METANI: SFIDA E INSTITUCIONIT TË RI TË ILD-SË ËSHTË NGRITJA E THEMELEVE TË FORTA TË INSTITUCIONIT TË DREJTËSISË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dha një intervistë për gazetarin Endri Xhafo në ABC News. Inspektori i Lartë i Drejtësisë foli për vizionin e tij mbi institucionin që drejton, me verifikimin e ankesave ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Nga verifikimi, tek hetimi e deri tek procedimi disiplinor, z. Metani evidentoi synimin për një ndryshim rrënjësor të konceptit të inspektimit për të unifikuar standardet më të mira të drejtësisë për të gjithë.

“Eshtë një sfidë e re, është një institucion i ri me standard të ri kushtetues, me standard të ri ligjor dhe me praktika të reja. Sigurisht inspektimi ka ekzistuar përpara, por ka qenë i ndarë në tre institucione: KLD, ministria e drejtësisë dhe prokurori i përgjithshëm. Tani të gjitha këto janë mbledhur në një institucion të pavarur, pra nuk kanë më varësi nga asnjë institucion, as politik sic është ekzekutivi!”, tha z. Metani. Të gjitha këto janë rrugë të pashkelura sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që kanë nevojë të shtrohen me standarde, të shtrohen me parime, të shtrohen jo duke iu nënshtruar vullnetit të castit, apo subjektivizmave të castit apo nxehtësisë së debatit të momentit, por duke i parë gjërat me një vizion afatgjatë, duke i parë cështjet në parim të tyre dhe në themel të ruajtjes së një balance të rëndësishme të tyre.

Inspetori i Lartë i Drejtësisë tha se pas verifikimit, ka nisur hetimi për disa prokurorë e gjyqtarë.

“Inspektimi nuk duhet parë si një cekan ndaj prokurorëve e gjyqtarëve. Padyshim ata që kanë bërë shkelje duhet të kenë frikë sot e gjithë ditën, por e rëndësishme është gjetja e balancës së duhur mes interesit publik për të monitoruar e parë administrimin e drejtësisë nga gjyqtarët e prokurorët, me ndarjen e pushteteve, edhe me atë që është pavarësia e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. “, tha z. Metani.

Intervista e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhënë gazetarit Endri Xhafo.