INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË ARTUR METANI MIRËPRET INSPEKTORËT E RINJ

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti sot 8 Inspektorë të rinj, që bëhen pjesë e stafit të zyrës së ILD-së.

Janë 4 Inspektorë magjistratë-prokurorë të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe 4 Inspektorë jo magjistratë, pjesë e procesit të rekrutimit nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që i bashkohen të vetmes Inspektore magjistrate, që ILD ka patur gjatë këtij vitit të parë të ekzistencës së vet.

Gjatë bashkëbisedimit me Inspektorët e rinj, z. Metani shprehu kënaqësinë, që ekipi i Inspektorëve nis të plotësohet, një domosdoshmëri kjo, nisur edhe nga numri i lartë i ankesave të marra gjatë këtij viti ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, por edhe të trashëguara nga institucionet e tjera.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizoi nevojën që Zyra e ILD-së, të ketë në përbërje edhe Inspektorë magjistratë gjyqtarë, si pjesë e procesit të punës por edhe balancës mes inspektorëve magjistratë me ata jo magjistratë.