ILD në RESIJ

RESIJ, Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë është krijuar në Paris, në Mars 2017, si një iniciativë e Francës, në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë të Këshillit të Evropës (CEPEJ) dhe përfaqësuesve nga Belgjika, Republika Çeke, Franca, Italia, Lituania, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Britania e Madhe. 

Synimi ishte gjetja e modaliteteve, se si shërbimet kombëtare të inspektimit të drejtësisë të mund të kontribuonin në mënyrë më aktive, në zhvillimin uniform të zonës gjyqësore evropiane të sanksionuar, që nga Traktati i Amsterdamit deri tek Traktati i Romës.

Pavarësisht dallimeve institucionale dhe funksionale, si lidhja e shërbimeve të inspektimit me Ministrinë e Drejtësisë a Këshillin Gjyqësor, pjesëmarrësit konverguan tek e përbashkëta themelore, që bashkon sistemet e ndryshme të inspektimit, që është pavarësia e nevojshme në ushtrimin e misioneve të tyre.

Në dritën e këtij vëzhgimi, pjesëmarrësit diskutuan me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe CEPEJ, mbi rolin që shërbimet kombëtare të inspektimit të grupuar në një Rrjet, mund të luajnë në vlerësimin e efektivitetit dhe cilësisë së drejtësisë në nivel evropian dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dhe trajnime të përbashkëta në shkallë evropiane.
Në takimin themelues të Rrjetit u propozua gjithashtu zhvillimi i programeve të përbashkëta të trajnimit dhe shkëmbimit për inspektorët e drejtësisë midis vendeve, angazhimi i shërbimeve të inspektimit për të kontribuar në vlerësimin e efektivitetit dhe cilësisë së drejtësisë në nivel evropian dhe në veçanti të instrumenteve evropiane, asistencës juridike civile dhe penale.

Në Dhjetor 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë (ILD) u pranua me statusin e vendit vëzhgues në gjirin e këtij Rrjeti, që përbëhej nga Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Rumania.

Prej 19 Tetorit 2023, anëtarët e Rrjetit vendosën të pranonin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, si anëtar me të drejta të plota. 

Që prej Dhjetorit 2021, ILD është angazhuar aktivisht në cdo aktivitet të RESIJ, si në vendet anëtare ashtu edhe jashtë Unionit.

Si Pranohen Ankesat

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pas marrjes së ankesës brenda 5 ditëve nga marrja konfirmon me shkresë marrjen e saj.  Pasi është konfirmuar marrja e ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka afat 3 tre muaj nga marrja e saj t’a shqyrtojë duke filluar kontrollin.  Kontrolli siguron që ankesa plotëson kushtet që ka vendosur ligji për të qenë e pranueshme.  Kontrolli i pranueshmërisë,  ka të bëjë me:

  • Mënyrë e paraqitjes, pra nëse ankesa është e paraqitur me shkrim;
  • Të dhënat si emri, mbiemri dhe adresa juaj;
  • Përshkrimin e fakteve dhe rrethanave për të cilat ankoheni;
  • Emrin, mbiemrin e gjyqtarit apo prokurorit, bashkë me gjykatën apo prokurorinë ku ka ushtruar funksionin në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti ndaj të cilit ankoheni;
  • faktet kanë ndodhur pas 5 viteve nga koha kur ka ndodhur fakti apo rrethana e pretenduar.
  • në përmbajtje nuk ka elemente abuzive, nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues;
  • sjelljen e magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti për të cilën ankoheni;
  • sjelljen së magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi në kohë kur shkelja e pretenduar ka ndodhur;
  • sjelljen e magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji.

Vetëm pasi plotësohen të gjitha këto kushte, ankesa pranohet dhe vijohet me procedurat e verifikimit të pretendimeve të ngritura në ankesë.  Nëse njëri ose më shumë kritere nuk plotësohet, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nxjerr vendimin për arkivimin e ankesës.  Ju do të njoftoheni për vendimin e arkivimit të ankesës dhe për të drejtën tuaj për t’u ankuar, ku mund të ankoheni  ndaj vendimit bashkë me afatin brenda të cilit mund të ankoheni.