INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË FINALIZON PLANIN STRATEGJIK DHE PLANIN E VEPRIMIT DY VJEÇAR TË PUNËS

Në një takim tematik dy ditor, stafi i ILD-së diskutoi dhe finalizoi Planin Strategjik dhe Planin e Veprimit për zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për periudhën 2020-2021.

“Qëllimi kryesor i këtij dokumenti që po diskutojmë është finalizimi i një Plani Strategjik dhe Plani Veprimi për vitin 2020-2021 për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim organizmin dhe funksionimin e Institucionit tonë, në harmoni me të gjithë procesin e planifikimit strategjik të vendit, si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, agjenda e integrimit evropian, metodat e planifikimit të programit buxhetor afatmesëm; ndihmën e huaj, si dhe harmonizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së punës së këtij institucioni të ri, më organet e tjera të sistemimit të drejtësisë.”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani në fjalën hyrëse në nisje të aktivitetit.

Dokumenti strategjik, produkt i një pune 2 mujore nga grupi i punës i ngritur në ILD, u diskutua nga drejtues dhe përfaqësues të drejtorisë së përgjithshme të çështjeve dhe shërbimeve juridike, drejtorisë së analizës ligjore e hartimit të akteve, drejtorisë së shërbimeve juridike, sektorit të buxhetit e financës, arkiv-protokollit, njësisë së ndihmës inspektorëve dhe anëtarëve të kabinetit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në këtë dokument janë përcaktuar objektivat strategjikë për dy vitet e ardhshme të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në disa drejtime kryesore, të cilat reflektojnë vizionin, misionin, vlerat si dhe objektivat strategjikë të Institucionit. Çdo objektiv strategjik i synuar ndërlidhet me masa/aktivitete për zbatimin e tij, shoqëruar me një metodologji e mirëfilltë monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e zbatimit të aktiviteteve të parashikuara.

Plani Strategjik dhe Plani i Veprimit për zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (2020-2021) do t’i nënshtrohet një procesi konsultimi me organizata vendase e të huaja të fushës, për të marrë një opinion sa më gjithëpërfshirës edhe jashtë ILD-së.