METANI: ILD PO MONITORON LIRIMET PARA KOHE ME KUSHT. SECILI TË BËJË LLOGARITË E VETA TANI

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani bashkëbisedoi me gazetarin Eni Ferhati në Euronews Albania mbi ndalimin nga SPAK të një magjistrateje në procedim disiplinor nga ILD dhe raste të tjera në verifikim e hetim.

INTERVISTA E PLOTË E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË ARTUR METANI

Gazetari Eni Ferhati: Zoti Metani fillimisht cili është komenti juaj për arrestimin e gjyqtares së krujës Enkelejda Hoxha, për të cilën në fakt ju i kishit kërkuar më herët këshillit të lartë gjyqësor shkarkimin e saj nga detyra?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Së pari unë dua të falenderoj e përgëzoj punën e SPAK-ut për arritjen e djeshme, në luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ky është një tjetër fakt që tregon se institucionet e reja të drejtësisë po funksionojnë. Brenda kompetencave të veta SPAK-u ka arritur atë që ka arritur. ILD brenda kompetencave të veta, pra procedimin administrativ të magjistratëve e ka proceduar në këshillat përkatës sic është rasti i Enkeleda Hoxhës në Këshillin e Lartë Gjyqësor apo i magjistratëve të tjerë, që ILD ka dërguar pranë Këshillave. Pra janë fakte që tregojnë se institucioet e reja të drejtësisë po funksionojnë, natyrisht jo me efikasitetin e vet të plotë dhe jo në pritshmëritë e publikut, por duhet t’i japim kohën ngritjes së institucioneve, krijimit të praktikave të para, punëve të para, arritjeve të para, në mënyrë që efikasiteti i reformës të bëhet i dukshëm sa më shpejt të jetë e mundur.

Gazetari Eni Ferhati: Zoti Metani që prej marjes së detyrës, ju keni cilësuar si prioritet verifikimin e lirimeve me kusht? Deri më tani sa raste janë në lupën e ILD-së ku rezulton se është përdorur kjo manovër ligjore?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: ILD ka filluar punë më datë 1 Shkurt 2020. Që në daljen time të parë para mediave më 8 Shkurt 2020, duke patur parasysh ndjeshmërinë e lartë të asaj kohe publike mbi lirimet para kohe me kusht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përcaktuar si prioritet i punës së tij për atë vit, pra vitin që kaloi, do ishin lirimet me kusht do të ishte analizimi i fenomenit të lirimeve para kohe me kusht. Dhe në Mars, pra nga Shkurti në Mars filloi hetimi i parë për këtë cështje. Diku në qershor mbaroi hetimi dhe iu dërgua Këshillit përkatës, Këshillit të Lartë Gjyqësor në atë rast për procedimin dhe shkarkimin e një gjyqtari. Ky procedim përfundoi dhe gjyqtari sot është i shkarkuar nga detyra. Ndërkohë është vijuar edhe me hetime të tjera. Në korrik ka filluar hetimi për magjistraten Enkeleda Hoxha dhe i është dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën për shkarkim në fillim të Dhjetorit. Ndërkohë ILD ka filluar, përfunduar hetimin dhe i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, procedimin dhe shkarkimin e një magjistrati tjetër, në lidhje me të njëjtat shkelje me të cilat është proceduar edhe gjyqtarja Hoxha.

Fenomeni i lirimeve para kohe me kusht është në një studim, analizë të plotë nga institucioni I Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo thjesht për masat që duhen marrë për gjyqtarë e prokurorë që abuzojnë me ligjin e figurën e gjyqtarit e prokurorit në këtë drejtim, por edhe për të propozuar ndryshime praktikash konkrete nga institucione që e kanë detyrë ta bëjnë këtë gjë, që do të thotë studimi dhe analizimi në tërësi I fenomenit të lirimeve para kohe me kusht është më I gjerë se kaq dhe për këtë Inspektori i Lartë i Drejtësisë po përfundon analizën e vet dhe sigurisht do i drejtohet shpejt edhe institucioneve përkatëse. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët dalin sipas kësaj analize me shkelje të ligjit do të procedohen sipas parashikimit ligjor.

Gazetari Eni Ferhati: Po nga puna e deritanishme, kush rezulton se kanë abuzuar më shumë me detyrën prokurorët apo gjyqtarët dhe për kë kadegori ka më shumë ankesa?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Në përgjithësi ka më shumë ankesa për gjyqtarët sepse duke qenë edhe organi fundor vendimmarrës sigurisht është ndoshta më pranë ndjeshmërivë së publikut, kënaqësive apo pakënaqësive të tij për këtë vendimmarrje. Natyrisht që ka ankesa edhe për prokurorë por numri më I madh I ankesave vjen për gjyqtarët.

Gazetari Eni Ferhati: Për ta mbyllur cili është mesazhi i inspektorit të lartë të drejtësisë për sistemim?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Kjo është luftë. Domethënë zbatimi I reformës në drejtësi tashmë me paligjshmëritë në sistem është luftë e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë. Për këtë arsye unë kam kërkuar edhe më parë e mendoj, se mënyra më e mirë për ta fituar këtë luftë është bashkëpunimi midis institucioneve të reja të drejtësisë. Prandaj unë përgëzova punën e SPAK-ut dhe thashë që secili në punën e vet dhe në kufijtë e vet të kompetencave po ecën me zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo që dua t’i them sistemit është që vërtetë Inspektori I Lartë I Drejtësisë nuk mund të jetë cekan mbi kokat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të prekur pavarësinë e tyre, por nuk ka shans më, që shkeljet e tyre ligjore të shkojnë pa u ndëshkuar. Secili të bëjë llogaritë e veta tani.

 

Këtu mund të ndiqni intervistën e plotë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani: