FJALA E PLOTË E Z. METANI NË TRYEZËN PËR DITËN KOMBËTARË TË DREJTËSISË

Elbasan, më 10 Maj 2023

Përshëndetje të gjithëve,

Është kënaqësi e veçantë të jem këtu sot me ju dhe dua të falënderoj përzemërsisht organizatorët, sepse Dita Kombëtare e Drejtësisë nuk është vetëm në Tiranë, pasi drejtësia është një temë mbi të cilën është e interesuar dhe duhet reflektuar nga e gjithë shoqëria, jo vetëm institucionet në Tiranë.

Reforma në drejtësi erdhi si nevojë për adresimin e një sërë nevojash dhe problematikash, që paraqiste sistemi i drejtësisë, procedura të gjata, hallka që zgjasnin procedurat gjyqësore në mënyrë të panevojshme, probleme të integritetit profesional, etik dhe moral të gjyqtarëve dhe prokurorëve, çështje të pavarësisë, por edhe të “korporatizmit” të tyre, të evidentuara në shumë raste, etj. Të gjitha këto çështje u adresuan nga reforma në drejtësi dhe sot sistemi ka një arkitekturë tërësisht të re të organizimit të vet. Por në këndvështrimin tim, kjo reformë krijoi edhe bazamentin për të ndërtuar një filozofi të qëndrueshme dhe afatgjatë për drejtimin e shtetit dhe të shoqërisë, mbështetur në një kolonë shumë të rëndësishme, siç është ajo e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Kjo është e rëndësishme të theksohet sipas meje, sepse të gjithë mund të biem dakord, që të operohet sipas këtij parimi, por pyetjet që lindin më pas, lidhen me mënyrën se si duhen ushtruar kompetencat ligjore pikërisht mbi atë parim, pasi mendimet dhe interpretimet janë të tjera nga qytetarët, e krejt të ndryshme nga specialistët.

E mbështetur tek parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, reforma në drejtësi ka nevojë që sot ta transmetojë tek qytetarët, tek shoqëria, rëndësinë e zbatimit të këtij parimi. Jo si një mjet për t’iu shmangur përgjegjësive, por si i vetmi standard, që na garanton të ardhmen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Unë jam i ndërgjegjshëm, që qytetarët me të drejtë kanë pritshmëri dhe janë të lodhur me pritjet në dyert e gjykatave, sot dhe 30 vjet. Ndoshta edhe shoqëria e ka gati të pamundur të përballojë gjendjen e sistemit të drejtësisë sot. Por jam i bindur, se e vetmja mënyrë për të pasur një sistem drejtësie efikas nesër, është që zgjidhjet që japim sot, të zhvishen nga interesi i çastit apo momenti politik. Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk është një parim për të mbrojtur shkeljet e ligjit, që ata mund të kryejnë, apo pretekst për të anashkaluar përgjegjësinë e tyre ligjore. Aspak! Por, nëse një gjyqtar ose prokuror vihet para përgjegjësisë sot, sepse shoqëria nuk është dakord me vendimin e tij, apo se shoqëria nuk orientohet tek institucionet, të cilat Kushtetuta dhe ligji ka ngritur enkas, pikërisht për trajtimin e pakënaqësive ndaj sistemit gjyqësor, apo më keq akoma, sepse pushtete të tjera duan të përfitojnë nga pamundësia ligjore e reagimit publik të gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë nuk ka reformë që të ketë sukses, por vetëm zgjatje e  agonisë tonë, në përpjekjet për zhvillim.

Nga ana tjetër, mendoj se ky parim i ndarjes së pushteteve nuk mund të ketë sukses, dhe më pas as vetë reforma në drejtësi nuk ka për të patur sukses, nëse ne nuk e kultivojmë drejtësinë si një vlerë shoqërore, nuk e kultivojmë ndarjen e pushteteve, si një sistem që garanton paanësi dhe qetësi. Drejtësia nuk mund të jetë statistikë. Ajo duhet të jetë standard. Gjyqtarët dhe prokurorët vijnë nga kjo shoqëri, që së bashku po përpiqemi të konsolidojmë, me standarde. Pra, edhe magjistratët reflektojnë patjetër të mirat dhe të këqijat e shoqërisë sonë, karakterin dhe problemet tona. Për këtë arsye, mendoj unë, që drejtësia nuk mund të jetë thjesht numra gjyqtarësh dhe prokurorësh të shkarkuar e proceduar, por vetëm standardesh të kultivuara dhe të vendosura për të ardhmen. Dhe për këtë, reforma nuk është një betejë vetëm e institucioneve të drejtësisë. Padyshim që ato kanë rolin dhe përgjegjësinë më të madhe. Por ajo është përgjegjësi morale e të gjithëve ne, edhe e institucioneve të tjera, e politikës, medias, shoqërisë në përgjithësi, që të kultivojmë sensin e së drejtës dhe të ndarjes së punëve, në një shtet demokratik. Pa patetizëm, kështu mendoj, se secili në hapësirën e vet, i kemi bërë shërbimin më të madh këtij vendi.

Ju faleminderit!