ORIENTIMI DREJT VLERAVE QË KONSOLIDOJNË SISTEMIN E DREJTËSISË, SFIDA MË E MADHE PËR TË GJITHË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani përshëndeti konferencën Drejtësi në kohë sfidash”, organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kuadër të Ditës kombëtare të Drejtësisë.

Duke e konsideruar si një ditë reflektimi për drejtësinë, si një nga vlerat morale më të rëndësishme të një shoqërie, për raportin që drejtësia ka me shoqërinë dhe institucionet e saj, Z. Metani tha se “Institucionet e reja të drejtësisë kanë detyrën dhe detyrimin historik të mbajnë gjallë përpjekjet e atyre, që një shekull më parë hartuan dhe miratuan Kanunin e Zhurisë”, pasi  janë para një sprove të fortë të besimit publik, dhe si një sfidë e bërë me zgjedhjen e tyre, nuk ka kthim pas.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, veçoi në fjalën e tij interesin publik për drejtësinë, duke theksuar se diskutimi i temave që lidhen me drejtësinë, nuk mundet të mos jetë pjesë e debatit publik, por bullizimi i sistemit nuk i shërben askujt. “Për çështje që lidhen me detyrat e tyre funksionale, magjistratët janë pjesë e kritikave në një nivel të gjërë. Këtë gjë nuk mund ta ndryshojmë, pasi liria e shprehjes i jep të drejtë kujtdo, që të shprehë dhe komentojë lirisht, edhe mbi vendimet e drejtësisë. Patjetër që ka raste kur këto komente reflektojnë edhe defektet që shoqëria jonë ka. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, në një shoqëri në zhvillim, ku gjetja e kufijve nuk është pika jonë e fortë, edhe pse duhet të biem dakort të gjithë, që të paktën bullizimi i drejtësisë, nuk i shërben askujt”.

Në kushtet kur magjistratët, ndryshe nga zyrtarët e tjerë publikë nuk mund të përgjigjen për kritikat që u bëhen, sfida e tyre është transparenca.

Beteja e gjyqtarëve dhe prokurorëve, zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë është me transparencën, është me rritjen e cilësisë së punës. Vërtetë që magjistratët nuk mundet të komentojnë mbi vendimet e tyre, por nëse vendimet që ata marrin, shprehin qartë dhe pa asnjë ekuivok, thjeshtë dhe kuptueshëm, drejt dhe pa lakime, mendimin e tyre juridik dhe diskrecionin e tyre të bazuar në ligj, atëherë publiku do të jetë i qartë, se çfarë i duket e drejtë dhe e padrejtë në atë vendim. Sa më të qartë të jenë gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e drejtësisë me vendimet e tyre, sa më të qartë të jenë ata për rolin e tyre, aq më e thjeshtë do jetë edhe për publikun, të njohë rëndësinë e kësaj vendimmarrjeje, e akoma më tej, edhe të krijojë respekt për punën e drejtësisë.”

Nga ana tjetër, vëren Z. Metani, krijimi i respektit për punën e drejtësisë kërkon edhe kontributin e faktorëve të tjerë në shoqëri sidomos atyre politikë e mediatikë. “Kushtetushmëria, shteti ligjor, respekti per punën e tjetrit apo të asaj që quhet ndarja e pushteteve janë standarde, që duhen ushqyer çdo ditë me largpamësi, jashtë interesit të çastit, duke e mirëmenduar në vizion afatgjatë çdo fjalë të thënë dhe çdo gur të hedhur ndaj sistemit të drejtësisë. Si shoqëri duhet të jemi gati të pranojmë edhe vendime që nuk na pëlqejnë. Zgjidhjet antisistemike vetëm na zgjasin agoninë e vështirësive traumatike, që drejtësia po kalon sot”.

Prandaj sipas Inspektorit të lartë të Drejtësisë, të gjithë duhet të orientohemi drejt vlerave tona më të mira, për të konsoliduar sistemin e drejtësisë drejt parimeve e standardeve pa kthim.

“Sot e në vazhdim, kjo është sfida më e madhe e të gjithëve ne!”