KLP PRANON KËRKESËN E ILD PËR SHKARKIMIN E NJË MAGJISTRATI NGA DETYRA

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të magjistratit B.M.
Pas verifikimit të nisur me iniciativën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte urdhëruar korrikun e kaluar fillimin e hetimit disiplinor për magjistratin B.M, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kërkesën për procedim disiplinor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar, se në raport me faktet e provuara gjatë hetimit disiplinor ishte konstatuar mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve të magjistratit, gjatë dhe pas gjykimit, që çoi në lirimin para kohe me kusht të një të dënuari, si dhe mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal.
Ky është magjistrati i tretë, që shkarkohet nga detyra për shkelje të rënda disiplinore, lidhur me lirimet para kohe me kusht, një prioritet i shpallur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që në marrje të detyrës.