krijuara tashmë nga organet e drejtësisë, standardet e krijuara nga vettingu, përbëjnë gjithashtu një model të mirë dhe plotësues të procedurave që ne ndjekim sot. Natyrisht, standardet e zbatuara nga procesi i vetingut, i cili ishte një proces sui generis, i përkohshëm dhe i jashtëzakonshëm, nuk mund të përdoren si një mjet zëvendësues i proceseve të punës, që ne ndjekim, që nga ngritja e institucioneve të drejtësisë. Por, përthithja e praktikave më të mira të zbatuara nga vetting, i shërben jo thjesht rritjes së performancës së sistemit të drejtësisë, por edhe konsolidimit të standardeve më të mira tona të përbashkëta.
Ky proces transferimi i këtyre praktikave dhe standardeve është delikat dhe kërkon jo vetëm analiza të kujdesshme, por dhe një plan masash të koordinuara, si në aspektin rregullator apo edhe në atë administrativ. Kërkon një analizë të kujdesshme në lidhje me kompetencat e secilit organ, në kuadër të përfshirjes së këtij transferimi në aspekte të kontrollit të aseteve, integritetit apo profesionalizmit.
Këtij procesi i shërben edhe raporti i paraqitur sot nga ekspertët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Është një dokument i konsiderueshëm, i cili përmban një sërë gjetjesh të karakterit teknik, në lidhje me procedurat e standardet dhe nxjerr në pah një sërë problematikash. Këto çështje janë ngritur në nivel diskutimi dhe çmoj, se përbëjnë një udhërrëfyes të mirë për diskutimin mbi këto problematika të konstatuara, si dhe një pikënisje për këtë proces që po flasim. Një pasqyrë e tillë teknike e sfidave të procesit të vettingut i shërben patjetër përmirësimit të standardeve dhe për pasojë edhe unifikimit të praktikave të institucioneve.
Nuk do doja të ndalesha në proceset e punës së Inspektorit të Lartë te Drejtësisë në lidhje me aplikimin e praktikave më të mira të vetingut, pasi mendoj se nuk është ky rast, por dëshiroj të theksoj edhe njëherë në fund, se zhvillimi i këtij procesi mbi huazimin e modeleve apo standardeve më të mira të zhvilluara nga ana e organeve të vettingut, kërkon një vëmendje dhe kujdes të shtuar nga ana e institucioneve të drejtësisë, për t’i shërbyer unifikimit të praktikave të institucioneve tona dhe konsolidimit të praktikave tona të përbashkëta.
Faleminderit