INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË TAKON BASHKËDREJTUESIT E FONDACIONIT SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ZHVILLIM

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z.Artur Metani priti në takim bashkëdrejtuesit ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, si dhe menaxheren e projektit LEAD Albania, znj. Elvana Kurti.

Duke vlerësuar rolin e Fondacionit ndër vite në zhvillimin e një shoqërie demokratike, por edhe ekonomie tregu të qëndrueshme në Shqipëri, Inspektori i Lartë i Drejtësisë prezantoi fokusin e punës dhe vizionin e institucionit, në drejtim të krijimit të një kulture pavarësie, profesionalizmi dhe efektiviteti në tërësinë e korpusit të magjistratëve në Shqipëri.

z. Mata dhe z. Sarapuli paraqitën eksperiencën e projekteve të AADF dhe mundësitë e bashkëpunimit me zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për forcim kapacitetesh profesionale, përmes programeve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ide që u mirëpritën nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.