Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani bashkëbisedoi me gazetarin Xhevahir Zhabina, i Euroneës Albania mbi ecurinë e punës së institucionit, që mbush dy vite jetë më 1 Shkurt të këtij viti. I pyetur për vështirësitë në këtë rrugëtim, z. Metani tha se pas dy vitesh, edhe pse ende ka, vështirësitë duhen lënë pas, pasi fokusi tashmë duhet të jetë tek ngritja e performancës së institucionit, ndërsa për punët e mira që mund të jenë bërë në ILD, duhet ta gjykojnë të tjerët.
“Nuk do doja të ndalesha tek vështirësitë sepse në fund fare, qytetarëve nuk u interesojnë më vështirësitë që kemi në ngritjen e institucioneve. U interesojnë standardet, u intereson produkti ynë, u intereson puna jonë. Ne duhet të fokusohemi tek standardet dhe rritja e performancës për t’iu përgjigjur interesave të qytetarëve dhe shoqërisë për rritjen e performacës së sistemit të drejtësisë në përgjithësi.”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Duke folur për punën në shifra të ILD-së, një proces që është transparent në faqen zyrtare të institucionit, z.Metani sqaroi metodologjinë e përcaktuar të trajtimit të mbi 4300 kërkesave të depozituara në ILD, për të shmangur kalimin e afateve ligjore të shyrtimit të tyre.
“Janë mbi 4300 ankesa të ardhura deri tani dhe në këtë shifër, përfshihet numri i ardhur nga momenti që është krijuar institucioni, por edhe numri i ankesave të vjetra, të trashëguara nga ish KLD, nga Ministria e Drejtësisë, nga KLP, KLGJ, nga Prokurori i Përgjithshëm. Në këtë periudhë pune janë trajtuar rreth 1600 ankesa nga ky grup i madh, e në këtë numër prej 1600 ankesash përfshihen ankesat e reja dhe ankesat e vjetra. Ka një urdhër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, metodik, për të vlerësuar mënyrën se si do trajtohen ankesat e vjetra e të reja, pra që të mos jetë preferenciale tërheqja e ankesave, por të jetë në bazë të kritereve të përcaktuara me rregull dhe të paravendosura, duke u bazuar në ligj e barazinë e palëve. Në këto 1600 ankesa të trajtuara ne kemi rreth 140 ankesa që janë në proces verifikimi, 40 janë në proces hetimi dhe 22 janë procedime disiplinore, që janë dërguar në Këshilla, në Këshillin e Lartë Gjyqësor e Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilat kanë përfunduar procedurialisht, përvec 2 apo 3 që i kemi në proces pune me Këshillat.”, sqaroi z. Metani.
I pyetur nëse kjo shifër mund të perceptohet si e ulët, Inspektori i Lartë i Drejtësisë shpjegoi natyrën dhe procedurën e një hetimi disiplinor, që nga mënyra sesi kryhet kontrolli, tek koha ligjore që merr një hetim, nga 6-9 muaj.
“Nuk është një kontroll klasik i punës së gjykatave e prokurorive, sepse ai kontroll klasik bëhet nga vetë sistemi, nga vetë gjykatat më të larta apo prokuroritë më të larta. Së dyti, procesi që ndjek Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një proces i parashikuar në ligj dhe me afatet e veta, që do të thotë minimalisht, hetimi për një rast apo shkelje është 6 muaj. Në varësi të kompleksitetit të cështjes mund të shkojë edhe në 9 muaj. Cështjet janë komplekse. Pra mund të vijë ankesë për një magjistrat, por problematika mund të lidhë disa magjistratë, disa cështje. Jo cdo ankesë që vjen është brenda natyrës dhe objektit të punës që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka. Të gjitha këto përbëjnë një kompleksitet arsyesh, për të cilat në syrin e publikut mund të mos duket një numër i i lartë, numri 22 i procedimeve disiplinore, por në këndvështrimin profesional, unë mendoj që është një numër i konsiderueshëm, sepse tek e fundit fare, rëndësi ka standardi që vendoset ndërmjet këtyre procedimeve disiplinore dhe jo numri. Pra 22 procedime disiplinore do të thotë që janë vendosur 22 standarde pune nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor e Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që kanë miratuar kërkesat që ka bërë Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Dhe këto janë standarde pune për të gjithë magjistratët e tjerë, që efektivisht apo natyrisht e llogjikisht të cojnë në mendimin, se standardet e punës do përmirësohen në të ardhmen. Të paktën për këto 22 procedime disiplinore dhe kështu vazhdon puna cdo ditë.”, tha z.Metani.
INTERVISTA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË, Z. ARTUR METANI PËR EURONEWS ALBANIA
Gazetari Xhevahir Zhabina: Z. Metani shumë faleminderit për mundësinë e bashkëbisedimit. Dy vite pas fillimit/ngritjes së ILD-së, si do ta konsideronit punën e institucionit që drejtoni?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: U bënë dy vite nga momenti, që unë jam zgjedhur në detyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Janë dy vite pune intensive për ngritjen e institucionit në cdo pikëpamje, në cdo dimension, të infrastrukturës fizike, të infrastrukturës njerëzore, të infrastrukturës nënligjore, të standardeve të punës, të praktikave të para të punës, e kështu me rradhë. Por tashmë nuk është më koha për të evidentuar vështirësi, edhe pse institucioni ka kaluar të tilla. Si të gjitha institucionet e reja të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, u përball me vështirësi të shumta në procesin e ngritjes. Por këto janë vështirësi e momente që i përkasin të shkuarës, e tani ne fokusohemi në sfidat, tek ngritja e standardeve, ngritja e performancës së institucionit.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Cilat janë vështirësitë e ndeshura gjatë kësaj periudhe dhe punët e mira që keni bërë?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Nuk do doja të ndalesha tek vështirësitë sepse në fund fare, qytetarëve nuk u interesojnë më vështirësitë që kemi në ngritjen e institucioneve. U interesojnë standardet, u intereson produkti ynë, u intereson puna jonë dhe për këtë arsye unë e thashë edhe më parë, që këto janë momente që i përkasin të kaluarës. Ne duhet të fokusohemi tek standardet dhe rritja e performancës për t’iu përgjigjur interesave të qytetarëve dhe shoqërisë për rritjen e performacës së sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Natyrisht edhe për punët e mira që mund të jenë bërë në institucion, nuk do doja të isha unë ai, që ta bëja këtë analizë. Do të doja që institucione të tjera, qoftë edhe media ta bëjë këtë analizë, për të parë sesi ka qenë ecuria e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e institucioneve të tjera ndoshta. Për këtë arsye ne kemi filluar një bashkëpunim shumë të ngushtë me organizata të shoqërisë civile, të cilat unë i konsideroj një mekanizëm shumë i fortë monitorues i punës, që ne bëjmë dhe do doja, që nëse do kishte një rezultat vlerësimi apo problematikë, që del për punën e institucionit tonë, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të dilte nga këto lloj institucionesh apo organizatash.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Sa i takon shifrave, cilat janë ato të dhëna që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka në dy vite? Pra sa dosje janë, sa ankesa ka, sa janë trajtuar prej jush, të cilat ju i keni edhe në faqen zyrtare.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Të dhënat janë edhe në faqen tonë të internetit. Në kuptimin e ngushtë apo përshkrimor të fjalës janë mbi 4300 ankesa të ardhura deri tani dhe në këtë shifër, përfshihet numri i ardhur nga momenti që është krijuar institucioni, por edhe numri i ankesave të vjetra, të trashëguara nga ish KLD, nga Ministria e Drejtësisë, nga KLP, KLGJ, nga Prokurori i Përgjithshëm. Në këtë periudhë pune janë trajtuar rreth 1600 ankesa nga ky grup i madh, e në këtë numër prej 1600 ankesash përfshihen ankesat e reja dhe ankesat e vjetra. Ka një urdhër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, metodik, për të vlerësuar mënyrën se si do trajtohen ankesat e vjetra e të reja, pra që të mos jetë preferenciale tërheqja e ankesave, por të jetë në bazë të kritereve të përcaktuara me rregull dhe të paravendosura, duke u bazuar në ligj e barazinë e palëve. Në këto 1600 ankesa të trajtuara ne kemi rreth 140 ankesa që janë në proces verifikimi, 40 janë në proces hetimi dhe 22 janë procedime disiplinore, që janë dërguar në Këshilla, në Këshillin e Lartë Gjyqësor e Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilat kanë përfunduar procedurialisht, përvec 2 apo 3 që i kemi në proces pune me Këshillat.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Në fakt, kur e shikon shifrën 22, mund të duken vetëm 22 dhe dikush mendon se janë ndoshta pak. Në këndvështrimin tuaj si kryeinspektor që ndiqni procesin hetimor, a është kjo një shifër e vogël?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Jo! Përgjigja e shkurtër është “jo”. E para duke patur parasysh natyrën e punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që është një natyrë e kontrollit të jashtëm të punës së gjykatave e prokurorive. Nuk është një kontroll klasik i punës së gjykatave e prokurorive, sepse ai kontroll klasik bëhet nga vetë sistemi, nga vetë gjykatat më të larta apo prokuroritë më të larta. Së dyti, procesi që ndjek Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një proces i parashikuar në ligj dhe me afatet e veta, që do të thotë minimalisht, hetimi për një rast apo shkelje është 6 muaj. Në varësi të kompleksitetit të cështjes mund të shkojë edhe në 9 muaj. Cështjet janë komplekse. Pra mund të vijë ankesë për një magjistrat, por problematika mund të lidhë disa magjistratë, disa cështje. Jo cdo ankesë që vjen është brenda natyrës dhe objektit të punës që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka. Të gjitha këto përbëjnë një kompleksitet arsyesh, për të cilat në syrin e publikut mund të mos duket një numër i i lartë, numri 22 i procedimeve disiplinore, por në këndvështrimin profesional, unë mendoj që është një numër i konsiderueshëm, sepse tek e fundit fare, rëndësi ka standardi që vendoset ndërmjet këtyre procedimeve disiplinore dhe jo numri. Pra 22 procedime disiplinore do të thotë që janë vendosur 22 standarde pune nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor e Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që kanë miratuar kërkesat që ka bërë Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Dhe këto janë standarde pune për të gjithë magjistratët e tjerë, që efektivisht apo natyrisht e llogjikisht të cojnë në mendimin, se standardet e punës do përmirësohen në të ardhmen. Të paktën për këto 22 procedime disiplinore dhe kështu vazhdon puna cdo ditë.
Gazetari Xhevahir Zhabina: A është e plotësuar ILD-ja më të gjithë organigramën? Sa inspektorë ushtrojnë detyrën aktualisht?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Një nga shqetësimet që ne kemi patur, që nga momenti i parë i ngritjes dhe sot është mungesa e inspektorëve magjistratë. Ligji parashikon, që inspektorët që punojnë në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të jenë gjysma magjistratë, pra inspektorë gjyqtarë e prokurorë dhe gjysma jo magjistratë, pra juristë me 15 vite eksperiencë pune. Organika e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë parashikon një numër prej 26 inspektorësh, që do të thotë se 13 prej tyre duhet të jenë magjistratë dhe 13 të tjerë duhet të jenë jo magjistratë. Sot efektivisht në punë kemi 8 inspektorë, 4 jo magjistratë dhe 4 magjistratë, nga të cilët 3 prokurorë dhe një gjyqtar, i trashëguar nga ish Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Unë e vlerësoj që është shumë e rëndësishme, që grupi i magjistratëve të pasurohet dhe të ketë patjetër magjistratë gjyqtarë, sepse është një forcë e rëndësishme, edhe për shkak të profilit të punës që ata kanë, për monitorimin e inspektimin e punës së magjistratëve në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Janë shpallur 6 apo 7 herë thirrjet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për magjistratë gjyqtarë dhe nuk ka pasur asnjë interesim, zero aplikime nga magjistratë gjyqtarë. Arsyet mund të jenë shumë, por fakti është ky, që nuk ka aplikime për inspektorë magjistratë gjyqtarë.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Cfarë vështirësie sjell kjo për funksionimin e ILD-së?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: E para është që organika nuk është e plotë. Që do të thotë, se numri i ankesave që do duhet të trajtojnë Inspektorët është shumë më i lartë se c’duhej ta kishin. E dyta, më e rëndësishme, është që sado themelore të jetë për punën apo për sistemin ankesa që vjen nga qytetarët, për shumë arsye, puna e rëndësishme që duhet të prodhojë ky institucion janë inspektimet tematike dhe institucionale dhe inspektimet tematike dhe institucionale duhet të bëhen nga magjistratë që vijnë nga brenda sistemit, që e njohin sistemin mirë, që prodhojnë analiza juridike dhe për shkak të natyrës së punës që kanë, magjistratët gjyqtarë janë më të prirur për të qenë më produktivë në këto inspektike tematike dhe institucionale. Për këtë arsye unë i bëj thirrje cdo magjistrati gjyqtar, edhe pse e kuptoj që mund të jetë një thirrje ndoshta, që për shumë arsye mund të duket në ajër, sepse ne kemi gjykata pa gjyqtarë sot. Në cdo rast është një shërbim, që duhet t’ia ofrojmë qytetarëve, duhet t’ia ofrojmë vendit.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Nëse një gjyqtar vendos të bëhet pjesë e ILD-së cilat janë përfitimet? Pra pse një gjyqtar apo prokuror duhet të jetë pjesë e ILD-së?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Kjo është një pyetje interesante, sepse në fakt në një moment të caktuar, edhe unë kisha menduar që të bënim një fushatë për përthithjen e magjistratëve gjyqtarë, që të jenë pjesë e ILD-së. Por më vonë e vlerësuam që nuk ishte mënyra e duhur sepse kjo është një punë, për të cilën ligji i ka parashikuar përfitimet, pra nëse një magjistrat gjyqtar vjen këtu. Ka statusin e gjyqtarit të Apelit, paga e kështu me rradhë. Padyshim kjo është e rëndësishme për karrierën e gjyqtarit, por mendoj se është e rëndësishme edhe institucioni ku punohet, pra standardet që ne duam të vendosim në sistemin e drejtësisë, që kemi krijuar tashmë. Dhe këto standarde është momenti për t’i krijuar tani. Eshtë një punë, që është edhe motivuese profesionalisht sepse të vendosësh standarde për të monitoruar punën e gjyqtarëve e prokurorëve nuk është një punë e lehtë, nuk është një gjë e lehtë. Eshtë një standard që kërkon njohuri shumë të thella profesionale, kërkon njohuri shumë të thella kushtetuese, por kërkon njohuri shumë të gjera edhe nga praktika ndërkombëtare, përsa i përket punës që bëhet për monitorimin e punës së gjyqtarëve e prokurorëve, për të balancuar atë që unë kam thënë gjithmonë, është e rëndësishme të balancohet pavarësia e prokurorëve e gjyqtarëve me interesin publik për administrimin e drejtësisë. Dhe gjetja e kësaj balance nuk është në mënyrë absolute e thjeshtë. Eshtë shumë delikate sepse po flasim për pavarësi gjyqtarësh e prokurorësh, jo si një mburojë për paudhësitë e tyre, por si një garanci që u ofrohet qytetarëve të thjeshtë, që nesër nëse ata do të ishin në një proces gjyqësor me organe shtetërore apo me grupe interesi më të mëdha sesa vetë ata, gjyqtari i pavarur ka më shumë garanci, që t’u ofrojë atyre një vendim gjyqësor të pavarur.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Dhe një pyetje e fundit z. Metani, a ju ka penguar afati 5 vjecar i parashkrimit që të hetoni ashtu sic duhet?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Këtu ka një numër ankesash të trashëguara nga ish Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo edhe nga institucione të tjera të mëparshme, që kanë trajtuar ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtu kemi ankesa edhe nga viti 2012 dhe padyshim që afati 5 vjecar ka kaluar. Ne jemi munduar përmes atij urdhëri, të nxjerrë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që të gjitha ankesat, edhe pse janë të vjetra dhe mund të jenë brenda afatit të parashkrimit, të mundohemi t’i trajtojmë me prioritet, që të mos u kalojë afati i parashkrimit pa e marrë përgjigjen qytetari për shkeljen që ai ka pretenduar, se është bërë nga gjyqtari apo prokurori. Jo gjithmonë është e lehtë, për të mos thënë është e vështirë, por po mundohemi që cdokujt t’i japim përgjigjen në kohë, cdokujt t’i japim përgjigjen, që ne mendojmë se është në përputhje me ligjin dhe jemi transparentë edhe me vendimmarrjen tonë sepse e vemë në dijeni qytetarin, që cdo vendim i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është i ankimueshëm pranë Këshillave përkatës. Pra nëse qytetari ka një ankesë ndaj një magjistrati gjyqtar dhe nuk është i kënaqur me përgjigjen që merr nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për arkivimin e cështjes, atëherë këtë vendim të ILD-së qytetari është i lirë ta ankimojë në Këshillin e Lartë Gjyqësor për rastin magjistrat gjyqtar apo në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për rastin e magjistratit prokuror, sic edhe po ndodh aktualisht.
Gazetari Xhevahir Zhabina: Shumë faleminderit!
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Faleminderit ju!