METANI: INSPEKTORËT GJYQTARË JANË TË DOMOSDOSHËM NË PUNËN E ILD-SË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani dha një intervistë për gazetarët Prec Zogaj e Lorenc Vangjeli në emisionin “Java” në RTSH, mbi vitin e parë të punës së institucionit që drejton.

“ILD është një institucion i ri, me kompetenca më të forta për hir të së vërtetës dhe më të konsoliduara e më të unifikuara, por krijimi i këtij institucioni me standarde demokratike, sipas shtetit të së drejtës është një sfidë, jo thjesht për Artur Metanin apo për zyrën e ILD-së, por është një sfidë e të tërë aktorëve dhe e sistemit. Kjo pasi sjellja apo veprimtaria e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është me efekte në sistem dhe bashkëpunimi mes institucioneve, për ta bërë institucionin ILD dhe institucionet e tjera të drejtësisë të funksionojnë plotësisht është i vetmi mekanizëm për ta bërë reformën të suksesshme.”

Ndër sfidat gjatë vitit të parë të punës, z. Metani vecoi pasjen e vetëm një inspektori-magjistrat në dispozicion, kur zyra e ILD-së ka funksion organik hetimin e procedimin disiplinor përmes inspektorëve me profil gjyqtarë e prokurorë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se interesi i ulët për aplikime, në nivelin zero nga rradhët e gjyqtarëve, lidhet me nivelin e lartë të kritereve të kërkuara, 13 vjet eksperiencë, po aq sa nevojiten për të kandiduar për anëtar në Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, z.Metani shpjegoi propozimin e bërë për uljen e këtij kufiri, pra që kandidatët për inspektorë të kenë kriteret që kërkohen për një gjykatë apeli, 7 vjet, në mënyrë që të rritet grupi i njerëzve që do përzgjidhen. “Unë mendoj se gjyqtarët duhet të jenë pjesë shumë e rëndësishme e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, së pari për punën e balancës mes inspektorëve magjistratë me ata jo magjistratë sepse duhet të vijnë edhe njerëz nga sistemi për të ruajtur paavarësinë e bindjes së brendshme të vendimmarrjes, që një gjyqtar e ndjen më shumë, se një person që nuk është në sistem. Për këtë arsye unë e këmbëngul në këto ndryshime ligjore sepse dua që zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të ketë inspektorë gjyqtarë.”, tha z. Metani

“Mungesën e burimeve njerëzore jemi munduar ta balancojmë me shumë punë,- u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë, – dhe unë jam krenar për rezultatet që kemi arritur, pasi vec punës me numrin e lartë të ankesave të ardhura nga qytetarë e institucione, kemi 6 procedime të magjistratëve para këshillave (KLP e KLGJ), institucioni ka punuar edhe për ngritjen e infrastrukturës ligjore të tij. Ka punuar për hartimin e strategjisë e planit të veprimit, pra se ku do shkojë institucioni në dy vitet në vijim. Një strategji e hartuar në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile, edhe me konsultimin e publikut, edhe me partnerët që asistojnë drejtësinë në Shqipëri. Jam krenar për punën e bërë nga ky institucion në pak muaj, duke hequr muajt e pandemisë me kufizimet e tyre, në kushtet e mungesës së burimeve njerëzore. Sepse tek e fundit nuk do fokusohemi tek mangësitë, sepse mendoj se më e rëndësishme për publikun është zbatimi i detyrës që kemi në bazë të kushtetutës e ligjit dhe besimit që na është dhënë.”

I pyetur për premtimin e bërë në nisje të detyrës për shqyrtimin e rasteve të lirimit të të dënuarve me burgim të përjetshëm, z. Metani tha se përvec rasteve të magjistratëve të proceduar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë gjatë këtij viti, inspektimi tematik vijon dhe në rast konstatimi të një paligjshmërie apo shkeljeje disiplinore, ILD ndërhyn sipas kompetencave që i jep ligji.

“Më parë fola për pavarësinë e gjyqtarëve dhe sigurisht që ILD nuk mund të konsiderohet si cekan në kokën e gjyqtarëve, por nga ana tjetër, asnjë gjyqtar që ka kryer, do kryejë apo mendon të kryeje shkelje të nivelit disiplinor, pra të kompetencës që institucioni im përfaqëson, nuk do shkojë pa u ndëshkuar. Ka marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë. Sigurisht shkelje mund të kryhen, me apo pa dashje. Janë gjëra që secili i bën llogaritë vetë. Sa i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ne jemi në monitorim edhe pse me burime njerëzore të kufizuara. Cdo gjë është e monitorueshme dhe do ecim sipas kompetencave dhe afateve që na parashikon ligji.”

I pyetur nëse reforma në drejtësi ka ngushtuar ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u shpreh i bindur për këtë efekt. “Absolutisht po! Jam i bindur kur them “po!”, sepse kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi, që institucionet në procesin e vendimmarrjes së tyre të kenë ndikim të paligjshëm, politik apo cdo lloj tjetër.”

“Reforma në Drejtësi është një nga gjërat më të rëndësishme që ka ndodhur në këtë vend 30 vitet e fundit, sipas gjykimit tim. Duke pasur parasysh se SHBA dhe BE janë partnerët strategjikë të Shqipërisë, dhe reforma në drejtësi mori mbështetje në cdo pikëpamje prej tyre, gjë që u reflektua edhe me miratimin në kuvend me 140 vota të deputetëve, do të thotë që edhe për shoqërinë është prioritet madhor reforma në drejtësi dhe zbatimi, efikasiteti e rezultati i saj.”

Sipas z. Metani sfidë tani është zbatimi i kompetencave të cdo institucioni të dalë nga reforma, por edhe bashkëpunimi mes institucioneve, për t’i bërë këto institucione funksionale sepse ligji është aty dhe kushtetuta është aty. “Suksesi apo dështimi i një institucioni të drejtësisë varet nga të tëra institucionet e drejtësisë. Për të patur sukses reforma duhet të bashkëpunojmë. Personalisht unë dua që kur të iki, të më mbarojë mandati të iki me mendimin që u mundova dhe bëra dicka për këtë vend, vura tullën time në murin e madh të zhvillimit të Shqipërisë.”