ILD në RESIJ

Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) u krijua në Paris në mars të vitit 2017, si një iniciativë e nisur nga Franca, në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), si dhe të përfaqësuesve nga Belgjika, Republika Çeke, Franca, Italia, Lituania, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo iniciativë synonte të identifikonte mënyrat përmes të cilave shërbimet kombëtare të inspektimit të drejtësisë mund të luanin një rol më aktiv në zhvillimin e harmonizuar të hapësirës gjyqësore evropiane, siç është parashikuar që nga Traktati i Amsterdamit deri te Traktati i Romës.

Pavarësisht dallimeve funksionale dhe institucionale ekzistuese, përfshirë varësinë e shërbimeve të inspektimit qoftë nga Ministria e Drejtësisë apo nga Këshilli i Lartë Gjyqësor,  pjesëmarrësit ranë dakord mbi një parim themelor të përbashkët për të gjitha sistemet e inspektimit: domosdoshmërinë e pavarësisë në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Në dritën e këtij parimi të përbashkët, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime me përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të CEPEJ lidhur me rolin potencial të shërbimeve kombëtare të inspektimit, të organizuara në kuadër të një rrjeti të përbashkët, në vlerësimin e efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në nivel evropian. Gjithashtu, ata shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim dhe programe të koordinuara trajnimi në shkallë evropiane.

Gjatë mbledhjes inauguruese të Rrjetit, pjesëmarrësit propozuan gjithashtu zhvillimin e programeve bashkëpunuese të trajnimit dhe shkëmbimit për inspektorët e drejtësisë nga vende të ndryshme.

Për më tepër, shërbimet e inspektimit u angazhuan të kontribuojnë aktivisht në vlerësimin e efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në nivel evropian, veçanërisht në lidhje me instrumentet juridike evropiane dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet civile dhe penale.

Në dhjetor 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë (ILD) fitoi statusin e vëzhguesit në këtë Rrjet, i cili në atë kohë përfshinte Belgjikën, Bullgarinë, Francën, Italinë, Spanjën, Portugalinë dhe Rumaninë.

Më 19 tetor 2023, anëtarët e Rrjetit vendosën unanimisht t’i japin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë statusin e anëtarit me të drejta të plota.

Që nga dhjetori 2021, ILD-ja ka marrë pjesë aktive në të gjitha aktivitetet e RESIJ-it, si brenda vendeve anëtare ashtu edhe jashtë Bashkimit Evropian.

Në vitin 2026, anëtarët aktivë të RESIJ janë: Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Franca (e cila mban aktualisht Presidencën e RESIJ-it), Italia, Moldavia (e cila iu bashkua RESIJ-it në vitin 2025), Portugalia, Spanja dhe Rumania.

Faqja zyrtare është https://resij.eu/

Si Pranohen Ankesat

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas marrjes së ankesës brenda 5 ditëve nga marrja konfirmon me shkresë marrjen e saj.  Pasi është konfirmuar marrja e ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka afat 3 tre muaj nga marrja e saj t’a shqyrtojë duke filluar kontrollin.  Kontrolli siguron që ankesa plotëson kushtet që ka vendosur ligji për të qenë e pranueshme.  Kontrolli i pranueshmërisë,  ka të bëjë me:

  • Mënyrë e paraqitjes, pra nëse ankesa është e paraqitur me shkrim;
  • Të dhënat si emri, mbiemri dhe adresa juaj;
  • Përshkrimin e fakteve dhe rrethanave për të cilat ankoheni;
  • Emrin, mbiemrin e gjyqtarit apo prokurorit, bashkë me gjykatën apo prokurorinë ku ka ushtruar funksionin në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti ndaj të cilit ankoheni;
  • faktet kanë ndodhur pas 5 viteve nga koha kur ka ndodhur fakti apo rrethana e pretenduar.
  • në përmbajtje nuk ka elemente abuzive, nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues;
  • sjelljen e magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti për të cilën ankoheni;
  • sjelljen së magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohë kur shkelja e pretenduar ka ndodhur;
  • sjelljen e magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji.

Vetëm pasi plotësohen të gjitha këto kushte, ankesa pranohet dhe vijohet me procedurat e verifikimit të pretendimeve të ngritura në ankesë.  Nëse njëri ose më shumë kritere nuk plotësohet, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nxjerr vendimin për arkivimin e ankesës.  Ju do të njoftoheni për vendimin e arkivimit të ankesës dhe për të drejtën tuaj për t’u ankuar, ku mund të ankoheni  ndaj vendimit bashkë me afatin brenda të cilit mund të ankoheni.