Fjala e Inspektorit të lartë të drejtësisë Artur Metani në aktivitetin “Praktika e GJEDNJ mbi çështjet disiplinore të magjistratëve”.
Të nderuar pjesëmarrës !
Së pari: dua të shpreh mirënjohjen time si dhe të falënderoj Misionin Euralius në cilësinë e organizatorit për zhvillimin e këtij aktiviteti. Personalisht, e konsideroj mjaft të gjetur dhe të dobishme që perfaqesues të institucioneve të reja të drejtësisë, përgjegjëse për çështjet disiplinore të magjistratëve, të mblidhen dhe të diskutojnë, ndajnë ide apo analizojnë jurisprudencën e Gjykatës Europiane në këtë drejtim. Megjithëse vendimet e GJEDNJ-së nuk kanë efekt erga omnes, çdo shtet duhet të mbajë parasysh vendimet e marra kundrejt vendeve të tjera, sidomos vendimet parimore, me qëllim që të parandalojë gjetjet e mundshme të shkeljeve që merren kundër atij vetë. Analiza e garancive që rrjedhin prej kësaj jurisprudencë në konteksin shqiptar luan një rol të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë, lidhur me:
- koordinim e veprimtarisë institucionale të organeve të përfshira në procedimin disiplinor si ILD, KLGJ apo KLP;
- rritjen e kapaciteteve të stafit të tyre lidhur me vlerat orientuese të jurisprudencës së GJEDNJ-së;
- aplikimin e një qasjeje uniforme në interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të reja ligjore në kuadër të procedimit disiplinor;
- sigurimin e një zbatimi sa më efektiv dhe real në praktikë të standardeve të GJEDNj-së.
Së dyti: Edhe pse ndoshta nuk ju them diçka të panjohur për ju, do të dëshiroja të evidentoja faktin se procedimi disiplinor duhet t`i shërbejë dhe është në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së magjistratëve dhe nuk mund të përdoret në mënyrë abuzive si një mjet për të cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.
Procedimi disiplinor duhet të zhvillohet në ekuilibër, midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve.
Bazuar në standardet ndërkombëtare, Ligji Nr. 96/2016 “Për Statusin” përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve. Procedimi disiplinor udhëhiqet nga parimi i procesit të rregullt, parimi i ligjshmërisë, parimi i inicimit të një procesi nga çdo institucion shtetëror ose nëpunës, parimi i barazisë para ligjit, parimi i prezumimit të pafajësisë dhe vlerësimit të dyshimit, parimi in dubio pro reo, parimi i proporcionalitetit, parimi i pavarësisë dhe paanësisë së institucioneve disiplinore dhe respektimi për pavarësinë e magjistratëve, parimi për drejtësi të hapur, parimi i konfidencialitetit dhe të drejtën e jetës private.
Duke marrë shkas nga eksperienca ime e mëparshme profesionale, në cilësinë e Agjentit Qeveritar nëpërmjet ushtrimit të funksionit të përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë pranë GJEDNJ-së kam pasur mundësi të jem një zbatues i mirëfilltë i KEDNj-së:
- nëpërmjet aplikimit të standardeve të Gjykatës dhe praktikës gjyqësore në veprimtarinë e përditshme të institucioneve shtetërore shqiptare;
- analizimit dhe mbikëqyrjes së procesit së përputhshmërisë së legjislacionit dhe praktikave administrative të këtyre institucioneve me standardet e përcaktuara në KEDNJ.
Në kuadër të kësaj eksperience, mendoj se niveli i respektimit të të drejtave të njeriut është i lidhur me kulturën politike, juridike, zhvillimin ekonomik apo shoqëror të një vendi edhe pse në nivelin juridiko-formal mund të jenë palë e të njëjtave konventa dhe akteve ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e akteve legjislative hartohen në bazë dhe në përputhje të standardeve të KEDNJ-së dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, por sfida që shtetet përballen, ashtu si dhe ne, është të sigurojmë një zbatim sa më efektiv dhe real në praktikë.
Në këtë kuadër, edhe zbatimi i shume aspekteve te reformës në drejtësi padyshim ka nevojë për përballjen apo përafrimin e tyre me standardet e demokracive të zhvilluara. Mendoj se jemi të tërë në të njëjtën mendje, se puna për forcimin e një sistemi drejtësie të paanshëm dhe të pavarur është një sfide e përbashkët e institucioneve tona. Ndihma jonë, nëpërmjet ushtrimit dhe zbatimit të standardeve demokratike në çështjet disiplinore te magjistratëve do të reflektohet padyshim në rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë dhe do të bëjë që ky sistem mos jetë një çështje e keqpërdorur.
Në këtë aspekt, unë e vlerësoj në mënyre të posaçme organzimin e ketij takimi dhe mendoj dhe inkurajoj që të zhvillohen në të ardhmen edhe aktivitete të tjerë të cilat kanë për qëllim edukimin, trajnimin, ndërgjegjësimin apo koordinimin e punës ndërmjet institucioneve me synim që të aftësojnë individët me njohuri, si dhe të zhvillojnë qëndrime dhe sjellje lidhur me standardet dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së.
Ju falënderoj për vëmendjen!