FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË, Z. ARTUR METANI NË PARAQITJEN E RAPORTIT VJETOR NË KUVEND

E nderuar kryetare e Kuvendit, Znj. Nikolla,

Të nderuar deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësi të paraqes përpara jush një përmbledhje të shkurtër të punës së institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2021, bazuar edhe në rekomandimet e kuvendit.

Ju e keni tashmë raportin tonë të punës, prandaj do përpiqem të jem sa më konciz, duke ju përcjellë punën e bërë gjatë një viti, ecurinë e mirë, e natyrisht edhe sfidat që kemi pasur në këtë rrugëtim, bashkë me trupën e inspektorëve dhe ekipin e ILD-së.

Siç dihet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucion i pavarur kushtetues, i ngritur më 1 Shkurt 2020, që shqyrton, verifikon, heton dhe procedon çdo gjyqtar e prokuror në Republikën e Shqipërisë, që dyshohet se ka kryer shkelje disiplinore. Sipas ligjit, ILD vihet në lëvizje bazuar në ankimin me shkrim të çdo personi fizik, juridik ose organi publik të interesuar, përfshi Ministrin e Drejtësisë; Prokurorin e Përgjithshëm; anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; kryetarët e gjykatave, drejtuesit e zyrave të prokurorive, si dhe me iniciativë të vetën.

Duke lënë pas vështirësitë e ngritjes së një institucioni krejt nga e para, si në infrastrukturë njerëzore ashtu edhe teknike, gjatë vitit 2021, ILD ka arritur të përmbushë synimet, që i kishte vënë vetes në prioritetin kryesor, uljen e backlogut të trashëguar nga institucionet e tjera dhe plotësimin e kapaciteteve të inspektimit.

Bëhet fjalë për një fond të konsiderueshëm arkivor prej 2104 ankesash, që përmban ankesa të patrajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, si dhe raste të hetuara pjesërisht apo të papërfunduara nga ana e organeve të mëparshme, si Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Procedurat e ndjekura nga organet e mëparshme për trajtimin e këtyre praktikave dokumentare, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare, rezulton se janë zhvilluar në mënyrë jo të plotë dhe të pjesshme.

Nga ana e vet, ILD ka realizuar ngritjen e bazës së të dhënave me qëllim pasqyrimin e të dhënave të sakta, lidhur me numrin e trajtimit të tyre, objektin, pretendimet e paraqitura në këto ankesa etj., me qëllim grupimin e tyre dhe hartimin e një radhe përparësie shqyrtimi. Po punohet sipas një metodologjie që ka prioritet, shmangien e kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe harresës. Ankesat apo praktikat dokumentare, trajtohen sipas një radhe përparësie të bazuar në kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare. Paralelisht u kushtohet vëmendje edhe denoncimeve që kanë ardhur në ILD prej 1 shkurtit 2020, kur është ngritur institucioni.

Natyrisht në përmbushjen e këtij objektivi kemi një faktor ngadalësues, që janë mungesat në kapacitetet e inspektimit. Siç evidentohet edhe në raportin e punës së ILD që e keni përpara, institucioni ka një problematikë në plotësimin e kapaciteteve me inspektorë dhe për këtë, për të dytin vit radhazi përsërisim kërkesën për mbështetje nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gjatë vitit 2020, ILD ka punuar me vetëm 1 inspektor të trashëguar nga ish KLD dhe ka kërkuar në vijimësi pranë Këshillave, komandimin e magjistratëve të tjerë për Inspektorë, sepse ligji parashikon 26 të tillë, magjistratë e jo magjistratë. KLGJ ka realizuar deri tani 7 shpallje, për komandimin e magjistratëve gjyqtarë në pozicionin e Inspektorit pranë Zyrës së ILD-së, por nuk ka pasur kandidime. Ka pasur interes nga radhët e prokurorëve dhe KLP ka komanduar 4 magjistratë prokurorë, si Inspektorë pranë Zyrës së ILD-së. Sipas ligjit, Inspektorët janë magjistratë dhe jo magjistratë dhe këta të fundit rekrutohen nga institucioni. 4 inspektorë jo magjistratë janë përzgjedhur nga konkurrimi në shkurt 2021. Pra aktualisht ILD punon me 8 inspektorë (4 magjistratë e 4 jo magjistratë), ndërsa në shtator ka shpallur thirrjen për 9 pozicione për inspektorë jo magjistratë dhe procedura po vijon sipas detyrimeve ligjore.

Mungesa e inspektorëve mbetet një sfidë, që ILD e ka përsëritur si shqetësim edhe gjatë këtij viti, sidomos nevojën për inspektorë magjistratë gjyqtarë.

Sot që flasim janë mbi 4700 ankesa të konfirmuara në ILD, nga 3054 që kishim deri në fund të vitit 2020. Kjo flet shumë për besimin që kanë qytetarët tek institucioni dhe natyrisht për përgjegjshmëri të ILD-së, për pritshmëri të larta të tyre.

Duke pasur parasysh se çdo ankesë ka një rrugëtim të përcaktuar ligjërisht, që nis me shqyrtimin, verifikimin e më pas hetimin ose arkivimin, me kapacitetet ekzistuese të ILD, gjatë vitit 2021 janë marrë 22 vendime për fillimin e hetimit disiplinor për 31 subjekte të hetimit disiplinor. Shkeljet disiplinore për të cilat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor, renditen në shkelje disiplinore gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit si dhe shkelje disiplinore për shkak të kryerjes së veprës penale me vendim të formës së prerë, që sipas natyrës së tyre, diskreditojnë pozitën dhe figurën e magjistratit ose dëmtojnë rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, bazuar në faktet dhe rrethanat e pranuara nga gjykata. Masat disiplinore të propozuara kanë qenë nga vërejtje deri në shkarkim nga detyra. Nga përfundimi i hetimit disiplinor gjatë vitit 2021, për 21 magjistratë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka propozuar fillimin e procedimit disiplinor për 17 magjistratë, ose për 81% të rasteve të hetuara, ndërsa për 4 magjistratë ka vendosur mbylljen e hetimit disiplinor. Për 11 magjistratë kërkesat për procedim janë paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për 6 magjistratë kërkesat për procedim janë paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dua të nënvizoj se nga 17 procedimet, 7 prej tyre kanë ardhur si rezultat i shqyrtimit të ankesave të paraqitura nga qytetarët, të cilat zënë një volum prej 41% të rasteve të procedimit disiplinor.

Natyrisht numrat nuk janë matës shterues krahasimor i punës nga viti në vit, sepse ka çështje për shembull, që janë më të komplikuara e që kërkojnë një periudhë më të gjatë hetimi se të tjera, por këto janë statistikat. Ndërsa procedimit disiplinor, si momenti final i punës, i kushtohet vëmendje e posaçme, pasi ka si qëllim parësor jo vetëm ndëshkimin e magjistratëve, por edhe edukimin e tyre për rëndësinë që ka besimi i publikut tek drejtësia.

Gjatë vitit 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është fokusuar në ngritjen dhe vënien në zbatim të sistemit të brendshëm të menaxhimit të çështjeve për procedurën hetimore, në bashkëpunim me misionin Euralius. Është një sistem që e ka kërkuar vetë ILD, në kuadër të asistencës nga Euralius, pasi na nevojitet për punën e përditshme, lehtësimin e procedurave të qarkullimit të dokumentacionit dhe ruajtjen e sigurisë së të dhënave të mbajtura në të, sipas funksioneve përkatëse, ndarjes së detyrave, dhe trajtimit të dokumentacionit në Zyrën e ILD-së. Natyrisht sistemi do ketë përdorim më të gjerë në muajt në vijim, me rinovimin edhe të licencave përkatëse për përdorimin e tij në vazhdimësi.

Për të thjeshtuar e përshpejtuar punën e inspektorëve është hartuar manuali i hetimit disiplinor, që synon të mbështesë interpretimin dhe zbatimin e një kuadri të ri ligjor, sa i përket sistemit disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Manuali është i ndërtuar me analizën dhe komentet e dispozitave, format standarde të ndërtuara bazuar në kërkesa të qarta të neneve të ligjit procedural për hetimin disiplinor të shkeljeve të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorë dhe mbulojnë kryesisht procedurat që duhet të ndiqen gjatë procesit disiplinor.

Paralelisht jemi fokusuar edhe tek inspektimi, si një dimension i rëndësishëm i punës së ILD-së. Pavarësisht numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve dhe numrit të lartë të ankesave të mbartura, deri tani kanë nisur 3 (tre) inspektime tematike, të cilat janë në vazhdim, konkretisht: Inspektimi tematik i gjykatave dhe zyrave të prokurorive pranë tyre mbi trajtimin e kërkesave objekt “Lirimin me Kusht”; Inspektimi tematik mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale në kuadër të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm nr. 12, datë 20.07.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm” i ndryshuar, si dhe “Inspektimi tematik mbi respektimin e kushteve dhe kritereve për caktimin e masave të sigurimit personal” për veprën penale “Të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Pas marrjes së të dhënave nga gjykatat dhe prokuroritë të përfshira në këtë inspektim tematik dhe analizimit të tyre gjatë procedurave inspektuese të ndjekura, për inspektimin tematik për “lirimin me kusht” janë paraqitur 2 kërkesa për procedim disiplinor në vitin 2020 dhe 1 kërkesë për procedim disiplinor gjatë vitit 2021. Ndërsa për dy inspektimet e tjera të sipërpërmendura, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në proces të analizimit të të dhënave të administruara për secilin inspektim tematik dhe rezultatet priten të dalin gjatë vitit 2022.

Gjatë vitit në vazhdim, me administrimin e propozimeve që presim nga KLGJ, KLP dhe PP, do finalizohet hartimi dhe miratimi i planit vjetor të inspektimeve institucionale e tematike. 

Në fokus të punës së ILD-së ka qenë fuqizimi i kapaciteteve, si për metodologjinë ashtu edhe inspektimin në vetvete dhe për këtë kemi bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë për të marrë praktikat më të mira të punës, për një proces që ata e kanë traditë, si me partnerë europianë ashtu edhe amerikanë. Kështu gjatë vitit 2021, ILD është fokusuar në hulumtimin mbi metodologjitë e disa vendeve europiane me qëllim përcaktimin e rregullave mbi mënyrën e realizimit dhe hapave procedurale, që duhet të ndiqen në një proces inspektimi. Konkretisht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar memorandume specifike mirëkuptimi për fuqizimin e bashkëpunimit me inspektoratet homologe në Bullgari, Rumani dhe Itali.

Prej 10 dhjetorit 2021, ILD është pjesë e Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), me statusin e vëzhguesit mes anëtarëve që janë vetëm nga vende të Bashkimit Evropian, dhe ka nisur shkëmbimin e praktikave të punës nga shërbimet e inspektimit në vendet europiane. Bashkëpunimi me këtë rrjet startoi nëntorin e kaluar në Tiranë, ku anëtarë të RESIJ zhvilluan vizitë pune në Shqipëri dhe trajnime intensive me ekipin e ILD-së. Tashmë edhe ILD po ndan eksperiencën e vet në aktivitete ndërkombëtare, që organizon Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë. Para pak ditësh, në 24 qershor mikpritëm në Tiranë një konferencë ndërkombëtare të këtij Rrjeti, me mbështetjen e Komisionit Europian dhe Këshillit të Evropës përmes CEPEJ projektit për eficencën në drejtësi.

Edhe gjatë vitit 2021, ILD ka vijuar bashkëpunimin me Këshillat dhe institucionet e rivlerësimit kalimtar, si për informacion apo listat e përditësuara të magjistratëve në detyrë apo kur u mbaron statusi, me KLGJ e KLP, ashtu edhe me KPK-në.  Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në çdo rast ka trajtuar me prioritet maksimal dhënien e informacionit ndaj këtyre institucioneve. Ndërsa nuk kanë munguar takime me Këshillat për të identifikuar problematikat me interes të përbashkët, që hasen gjatë zbatimit të ligjit, dakordësimin dhe koordinimin mbi zbatimin e standardeve uniforme, përmes garantimit të një procesi të rregullt disiplinor e në respekt të pavarësisë së magjistratëve.

Transparenca me publikun mbetet në fokus të punës së ILD-së që në ditën e parë të punës, pasi Inspektori i Lartë i Drejtësisë e sheh marrëdhënien me publikun si një nga mënyrat më efektive, jo vetëm për të garantuar besimin e publikut tek institucioni në veçanti, por edhe tek drejtësia në përgjithësi. Në funksion të kësaj filozofie është rikonceptuar faqja zyrtare e ILD-së, në shqip dhe anglisht, për t’i krijuar lehtësi çdo vizitori për kërkimin dhe gjetjen e informacionit në kohë reale. Natyrisht vëmendja më e madhe ka qenë dhe mbetet tek orientimi i qytetarëve në procesin e ankimimit në ILD. Në pjesën më të dukshme të faqes, kemi një rubrikë të posaçme “Si pranohen ankesat”, ku gjendet informacion i detajuar dhe i thjeshtuar, se si mund të ankohesh në ILD. Kjo rubrikë përmban formularin TIP të ankesës, së bashku me udhëzimet përkatëse mbi mënyrën se si duhet plotësuar. E për të ndihmuar ankuesit janë publikuar një sërë shembujsh mbi vendimet, që merr Inspektori i Lartë i Drejtësisë për raste të pranimit apo jo të ankesave. Ndërsa çdo ditë pune, qytetarët asistohen pranë ILD nga ekipi i zyrës së ankesave, në depozitimin fizik të ankesave e pretendimeve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Në funksion të transparencës, çdo të hënë, në faqen e ILD-së publikohen shifrat e punës së bërë gjatë një jave lidhur me ankesat e marra e të trajtuara, në mënyrë që kushdo të kuptojë ritmin e punës së institucionit tonë. Ky proces, por edhe veprimtaria e ILD-së, pasqyrohet çdo muaj në Buletinin e institucionit, në shqip dhe anglisht, që përmban edhe statistika të prodhuara nga Zyra e Ankesave e Protokollit, si dhe Koordinatori për të Drejtën e Informimit. Për të lehtësuar komunikimin me ILD-në, në përputhje edhe me të drejtën e qytetarëve për informim, në dispozicion është një numër telefoni, një adresë zyrtare e-mail, kjo e fundit, edhe për dërgimin e ankesave. Përveç faqes zyrtare, komunikimi me publikun bëhet edhe përmes llogarive në Twitter dhe Youtube. E gjitha në funksion të transparencës sepse mendojmë, se ajo sjell besueshmërinë që të gjithë kërkojmë nga qytetarët. Procesi i ankimimit mund të kryhet fizikisht, çdo ditë pune pranë ILD-së dhe ekipi ynë i zyrës së ankesave asiston ankuesit për çdo vështirësi apo paqartësi në këtë proces.

Në qershor të këtij viti kemi lançuar një anketë në faqen zyrtare të ILD-së, për të vjelë mendimin e publikut mbi punën tonë dhe kjo padyshim do na ndihmojë të përmirësohemi në vazhdimësi.

Dua të nënvizoj se jo vetëm gjatë vitit 2021, por në këto dy vite aktivitet, zyra e ILD është orientuar tek edukimi i qytetarëve edhe përmes mënyrës së trajtimit të ankesave. Konkretisht, formulimi i vendimeve ka synuar jo vetëm dhe thjesht analizën e ankesave, verifikimin e fakteve dhe praktikave, por shpesh nëpërmjet tyre, është synuar sqarimi, informimi dhe edukimi i ankuesve me dispozitat ligjore duke përfshirë interpretimin dhe leximin e drejtë të tyre.

Për vitin 2022 do vazhdojmë të kemi prioritet trajtimin e sa më shumë ankesave, sepse për fat të keq, problematikat e 3 dekadave tranzicion reflektohen ende tek drejtësia dhe qytetarët duan të shohin ndryshim në gjetjen e të drejtës së tyre përballë problematikave që hasin në sistem, në prokurori apo gjykata. Kam gjithë ndjeshmërinë edhe personale për këtë. Për natyrisht do na duhet plotësimi më inspektorë, pra do vazhdojmë të këmbëngulim në këtë drejtim, si dhe në rritjen e kapaciteteve profesionale të inspektimit me praktikat më të mira nga vendet që e kanë traditë të hershme.

Prandaj, më lejoni të shfrytëzoj këtë komunikim nga kjo foltore, për të risjellë në vëmendje sfidën e vazhdueshme të ILD-së për plotësimin e vendeve vakante për inspektorë të profilit magjistrat. Plotësimi i Njësisë së Inspektorëve me inspektorë magjistratë do ndihmonte ndjeshëm procesin e trajtimit të ankesave, si kontingjentit të trashëguar nga ish KLD, ashtu edhe ankesat e ardhura direkt në ILD. Me qëllim adresimin e situatës, kemi propozuar në kuvend draft amendamente të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që lidhen me rishikimin e kritereve që duhet të përmbushin magjistratët për t’u komanduar në detyrën e inspektorit, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke reduktuar vitet e përvojës në funksion; komandim të përkohshëm të magjistratit që ka paraqitur kërkesë, deri në kryerjen e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës, ose shkurtimin e afateve për paraqitjen e kërkesave dhe përgatitjen e opinionit nga këshillat; heqjen e kriterit për të pasur numër të barabartë inspektorësh magjistratë dhe jomagjistratë dhe trajtim të barabartë financiar për inspektorët jomagjistratë.

Por, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është krejt i hapur për çdo zgjidhje tjetër, që do vinte nga ligjvënësi, për të realizuar plotësimin e trupës së inspektorëve me qëllim vijimin e punës me ritme më të larta.

Ju faleminderit!