Tiranë, më 8 shkurt 2020
Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani ka zhvilluar një konferencë për shtyp me gazetarët, si komunikimi i parë prezantues me median, pak ditë nga marrja e detyrës dhe ngritja e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë komunikimit me gazetarët z. Metani ka evidentuar se ILD është një institucion kushtetues i pavarur, që ka për detyrë verifikimin e veprimtarisë së gjyqtarëve e prokurorëve të të gjitha niveleve.
“Dua të siguroj opinionin publik se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet, që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit, që cënojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e funksionit në përputhje me ligjin. Jam i ndërgjegjshëm se për shkak të mungesës së inspektimit për një kohë të gjatë, mua dhe ILD-së na pret një volum dhe një problematikë e lartë pune, ashtu siç janë dhe pritshmëritë.”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Prioriteti i parë i ILD-së, krahas ngritjes së institucionit nga e para do të jetë shqyrtimi i lirimeve me kusht, një çështje debati publik që z. Metani e renditi në krye të listës së punëve të institucionit.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë, krahas veprimeve të mësipërme, në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese, por edhe duke mbajtur në konsideratë debatin dhe shqetësimin publik lidhur me një seri çështjesh, por veçanërisht lidhur me vendimmarrjet për lirimin para kohe me kusht, do t’i japë prioritet inspektimit në këtë drejtim… rëndësi për mua ka fenomeni, edhe pse mund të ketë dhe emra të tjerë veç atyre që janë bërë publikë, mua më shqetëson fakti që është një fenomen, që ka ndodhur në disa gjykata, kështu që inspektimi i parë do të jetë tematik, për të evidentuar ku po ndodh ky fenomen.”, u shpreh z. Metani.
Konferenca e plotë për shtyp e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
z. Artur Metani
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Përshëndetje! Ju falënderoj për interesimin dhe vlerësimin e këtij komunikimi të parë me ju dhe padyshim është i kuptueshëm ky interesim, pasi ka filluar të marrë jetë, institucioni i rëndësishëm në strukturën e organeve të drejtësisë, ai i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ky është një institucion i ri, kushtetues dhe i pavarur. Misioni i këtij institucioni është të verifikojë veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të administratës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë. Funksionet e inspektimit nuk janë të reja, pra nuk lindin sot me këtë institucion, janë funksione që kanë ekzistuar dhe më parë me inspektoratet e mëparshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo të Prokurorisë së Përgjithshme, por mënyra e organizimit të këtij institucioni dhe filozofia e re e këtij institucioni, e bën atë të ndryshme nga inspektimet e mëparshme.
Kushtetuta ka krijuar një institucion të ri, totalisht të pavarur nga organi i gjyqësorit apo nga organet politike; pra është i pavarur nga pushteti ekzekutiv, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe kjo sigurisht i jep një dimension tjetër profilit të këtij institucioni.
Sot kemi një institucion të ri dhe për këtë shkak, ai nuk ka trashëguar nga e kaluara as personel, as rregullime ligjore apo nënligjore dhe as funksione të tjera. Për këtë arsye, ky institucion po fillon të ngrihet nga e para.
Kam ndarë këtë komunikim sot edhe për mediat edhe për efekt të transparencës, por edhe të ndaj me ju, punët e para që ky institucion ka bërë në ditët pas zgjedhjes dhe betimit si Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Që në fillim jam marrë me kryerjen e procedurave për ngritjen e institucionit, regjistrimin sipas ligjit në institucionet përkatëse, kam miratuar një strukturë provizore me përshkrimet e punës përkatëse për të gjithë vendet që ka struktura, kam kontaktuar dhe kam komunikuar me të gjitha institucionet, me të cilat ILD do të bashkëpunojë në të ardhmen, për të diskutuar rrugët dhe idetë e bashkëpunimit për ta bërë sa më shpejt funksional Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. I falenderoj padyshim të gjitha institucionet, që më kanë mirëpritur dhe kanë diskutuar me mua për këtë çështje.
Së dyti, sot do lançojmë dhe hapjen apo çeljen e faqes zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ku është e rëndësishme të theksoj, se aty do të shpallen edhe vendet vakante, që ILD po hap sot. Janë rreth 27 vende vakante, janë 6 inspektorë jomagjistratë dhe 5 ndihmësinspektorë me kriteret përkatëse dhe i bëj thirrje të gjithë juristëve, magjistratë apo jo, që kanë dëshirë të kontribuojnë në formimin e mëtejshëm të organeve të sistemit të drejtësisë, të aplikojnë dhe garantoj që çdo aplikim i tyre, çdo shprehje interesi i tyre do të vlerësohet me kujdesin dhe objektivitetin maksimal dhe dëshira e tyre do vlerësohet plotësisht.
Së treti, dua të siguroj opinionin publik se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet, që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit, që cënojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e funksionit në përputhje me ligjin. Jam i ndërgjegjshëm se për shkak të mungesës së inspektimit për një kohë të gjatë, mua dhe ILD-së na pret një volum dhe një problematikë e lartë pune, ashtu siç janë dhe pritshmëritë.
Konkretisht, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do t’i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore 2017-2020 pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu në ILD nga data 1 shkurt 2020, datë që fillon veprimtaria e këtij institucioni, kanë filluar të vijnë ankesat e para nga persona juridikë apo fizikë. Evidentimi i këtyre ankesave kërkon një analizë të plotë me qëllimin e shqyrtimit paraprak, përsa i përket kritereve të pranueshmërisë, si dhe trajtimin e mëtejshëm të tyre, nëse është e nevojshme kryerja e verifikimeve shtesë apo fillimi i hetimit disiplinor.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë brenda kapaciteteve që zotëron aktualisht, po planifikon dhe po merr një plan masash afatshkurtër lidhur me problematikat e konstatuara nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, apo e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në raport me përmbushjen e detyrave funksionale të zyrës së ILD-së, si edhe identifikimin e çështjeve për të cilat kërkohet një inspektim tematik, apo institucional.
Në të njëjtën kohë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, krahas veprimeve të mësipërme, në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese, por edhe duke mbajtur në konsideratë debatin dhe shqetësimin publik lidhur me një seri çështjesh, por veçanërisht lidhur me vendimmarrjet për lirimin para kohe me kusht, do t’i japë prioritet inspektimit në këtë drejtim.
Në vazhdimësi, në varësi të historisë së plotësimit të institucionit me organikën e nevojshme, veprimtaria e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do të shtrihet në tërësi dhe në zbatim të të gjithave funksioneve ligjore dhe kushtetuese të këtij institucioni. Ju faleminderit dhe jam i hapur për pyetje.
Pyetja 1: Lidhur me akuzat publike ndaj jush, se jeni vëllai i ish ministres së qeverisë Rama. Sa ju pengon ky fakt në ushtrimin e detyrës dhe së dyti cilat janë çështjet që do të shqyrtoni, që me nisjen e punës, pikërisht me lirimin me kusht, sepse disa nga rastet sikurse është bërë publike tashmë, janë raste shumë të rënda, por ka edhe raste te tjera të cilat mund të mos jenë të njohura për opinionin publik?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Në lidhje me pyetjen e parë, unë vlerësoj se koha është treguesi më i mirë për gjithçka dhe gjyqtari më i mirë i të gjithëve ne.
Në lidhje me pyetjen e dytë, vlerësoj që të shmangemi nga emrat, rëndësi për mua ka fenomeni, edhe pse mund të ketë dhe emra të tjerë veç atyre që janë bërë publikë, mua më shqetëson fakti që është një fenomen, që ka ndodhur në disa gjykata, kështu që inspektimi i parë do të jetë tematik, për të evidentuar ku po ndodh ky fenomen, më pas duke respektuar standardet e hetimit, do bëj publike edhe rastet, ku do ndërhyhet dhe si do ndërhyhet.
Pyetja 2: Zoti Metani, drejtësia po sulmohet dhe kritikohet ditëve të fundit përsa i përket lirimit me kusht, për një sërë vendimesh qofshin ato civile apo penale. Që prej ditës kur ju keni marrë detyrën, sa e zezë është drejtësia aktualisht, sa nga ato 900 ankesa që përmendët janë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Në këtë numër ankesash sigurisht duhet evidentuar dhe ky është procesi që do të analizojmë tashmë, se sa janë për gjyqtarë, sa për prokurorë, sa qëndrojnë sa jo, sa janë brenda afateve dhe sa jashtë tyre, në fakt do të shikohet në tërësi i gjithë grupi i ankesave që vjen. Nëse drejtësia është e zezë apo e bardhë, ky është një vlerësim politik në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, është një vlerësim që mund ta bëjnë të gjithë. Sa më takon mua, nuk kam detyrë të bëj vlerësime, kam detyrë të monitoroj çdo vendim gjykate apo prokurorie, që nga ky moment dhe kështu do të bëj për të ushtruar detyrën time, që më ka ngarkuar Kuvendi dhe besoj edhe opinioni publik.
Pyetja 3: Për cilësinë e punës së drejtësisë ka shumë studime dhe monitorime të opinionit publik dhe ekziston në publik një perceptim shumë i madh për korrupsionin. Që të thuash e bardhë apo e zezë nuk është politike, qytetarët thonë se korrupsioni në drejtësi është shumë i lartë. Cila do të jetë pjesë e kontributit tuaj për ta përmirësuar gjendjen, duke e njohur së pari korrupsionin dhe gjendjen aktuale pra sipas jush si është gjendja?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Detyrat e mia janë të përcaktuara në Kushtetutë, në ligj, dhe unë do t’i përmbahem rigorozisht atyre. Vlerësimet personale apo diskrecionale janë gjëra që nuk i takojnë këtij institucioni. Unë do të zbatoj atë që kam detyrë dhe që më kanë ngarkuar dhe këtë do ta bëj që sot.
Pyetja 4: Zoti Metani, në 900 ankesat që janë depozituar deri më tani pranë ILD-së, nëse ju keni arritur brenda kaq pak kohe t’i studioni, cilat janë shqetësimet kryesore që po sjellin qytetarët, në raport me gjyqtarët dhe prokurorët?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Sigurisht, është një numër i madh dhe po të kisha patur sukses t’i evidentoja të gjitha në pak ditë, do të ishte shumë mirë, por në aq pak sa kam parë, shqetësimet janë të të gjitha fushave; penale, civile, tregtare, administrative, janë çështje që prekin pak qytetarë ndoshta, por fenomeni është shqetësues dhe unë do i marr të gjitha me prioritet. Thashë prioriteti për mua, për momentin është ai që përmenda më sipër, fenomeni i lirimit të parakohshëm me kusht.
Pyetja 5: Në totalin e 900 ankesave që prisni të shqyrtoni, duhet të ketë patjetër ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndëshkuar nga procesi i Vettingut; si do të operohet me këto ankesa, do të pushohen apo do të studiohen?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Të gjitha do të jenë pjesë e verifikimit dhe më pas e hetimit, nëse vlerësohet se do të shkojë drejt hetimit. Unë i kam kërkuar edhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që janë organet e Vetting, që të më evidentojnë edhe vendimet e tyre, në të cilat, sipas tyre, kanë evidentuar shkelje disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do marr në shqyrtim edhe ato lloj vendimesh, të cilat këto organe i kanë referuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, apo në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Si do të ecim, do të jetë një komunikim shumë transparent i këtij institucioni me median, ju siguroj që do të jem gjithmonë këtu, për të ndarë atë që mund të ndaj për punën time.
Pyetja 6: Si do t’i keni prioritet lirimet e parakohshme, kur ndodh ky fenomen, në çfarë kushtesh dhe ndaj kujt me aq sa keni vërejtur apo marrë dhe nga raportimet mediatike?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Edhe njëherë, do të doja të shmangesha nga emrat konkretë dhe rasteve konkrete, sepse nuk është qëllimi dhe po u fokusove në rast konkret, sigurisht do të bësh gabim. Rëndësi ka të fokusohemi tek fenomeni dhe çfarë del nga fenomeni është një çështje që do të jetë punë e inspektorëve dhe inspektimit dhe do e bëj publike në momentin, që do jetë gati për t’u shprehur publikisht.
Pyetja 7: Zoti Metani, Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet përsa i përket statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili normalisht ul fuqinë dhe mbrojtjen ligjore, përsa u përket këtyre të fundit ndërsa rrit kompetencat e institucionit tuaj derisa i jep fuqinë në një farë grade sa të bëjë edhe kontrollin për pastërtinë e figurës dhe aftësive profesionale. Si i komentoni këto ndryshime?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Nuk janë vetëm këto ndryshime, më i rëndësishëm është ndryshimi që ka të bëjë me pezullimin, ishte një vakum i krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Unë mendoj se ndërhyrja ishte e nevojshme, për mua ka rëndësi që ndërhyrja të jetë funksionale dhe të bëhet real qëllimi për të cilin po bëhet kjo ndërhyrje. Ky është komenti im.
Pyetja 8: Cili do të jetë pozicioni i ILD-së lidhur me aksionin të paketës Anti-KÇK që ka nisur tashmë prej disa ditësh, ku përfshihen dhe prokurorët dhe gjyqtarët?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Atëherë, akti normativ për goditjen e pasurive që lidhen nga krimi, apo ato që quhen Anti-KÇK, nuk ka lidhje me punën time si Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Puna ime lidhet me ato ndërhyrje që janë bërë në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mendimi është ai që thashë. Faleminderit!