Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas marrjes së ankesës brenda 5 ditëve nga marrja konfirmon me shkresë marrjen e saj. Pasi është konfirmuar marrja e ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka afat 3 tre muaj nga marrja e saj t’a shqyrtojë duke filluar kontrollin. Kontrolli siguron që ankesa plotëson kushtet që ka vendosur ligji për të qenë e pranueshme. Kontrolli i pranueshmërisë, ka të bëjë me:
Mënyrë e paraqitjes, pra nëse ankesa është e paraqitur me shkrim;
Të dhënat si emri, mbiemri dhe adresa juaj;
Përshkrimin e fakteve dhe rrethanave për të cilat ankoheni;
Emrin, mbiemrin e gjyqtarit apo prokurorit, bashkë me gjykatën apo prokurorinë ku ka ushtruar funksionin në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti ndaj të cilit ankoheni;
faktet kanë ndodhur pas 5 viteve nga koha kur ka ndodhur fakti apo rrethana e pretenduar.
në përmbajtje nuk ka elemente abuzive, nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues;
sjelljen e magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti për të cilën ankoheni;
sjelljen së magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohë kur shkelja e pretenduar ka ndodhur;
sjelljen e magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji.
Vetëm pasi plotësohen të gjitha këto kushte, ankesa pranohet dhe vijohet me procedurat e verifikimit të pretendimeve të ngritura në ankesë. Nëse njëri ose më shumë kritere nuk plotësohet, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nxjerr vendimin për arkivimin e ankesës. Ju do të njoftoheni për vendimin e arkivimit të ankesës dhe për të drejtën tuaj për t’u ankuar, ku mund të ankoheni ndaj vendimit bashkë me afatin brenda të cilit mund të ankoheni.