INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË NIS BASHKËPUNIMIN ME MISIONIN OPDAT TË SHBA

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe misioni OPDAT, i Departamentit të Drejtësisë në SHBA mbajtën një tryezë të rrumbullakët virtuale mbi procesin e hetimit disiplinor mbi akuzat për sjellje të papërshtatshme të gjyqtarëve e prokurorëve në Shqipëri.

Në fjalën hyrëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, falenderoi këshilltaren ligjore rezidente të OPDAT në Shqipëri, znj. Michelle Lakomy dhe shprehu kënaqësinë për nisjen e bashkëpunimit me misionin OPDAT për forcimin e kapaciteteve të ILD-së, në drejtim të praktikave më të mira të hetimit disiplinor ndaj magjistratëve, e në funksion të misionit për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Inspektorët dhe ndihmës-inspektorët e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kanë diskutuar me avokaten Leslie Ann Gerardo, e Zyrës së Përgjegjësisë Profesionale të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, mbi raste dhe praktika të hetimit disiplinor, në funksion të përmirësimit të procesit të pranimit, shqyrtimit dhe veprimit, bazuar në akuzat për sjellje të papërshtatshme nga magjistratët, që ushtrojnë detyrën në institucionet e reja të drejtësisë, të krijuara si rezultat i reformës në drejtësi.

Ky është i pari i një serie eventesh, që OPDAT do organizojë në bashkëpunim me zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si pjesë e një programi të posacëm trajnimi dhe asistence teknike për ILD-në.