INSPEKTORI I LARTË METANI: KJO ËSHTË NJË LUFTË MES DREJTËSISË SË VJETËR DHE TË RE PËR ZBATIMIN E LIGJIT

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dha një intervistë në televizionin Vizion Plus me gazetaren Pranvera Borakaj.

INTERVISTA E PLOTË E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË

Gazetarja Pranvera Borakaj: Si e shikoni ju operacionin e fundit të prokurorisë antikorrupsion në gjykatën e Krujës?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Duke përshëndetur aksionin e SPAK, dua të them se ishte një veprim që tregoi, se teksa po punonte Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshillat respektivë me procedurat e tyre mbi procedimin disiplinor ndaj magjistrates e magjistratëve të tjerë, edhe institucionet e tjera të reja të drejtësisë po punonin brenda kompetencave të tyre. Ky rast dhe raste të tjera të hetimeve tregojnë se drejtësia ka dy anë: drejtësia e vjetër që po refuzon në mënyrë aktive t’i nënshtrohet ligjit dhe drejtësia e re, që punon me konsekuencë me zbatimin e detyrimeve të veta ligjore. Dhe për mendimin tim kjo është luftë. Për mendimin tim kjo është luftë, që do dojë kohë dhe për mua nuk ka rëndësi nëse verdiktin final të kësaj lufte e bën ILD, KLGJ, KLP apo SPAK. Rëndësi ka që të kuptojmë të tërë tashmë, se drejtësia arrihet kur jemi të gjithë bashkë, të gjithë bashkë për një qëllim. Eshtë momenti dhe koha e përshtatshme që të gjithë bashkë ta shndërrojmë drejtësinë shqiptare në atë që meriton secili prej nesh. Eshtë koha që tani mendja dhe zemra të punojë si një muskul i vetëm për të arritur atë, që interesat e shenjta të drejtësisë të ruhen të pastra.

Gazetarja Pranvera Borakaj: Zoti Metani, Ju keni hetuar prej disa muajsh për gjyqtaren Enkeleda Hoxha. Cilat ishin gjetjet kryesore?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Gjetjet kryesore i janë dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas akteve përkatëse dhe janë cështje që i takojnë atij këshilli tashmë për t’i shqyrtuar dhe nuk do doja që të ishin pjesë e intervistave publike. Janë cështje konfidenciale. Në momentin që do kryhet seanca, atëherë do jetë publike edhe parashtresa që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka për rastin në fjalë.

Gazetarja Pranvera Borakaj: Ju keni dërguar edhe kërkesën për shkarkimin e gjyqtares në Këshillin e Lartë Gjyqësor ashtu sic u përmend edhe pak më parë. Si e konsideroni procesin e vijuar deri më sot nga KLGJ?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Eshtë një proces që ka nisur në Këshillin e Lartë Gjyqësor që në fillim të Dhjetorit, kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar Këshillit kërkesën për shkarkimin e magjistrates. Janë bërë dy seanca tashmë nga Këshilli. Përtej arsyeve të kërkesave që ka paraqitur magjistratja për shtyrjen e seancës, ajo që i kam kërkuar Këshillit është që duke respektuar të drejtën e magjistratit për të patur një mbrojtje sa më efektive, duhet të merren masa, që seancat të mos lihen në afate kohore të gjata sepse tek e fundit edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor mbrojnë interesin publik dhe interesi publik duhet balancuar sigurisht me interesin e magjistratit për një proces të rregullt dhe për një mbrojtje sa më efektive të tij.

Gazetarja Pranvera Borakaj: Cili është mesazhi që i përcjell ky reagim institucioneve të reja të drejtësisë?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Mesazhi është që për sa kohë do respektohet parimi i shenjtë i ndarjes së pushteteve dhe bindjes së brendshme të magjistratit, pavarësisë së gjyqtarit e prokurorit në vendimmarrjet e veta, po aq i rëndësishëm është edhe mesazhi që cdo veprim i paligjshëm është në monitorim nga institucionet e reja të drejtësisë dhe nuk do shkojë pa u ndëshkuar.

Gazetarja Pranvera Borakaj: Ju thatë pak më parë, në fillim të kësaj interviste se ka një ndarje mes drejtësisë së vjetër dhe drejtësisë së re. Ka emra të tjerë prokurorësh apo gjyqtarësh të cilët mund të jenë të arrestuar apo të akuzuar ditën e nesërme, pra flas në të ardhmen, që janë nën hetim?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Po e kuptoj. Puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk është një punë disa mujore, por është një punë në vazhdimësi dhe raste e ankesa paraqiten në cdo kohë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është duke i verifikuar me shumë kujdes dhe në rastin e parë që do paraqitet një shkelje e kryer nga një magjistrat i caktuar do i drejtohemi Këshillit përkatës për vendimmarrjet e tyre.

Gazetarja Pranvera Borakaj: Edhe një pyetje të fundit. Jemi afër fushatës elektorale dhe është një periudhë ku herë pas here elementë të botës së krimit dalin, lirohen me vendim gjykate. A kërkon kjo një vigjilencë më të madhe në këtë kohë nga ana e institucioneve që kontrollojnë punën e gjykatave e prokurorive?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Vigjilenca është në cdo kohë dhe organet apo institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë fushatë zgjedhore.

Gazetarja Pranvera Borakaj: Zoti Metani faleminderit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Faleminderit edhe ju.

Këtu mund të ndiqni intervistën e plotë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani: