Pranueshmëria e Ankesës

I nderuar vizitor i faqes!

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas marrjes së ankesës suaj, brenda 5 ditëve, Ju konfirmon me shkresë marrjen e saj. Pasi është konfirmuar marrja e ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka afat 3 tre muaj nga marrja e saj, për t’a shqyrtuar. Por për shkak të stokut të dosjeve disavjecare, të trashëguara nga institucione të tjera, ILD respekton një metodologji të miratuar për shqyrtimin e çdo ankese sipas kritereve që lidhen me datën e dorëzimit, fazën e trajtimit, tipologjinë apo urgjencën e trajtimit edhe në funksion të parashkrimit. Shqyrtimi siguron që ankesa plotëson kushtet që ka vendosur ligji për të qenë e pranueshme. Shqyrtimi për pranueshmëri, ka të bëjë me verifikimin e informacionit lidhur me:

  • Mënyrën e paraqitjes, pra nëse ankesa është e paraqitur me shkrim;
  • Të dhënat si emri, mbiemri dhe adresa juaj; 
  • Përshkrimin e fakteve dhe rrethanave për të cilat ankoheni; (Shembull)
  • Emrin, mbiemrin e gjyqtarit apo prokurorit, bashkë me gjykatën apo prokurorinë ku ka ushtruar funksionin në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti ndaj të cilit ankoheni; 
  • Shkelja e pretenduar ka ndodhur brenda 5 viteve nga momenti i dorëzimit të ankesës; (Shembuj)
  • Në përmbajtje nuk ka elemente abuzive, nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues; (Shembull)
  • Sjelljen e magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti për të cilën ankoheni; (Shembuj)
  • Sjelljen e magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohë kur shkelja e pretenduar ka ndodhur; (Shembuj)
  • Sjelljen e magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji. (Shembuj)

Vetëm pasi plotësohen të gjitha këto kushte, ankesa pranohet dhe vijohet me procedurat e verifikimit të pretendimeve të ngritura në ankesë. Nëse njëri prej ose më shumë nga kriteret e përcaktuara më sipër nuk plotësohen, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nxjerr vendimin për arkivimin e ankesës. Ju do të njoftoheni për vendimin e arkivimit të ankesës dhe për të drejtën tuaj për t’u ankuar, ku mund të ankoheni  ndaj vendimit bashkë me afatin brenda të cilit mund të ankoheni.