FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË ARTUR METANI ME TEMË “PAVARËSIA DHE PAANËSIA E GJYQTARËVE” NË GJEDNJ

Diskutimi im në këtë panel të nderuar pjesëmarrësish ka për qëllim të ngrejë paraprakisht disa teza, me qëllim provokimin e mendimit, pse jo dhe debatit, të cilat në këndvështrimin tim janë konceptuale dhe sistemike lidhur me një sërë çështjesh të cilat kanë të bëjnë pavarësinë, paanësinë apo llogaridhënien e magjistratëve.

Pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave është një nga parimet themelore të shtetit demokratik. Pavarësia është një parakusht i sundimit të ligjit. Si e tillë, pavarësia e gjyqësorit mbështet shtetin e së drejtës dhe është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërsa vendet në tranzicion nga autoritarizmi në demokraci duhet të përballen me një “ndikim” agresiv të pushtetit ekzekutiv apo atij legjislativ ndaj pushtetit gjyqësor, kërkimi dhe aplikimi i mekanizmave të nevojshme për të mbrojtur pavarësinë e sistemit gjyqësor, mbetet ende sfidë, edhe në vendet me demokraci të zhvilluar.

Ekziston një prirje e rëndësishme për të siguruar pavarësinë e pushtetit gjyqësor me rrugë të garancive formale dhe procedurave fikse. Edhe pse është e rëndësishme të pranojmë, që sistemet gjyqësore në vende të ndryshme kanë pasur evoluim apo rrugëtime të ndryshme të konsolidimit të tyre, funksionet që kryejnë, mënyra e ushtrimit të këtyre funksioneve, organizimet strukturale, si dhe një sërë konceptesh, të cilat kanë të bëjnë me “pavarësinë substanciale”, apo “pavarësinë strukturore” janë çështje dhe sfida të përbashkëta të të gjitha vendeve. Megjithatë është i diskutueshëm fakti, nëse duhet të aplikohet një standard ndërkombëtar uniform.

Ekzistojnë  një sërë aktesh juridike me karakter ndërkombëtar të cilat synojnë të garantojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, si Neni 14 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i Konventës Amerikane mbi të Drejtat e Njeriut,  Neni 26 i Kartës Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve, si dhe një sërë aktesh juridike (soft law), me karakter rekomandues apo opinione.

Këto të parime apo të drejta janë ligjërisht të detyrueshme për shtet palë, të cilët marrin pjesë në këto akte me karakter ndërkombëtar. Megjithatë, shtetet priren të përshtatin dhe të ndryshojnë mënyrën e zbatimit të tyre. Kjo nuk është për të mohuar vlefshmërinë e këtyre parimeve apo të drejtave, por për të theksuar se mënyra e aplikimit të tyre, në një vend të caktuar përkon me kontekstin historik, social, politik apo ligjor të atij vendi.  

Në këtë kontekst, edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nëpërmjet jurisprudencës së saj, i ka lënë hapësirë vlerësimi shteteve anëtare, si të organizojnë pushtetin gjyqësor për sa kohë kjo formë organizmi dhe funksionimi ofron garancitë formale, që mbrojë magjistratët nga ndërhyrjet në procese gjyqësore (Belilos v. Switzerland,; Campbell and Fell v. The United Kingdom; Sramek v. Austria,; Ninn-Hansen v. Denmark; Filippini v. San Marino,). Ndonëse nocioni i ndarjes së pushteteve ka marrë një rëndësi përherë e më të madhe në jurisprudencën e GJEDNJ, përsëri  normat e Konventës por edhe jurisprudenca e GJEDNJ, nuk i detyron shtetet, që të përshtaten me nocione strikte të karakterit teorik kushtetues, lidhur mënyrën e zgjedhur apo ndërveprimin midis organeve të pushtetit. Çështja qëndron  nëse  kanë përmbushur ose jo kërkesat e Konventës, sipas interpretimit autonom të nocioneve të nenit 6 të K.E.D.NJ. (Henryk Urban e Ryszard Urban k. Polonisë, § 46).

Në mënyrë për të shqyrtuar më afër çështjet e pavarësisë duhet të referohemi dhe të konsiderojmë gjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Campbell dhe Fell v Mbretërisë së Bashkuar dhe Incal v Turqisë, apo Findlay k. Mbretërisë së Bashkuar, ku Gjykata sanksionojë kërkesat e “pavarësisë”, në të cilat përfshihen: (i) mënyra e emërimit të gjykatësve; (ii) kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve të tij; (iii) ekzistenca e një mbrojtjeje kundër trysnive të jashtme, (iv) nëse duket apo jo i pavarur nga pamja e jashtme.

Në të njëjtën kohë, GJEDNJ nëpërmjet jurisprudencës së saj ka elaboruar një sërë çështjesh, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e paanësisë së gjykatës, në kuadër të një procesi të rregullt ligjor, sipas kërkesave të nenit 6 të KEDNJ.  

Pavarësia e gjyqësorit ka dy komponentë realë të saj që janë: paanshmëria dhe pavarësia e gjyqtarit dhe e gjykatës. Parimi i paanshmërisë nënkupton mungesën e paragjykimeve nga gjyqtarët, në lidhje me çështjen e shtruar përpara tyre dhe që ata të mos veprojnë në mënyrë të tillë, që të ndihmojnë interesat e njërës prej palëve. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të shprehur. E drejta për t‘u gjykuar përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme të caktuar me ligj, kërkon që drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo gjithashtu duhet të shikohet që bëhet. Respektimi i parimit të paanshmërisë duhet të verifikohet duke aplikuar testin subjektiv, që ka të bëjë me verifikimin e bindjes apo interesit personal të një gjyqtari në një çështje të caktuar dhe testin objektiv, me të cilin shqyrtohet nëse gjyqtari ka ofruar garanci procedurale të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim (Kyprianou k. Qipros; Micallef k. Maltës; Piersack k. Belgjikës; Grieves k. Mbretërisë së Bashkuar; Auschildt k. Danimarkës).

Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve është mospërgjegjësia për vendimet që japin sipas bindjes së tyre, mbështetur në ligj. Megjithatë, pasoja e pushtetit dhe besimi që shoqëria i jep magjistratëve është e tillë, që duhet të ketë disa mënyra për t‘i mbajtur përgjegjës, përfshi edhe largimin nga detyra, në rast të shkeljeve, që justifikojnë këtë veprim. Duhet pranuar, se rritja e kompetencës dhe pavarësisë së magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.

Për këtë qëllim, është e nevojshme që organet e qeverisjes së gjyqësorit të kenë një qasje aktive ndaj sistemit llogaridhënës të magjistratëve duke aplikuar qasje të reja, të cilat konsistojnë në aplikimin në mënyrë të kombinuar e standardeve të përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë së tyre. Kur i referohemi konceptit të “përgjegjshmërisë së magjistratëve ”, duhet të mbajmë në konsideratë faktin, se ky koncept është i ndryshëm nga ai i “përgjegjësisë” së tyre, koncepte të cilat, të dyja bashkë përbëjnë sistemin “llogaridhënës”, të magjistratëve.

Sistemi llogaridhënës i magjistratëve nuk duhet të keqpërdoret nga ana e organeve të tjera të pushtetit, me qëllim kontrollin dhe cenimin pavarësisë gjyqësore. Sistemi llogaridhënës duhet të udhëhiqet pikësëpari nga nocioni i përgjegjshmërisë së magjistratëve, si një mekanizëm parandalues dhe që siguron ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.

Kjo  duhet të realizohet nëpërmjet aplikimit të politikave apo masave të cilat synojnë: (i) rekrutimin apo përzgjedhjen e magjistratëve mbi bazë të meritave; (ii) kualifikimin profesional të tyre; (iii) palëvizmërinë nga detyra; (iv) pavarësinë substanciale; (v) pavarësinë strukturore dhe financiare; (v) imunitetin dhe integritetin fizik; (vi) ushtrimin e një kontrolli nga ana e gjykatave më larta në  bazë të parimeve të pavarësisë së brendshme të magjistratëve, si dhe ushtrimi i një kontrolli jo formal ndërmjet jurisprudencës ndërkombëtare apo doktrinës juridike. 

Në rast se këto mjete nuk rezultojnë efektive, atëherë në raste përjashtimore, si dhe në varësi të rrethanave të caktuara mund të aplikohen masat mbi përgjegjësinë  penale,  civile apo disiplinore të tyre, si dhe gjithmonë në kuadër të një procesi të rregullt ligjor.

Kjo sepse pavarësia nuk është privilegj, por është përgjegjësi. Në rastin konkret duhet të ekzistojë një proces i vazhdueshëm i balancimit të pavarësisë dhe llogaridhënies. Këto procese  duhet të karakterizohen nga veprimi dhe kundër reagimi në të njëjtën kohë. Sa më shumë kompetenca të zotërojë pushteti gjyqësor, aq më të larta duhet të jenë kërkesat për llogaridhënie.

Procesi llogaridhënës përbën në vetvete një marrëdhënie (dhënie llogarie) ndërmjet individëve. Në këtë kuadër, një magjistrat nuk duhet të jetë përgjegjës vetëm respektimin apo jo të normave ligjore, por edhe ndaj njerëzve, shoqërisë si dhe organeve të pushtetit shtetëror. Duke ndikuar kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Besimi i publikut nuk është nocion i papërkufizuar, por ai gjen mbështetje te vlerat themelore dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes së magjistratëve. Nëse magjistratët nuk e përmbushin plotësisht rolin e tyre për dhënien e sigurimin e drejtësisë në shoqëri ekziston rreziku i humbjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Besimi i publikut dhe respekti për gjyqësorin janë garanci të demokracisë dhe stabilitetit në një shoqëri demokratike.

Niveli i besueshmërisë së qytetarëve në organet e drejtësisë është element mjaft i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Për të ndërtuar besueshmëri patjetër duhet siguruar një kulturë llogaridhënie e sistemit të drejtësisë. Në demokraci drejtësia jepet në emër të qytetarëve. Besimi i publikut është i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe ky legjitimim kërkon angazhimin e magjistratëve për të ruajtur këtë besim. Në këtë kuadër, vlen të theksohet se pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk duhet të shihet si një privilegj i magjistratëve, por si një e drejtë e qytetarëve.

Niveli i besueshmërisë së qytetarëve në gjyqësor është një tregues i rëndësishëm për të vlerësuar se si funksionon sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit në një vend. Në të njëjtën kohë, besimi i publikut  shërben si tregues i rëndësishëm mbi balancën që duhet të ekzistojë ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies së pushtetit gjyqësor. Në rastet kur besimi i publikut është i ulët, atëherë tregon se pavarësia e magjistratëve ka prevaluar mbi sistemin llogaridhënës, ndërsa në rast se besimi i publikut është i lartë, atëherë ky është një tregues i qartë mbi ekzistencën e një ekuilibri të drejtë ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies.

Megjithatë, në mbyllje të kësaj fjale më duhet të theksoj se garantimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor kërkon kohë dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme. Ndërsa ndërtimi i institucioneve është një aspekt i sundimit të ligjit, suksesi i tij varet përfundimisht nga vullneti politik, mentaliteti dhe stadi i zhvillimit të shoqërisë së një vendi.

Pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk mund të garantohet nëse nga ana e një shoqërie apo sistemi politik nuk ka vullnet për krijimin e një fryme stabiliteti dhe demokracie.  Pavarësia e pushtetit gjyqësor kërkon përfundimisht një kontekst dhe mentalitet jo autoritar. Përfundimi se “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore”  mund të jetë zhgënjyes në pamje të parë, por ky përfundim argumenton qartë se demokracia dhe sundimi i ligjit janë të lidhura bashkë.  

Pavarësia e pushtetit gjyqësor mund të shoqërohet me ndryshime strukturore, institucionale dhe ligjore, por ajo mund të ketë sukses vetëm kur shoqëria e një vendi të ketë besim në legjitimin e pushtetit gjyqësor dhe të tregojë një përkushtim real ndaj këtij standardi. Edhe pse aktorët ndërkombëtarë mund të luajnë një rol mbështetës në këtë proces zhvillimi ata nuk mund të kompensojnë mungesën e iniciativës së brendshme së një vendi.

Mënyra se si garantohet pavarësia e gjyqësorit varet nga kultura gjyqësore e një vendi, e cila pasqyron përvojat e tij të veçanta historike, në raport me rrethanat politike apo sociale. Masat e veçanta të cilat janë miratuar apo përshtatur në një vend të caktuar me qëllim sigurimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të cilat mund të ketë të bëjnë me rekrutimin dhe karrierën e magjistratëve, qëndrimin në detyrë apo mandatin, imunitetin, pagat, përgjegjësinë disiplinore, civile apo penale, pavarësinë substanciale apo strukturore, trajnimin apo sigurinë fizike, nuk janë domosdoshmërisht një tregues i garantimit të standardit të pavarësisë së gjyqësorit, pasi këto masa mund të aplikohen dhe të japin rezultate të ndryshme në varësi të kontestit ligjor, politik dhe social të çdo vendi.

Procesi i sigurimit të pavarësisë dhe paanësisë së magjistratëve është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm. Sigurimi i kësaj pavarësie kërkon një nevojë të vazhdueshme për t’iu përgjigjur sfidave për identifikimin e mekanizmave të rinj të mbrojtjes së këtij standardi. Çdo model mbi ndërtimin dhe aplikimin e standardit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor është i ndryshëm dhe duhet kuptuar si rezultat i zhvillimeve të ndryshme historike në një vend të caktuar. Ky qëllim arrihet nëpërmjet një procesi ndryshimi, i cili duhet t`i përgjigjet kërkesave publike dhe sfidave të reja nëpërmjet modifikimit gradual të traditave të një vendi.

Faleminderit!