Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka pritur në një takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë z. Peter Zingraf.
Z. Metani e falenderoi ambasadorin gjerman për mbështetjen e madhe të Gjermanisë në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe e njohu me sfidat dhe objektivat e institucionit më të ri kushtetues, në zbatimin e reformës në drejtësi.
Ambasadori Zingraf ka përgëzuar z. Metani për detyrën e re e me shumë përgjegjësi dhe ofroi mbështetje në punën e tij për rritjen e profesionalizmit e pavarësisë së gjyqësorit shqiptar.
“Me emërimin e tij u vendos një tjetër komponent i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të kontribuojë me punën e tij në integritetin, profesionalitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. Një sistem disiplinimi dhe inspektimi funksional dhe i pavarur, që shoqëron procesin e Vetingut – edhe më pas – do të jetë një element vendimtar për të siguruar në mënyrë afatgjatë besimin e popullsisë në një sistem drejtësie me integritet”, ka shkruar pas takimit ambasadori gjerman në faqen Facebook të ambasadës gjermane.