Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Për verifikimin e ankesave ose hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj subjekteve, Inspektori  mund të vihet në lëvizje bazuar në  ankimin me shkrim  të çdo të personi fizik, juridik ose organi publik të interesuar. Inspektori i Lartë i heton shkeljet e dyshuara edhe kryesisht, bazuar në të dhëna publike ose të siguruara në kuadrin e inspektimeve institucionale e tematike, mbi çdo aspekt të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorive dhe administratës së prokurorisë, bazuar në kërkesën e motivuar me shkrim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Ministrit të Drejtësisë, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në planin vjetor të inspektimeve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është drejtuesi i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe i ushtron funksionet e tij në mënyrë të pavarur. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë në funksionet e Inspektorit për kryerjen e verifikimeve të ankesave, hetimeve dhe inspektimeve, ose në lidhje me ndonjë subjekt të caktuar shkakton përgjegjësi sipas ligjit.