METANI BËN BILANCIN VJETOR: SOT ILD PUNON DUKE VENDOSUR STANDARDE

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani gjatë një interviste me gazetarin Eni Ferhati të Euronews Albania ka bërë bilancin e punës së vitit 2022 dhe analizuar sfidat dhe ambicjet e institucionit që drejton për vitin 2023. Z. Metani tha se nëse në fillimet e veta, flitej për mungesa njerëzore e infrastrukturore, gati 3 vite më vonë e gjatë vitit që u mbyll, ILD krenohet se ka rezultate dhe flet për vendosje standardesh në sistem, si për punën e gjyqtarëve, ashtu edhe atë të prokurorëve.

I pyetur lidhur me ecurinë e trajtimit të ankesave, sidomos atyre të mbartura, z. Metani tha se synimi i ILD-së është që fondi i trashëguar prej 2104 ankesash të përfundojë së trajtuari në muajt e parë të vitit 2023, pasi po punohet me ritëm të lartë, duke u përpjekur për të mos lënë pas dore edhe ankesat e mbërritura direkt në ILD. Megjithë rritjen e numrit të inspektorëve, nga 8 në 12, burimet e inspektimit nuk janë të mjaftueshme për trajtimin në kohë të fluksit të ankesave dhe kjo sjell me të drejtë pakënaqësi nga ankuesit, por është një situatë që ILD e ka bërë prezent, e po përpiqet të bëjë më të mirën e vet, në mënyrë që asnjë ankesë ndaj një gjyqtari apo prokurori të mbetet pa u trajtuar, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët ankues.

“Problemi i inspektorëve është akoma ekzistent në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për më tepër që kjo Zyrë, unë mendoj që ka nevojë për inspektorë magjistratë gjyqtarë, të cilët e njohin sistemin e drejtësisë më nga brenda dhe mund të prodhojnë analiza më të plota dhe profesionale, për të ndihmuar rritjen e performancës së sistemit gjyqësor. Numri i ankesave në total përveç atyre të mbartura, sot që flasim është mbi 5000 ankesa. Unë e kuptoj padyshim, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ka kaluar afatet që parashikon ligji për trajtimin e ankesave, sidomos për pjesën e të mbarturave sepse po flasim për ankesat që vijnë nga viti 2017, por për të mos ja lënë koincidencës trajtimin e ankesave është miratuar një medotologji, që trajton prioritizimin e trajtimit të ankesave. Që do të thotë, prioritet i janë dhënë ankesave të vjetra, e padyshim ankesave që vijnë tani, duhet të presin kohën e tyre, deri sa të trajtohen ankesat që kanë qenë më parë në këtë institucion, sepse e tillë është radha logjike e punës. Për më tepër është edhe një radhë ligjore sepse afati për të cilin duhet, apo brenda të cilit duhet ta trajtojë ankesën Inspektori i lartë i Drejtësisë është 5 vjet, edhe unë nuk do doja që një ankesë të parashkruhej në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Do doja që çdo qytetar, secili të marrë përgjigjen që i takon sipas ligjit.”

I pyetur nëse numri në rritje i procedimeve ndaj magjistratëve të inicuara nga ILD, ka sjellë përmirësime në sistem, z.Metani tha se në punën e vet institucioni gjithmonë ka parasysh gjetjen e balancës mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit legjitim të publikut për mënyrën sesi administrohet drejtësia. Pavarësia e magjistratëve është garanci për vetë qytetarët së pari.

“Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është, doja ta theksoja këtë, nuk është një mburojë, që ne e përdorim për të mbrojtur punët e pista të gjyqtarëve dhe prokurorëve apo më keq të mbrojmë paaftësinë tonë nëse ka. Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një garanci, që është më shumë për qytetarët. Sa më i pavarur që është një gjyqtar dhe prokuror sot, aq më i mbrojtur është qytetari nesër, që  gjyqtari dhe prokurori të mos ketë frikë as nga pushteti politik, as nga Inspektori i lartë i drejtësisë, nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë do abuzonte me detyrën e tij. Ne do t’i krijojmë gjyqtarëve dhe prokurorëve sot, frymën që puna e tyre është e pavarur, vendimmarrja e tyre është e pavarur, por është e monitorueshme nga pikëpamja kushtetuese. Sot nuk mund të procedohet një gjyqtar, nëse shoqëria apo sistemi politik nuk bie dakord me vendimmarrjen dhe me mënyrën se si e ka zgjidhur çështjen gjyqtari. Për këtë Kushtetuta ka krijuar mekanizma, që thotë nëse nuk je i kënaqur me një vendim gjyqësor do të shkosh në gjykatën e apelit, nëse nuk je i kënaqur me apelin do shkosh në Gjykatën e Lartë. Nëse ka pretendime për shkelje disiplinore të gjyqtarëve, pra për sjellje të gabuar të gjyqtarëve atëherë ka një institucion, siç është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Çdo ankesë duhet të paraqitet me shkrim. Pse duhet të paraqitet me shkrim? Jo thjesht se njerëzit duhet të shkruajnë atë që kanë nevojë të shkruajnë për gjyqtarët dhe prokurorët, apo edhe mediat apo institucionet publike, por është e rëndësishme të kuptojmë mekanizmin ligjor, se si funksionon ankesa. Nëse një qytetar sot, një media sot, një institucion publik sot, sjell një ankesë tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe pas vendimmarrjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është i kënaqur me vendimmarrjen, atëherë çdokujt i lind e drejta, që këtë vendimmarrje të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ta ankimojë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë apo në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Nga ana tjetër nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka një ankesë me shkrim, por e nis një verifikim në diskrecionin e vet, e mbyll nesër, apo ka një vendimmarrje të caktuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë këtë vendimmarrje, nuk ka të drejtë askusht t’ia ankimojë. Unë nuk dua t’i jap këtij institucioni mundësinë, që nesër të jetë i pakontrollueshëm. Unë do të doja që çdo punë që ky institucion bën, çdo vendimmarrje që ky institucion bën, ky staf bën, të jetë i kontrollueshëm ashtu siç e parashikon kushtetuta dhe ligji, për këtë arsye unë këmbëgul dhe insistoj fort, që çdo ankesë të vijë me shkrim. Padyshim që media ka rolin e vet në trajtimin e situatave që kanë rëndësi për publikun, por e rëndësishme për mua, është që ne duhet të funksionojmë në mënyrën si e ka parashikuar kushtetuta dhe ligji sistemin e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “   

I pyetur se si i shikon deklaratat publike, edhe nga kreu i SPAK për presione e  shantazhe ndaj aktorëve të sistemit të drejtësisë, z. Metani tha se në këndvështrimin e tij sistemi gjyqësor nuk mund të ketë sukses, nëse nuk mbështetet, nëse nuk i krijohet mjedis demokratik, pasi nuk mund të ketë demokraci pa pavarësi të pushtetit gjyqësor dhe nuk mund të ketë pavarësi të sistemit gjyqësor, në qoftë se nuk ka demokraci. Nuk mund të shkojnë të dyja anash dhe larg njëra- tjetrës, pasi të dyja ndihmojnë një proces shumë të rëndësishëm, që është kushtetutshmëria e sjelljes politike në vend.

“Ka 5 vite që janë krijuar institucionet e reja të sistemit të drejtësisë dhe po prodhojnë sipas mendimit tim disa rezultate dhe ne duhet ta ushqejmë këtë punë, sepse tek e fundit prandaj e ngritëm këtë sistem të ri, nëse ne çdo ditë dalim dhe kritikojmë, edhe kur themi kritikojmë tej kufijve kushtetues të kritikës, atëherë cili është mesazhi dhe imazhi që japim për këto institucione të reja të drejtësisë, edhe si duam ne të funksionojnë duke i sharë tërë kohës, duke intimiduar gjithë kohën,  padyshim që nuk funksionon kështu, padyshim që nuk mund të ketë sukses kështu. Kjo shkon jo thjesht për pjesën politike, por edhe për pjesën mediatike edhe për pjesën shoqërore, sepse sistemi gjyqësor i përket gjithë shoqërisë, dhe i përket gjithë shoqërisë sot dhe në të ardhmen. Debati duhet bërë në mënyrë të kujdesshme, jo për ruajtjen apo krijimin e disa zgjidhjeve sot, për situata që ne na përplasin me sisteminin gjyqësor. Ne duhet të mendojmë që çdo zgjidhje, çdo kritikë apo çdo propozim që japim për punën e sistemit gjyqësor, duhet ta mendojmë për vitet që vijnë, duhet ta mendojmë si strategji afatgjatë, duhet ta mendojmë në mënyrë parimore. Vetëm kështu do të kemi sukses me reformën dhe sistemin gjyqësor që prodhon drejtësi. Nëse ne mundohemi të zgjidhim situatat e sotme me një zgjidhje të sotme, pa e parë me synim afatgjatë një rast, atëherë ne nuk kemi bërë asgjë, vetëm zgjasim agoninë e zhvillimit tonë.”, tha z. Metani.

Artur Metani per afatet e ankesave

Artur Metani per pavaresine e magjistrateve

Artur Metani per presionet ndaj magjistrateve