BE DO VIJOJË ASISTENCËN TEKNIKE PËR RRITJEN E EFIKASITETIT TË ILD-SË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Metani bëri një prezantim të punës 13 mujore të zyrës së ILD-së, me sfidat, arritjet e nevojat për përmbushjen e misionit në ndëshkimin e paligjshmërive në sistem, duke inkurajuar standardet më të mira të punës së gjyqtarëve e prokurorëve.

“Përmbushja e pritshmërive të publikut për drejtësinë e re duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e të gjitha institucioneve.” – tha z. Metani.

Nga ana e tij, Ambasadori Soreca e përgëzoi Inspektorin e Lartë Metani për punën e bërë gjatë vitit të parë të punës, si dhe komunikimin e mirë me publikun.

Ambasadori Soreca garantoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të sigurojë asistencë teknike për zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të rritur më tej efikasitetin e saj.