Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mbi Raportin Vjetor të veprimtarisë së institucionit gjatë vitit 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
I pyetur se sa ndihet i pavarur nga politika dhe ndikimet e brendshme e të jashtme në ushtrimin e detyrës, Z. Metani u përgjigj:
“Bie padyshim dakord që sot arkitektura e re e sistemit të drejtësisë nuk i jep asnjë mundësi politikës, institucioneve politike, interesave financiare apo çfarëdo qoftë, që t’i bëjnë presion magjistratëve në Shqipëri sot. Sot magjistratët në Shqipëri janë të garantuar nga ligji, pikërisht edhe për atë ndarje të mirë të pushteteve, që është bërë nëpërmjet ndarjes së punëve të institucioneve të reja të drejtësisë.
A ndihem unë i presionuar nga politika? Jo! përgjigja ime e shkurtër është jo, sepse Kushtetuta dhe ligji ma kanë dhënë garancinë, që të mos të kemi ndjesi intimidimi nga politika, nga institucionet politike, apo kushdo tjetër, që mund të mendojë t’i bëjë presion Inspektorit të lartë të drejtësisë në çdo formë. Po kam presion nga brenda vetes. Kam presion nga familja; kam presion nga shoqëria; kam presion nga ju, në kuptimin e mirë të fjalës, për pritshmërisë që keni ndaj meje personalisht, por edhe ndaj institucionit, padyshim edhe nga shoqëria. Këto janë presione të forta, me të cilat njeriu fle në darkë dhe zgjohet në mëngjes. Për këtë arsye edhe gjërat që ju referuat në raport unë i kam ngritur sepse dua që puna të jetë sa më efikase dhe të jetë sa më e shpejtë.
Padyshim që çështja e presioneve që vijnë nga politika, këtu është bërë çështje debati, personalisht kam qenë aktiv në reagime edhe publike, me deklarata edhe ndaj ministrave dhe në konferenca publike, së fundmi para një jave, për atë që flitet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mendoj që bëhet një kakofoni midis sulmit, kritikës apo intimidimit. Unë mendoj që duhet ta ndajmë në 3 nivele, këtë raport që ka politika me institucionet e gjyqësorit. Së pari janë intimidimet ligjore apo institucionale dhe këto janë fenomene që nuk i shoh, për të qenë të vërtetë, nuk shoh sulme ligjore të nisura nga organet e drejtësisë. Niveli i dytë janë denoncimet, dhe kjo lidhet me një nga pyetjet që ju ngritët, denoncimet që bëhen publikisht, sidomos nga institucionet publike. Sugjeroj që denoncimet të mos bëhen në media, por në institucione, tek Inspektori i Lartë të Drejtësisë apo institucione të tjera dhe të respektohen institucionet dhe standardet e sistemit, me institucione të pavarura. Të ndalet denoncimi publik i magjistratëve që shkelin ligjin. Dhe niveli i tretë është kritika ndaj punës së magjistratëve. Çdokush mund të shprehë një mendim për punën e drejtësisë, që mund të jenë kritika apo vlerësime kjo nuk ka rëndësi, unë s’jam i mendimit që në momentin që flet drejtësia të gjithë heshtin. Çdokush në Shqipëri ka të drejtën të komentojë për vendimet që marrin organet e drejtësisë, por gjetja e kufijve kur flasim për organet e drejtësisë nuk është një pikë e jona e fortë, pasi ka jo pak raste të bullizmit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por kjo është çështje e një mjedisi demokratik që duhet të krijojë politika në raport me organet e drejtësisë, kjo nuk është një gjë që thuhet, nuk shkruhet, por është një gjë që ndjehet dhe provohet. Prandaj themi që reforma në Drejtësi do kohën e vet që të japë efektet, sepse për shkak të mjedisit shoqëror demokratik do kohën e vet. Sepse pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të funksionojë pa demokraci, dhe e kundërta s’ka demokraci pa pavarësi gjyqësori. Për ta kuptuar këtë sigurisht që duhet një jetë më vete.
Lidhur me pyetjen nëse ILD është orientuar në veprimtarinë e vet drejt të qenit proaktiv apo reaktiv, Inspektori i Lartë Metani u përgjigj.
“Doja të bëja edhe një koment tjetër. Unë mendoj se kemi qenë proaktivë, jo reaktivë, inspektimet apo procedurat që kemi nisur kanë qenë padyshim pjesë e ankesave apo informacioneve të ardhura nga qytetarët, por kanë qenë edhe reagime të institucionit, pikërisht për të dhënë atë mesazhin në publik, që institucionet janë këtu. Edhe pse me vështirësitë e veta ne jemi këtu dhe po punojmë, që publiku dhe politika, në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, të kenë besim, që institucionet po funksionojnë edhe pse është e vështirë për shumë arsye. Jo vetëm për burimet njerëzore, por ajo që është më e rëndësishme, për standardet e punës, që duhet të ngrejë ky institucion i ri, pikërisht për atë peshë që ju thatë. Çdo akt që del nga Inspektori i lartë i drejtësisë vlerësohet nga ILD në mënyrë të hollësishme, jo thjesht për procedurën konkrete, por për standardin që vendos, sepse për ne është shumë e rëndësishme pavarësia e magjistratëve të mos cenohet nga puna e Inspektorit të lartë të drejtësisë është shumë e thjeshtë që kjo balancë që nuk është e shkruar gjëkundi të shkelet qoftë me një letër të dërguar nga Inspektori i lartë i drejtësisë.”