FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË Z. ARTUR METANI NË EVENTIN “DITA E DREJTËSISË”

E nderuar ambasadore Kim, i nderuar z.Hupin,

I nderuar z. Ibrahimi,

E nderuar znj. Llagami,

I nderuar z. Çela,

I nderuar z. Rakipi,

Zonja e zotërinj,

Z. Ibrahimi, faleminderit për këtë organizim.

108 vjet më parë, nënshkruesit e Pavarësisë dhe etërit e krijimit të shtetit shqiptar, hartuan bazën ligjore të organizimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Në shenjë respekti për këtë akt historik dhe normat juridike të krijuara prej tij, 10 Maji kujtohet, nderohet dhe festohet. Kjo nuk do të thotë se sot të harrojmë problemet që ka sistemi dhe nevojën për ta përmirësuar atë, por mendoj se tërë vitin, për një gjë të tillë flasim dhe përpiqemi. Sot është ditë feste dhe reflektimi.

Unë gjej rastin t’i uroj gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë që lidhen me drejtësinë, Ditën e Drejtësisë, dhe t’i inkurajoj të gjithë, për më shumë motivim e me shumë angazhim në punën e tyre fisnike.

Gjyqtarët dhe prokurorët kanë një punë të bukur, frymëzuese dhe të vështirë. E tillë është!

E bukur sepse nëpërmjet profesionit të tyre, ata ndihmojnë njerëz për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Eshtë e bukur sepse me profesionin e tyre, ata janë pjesë e dhënies së drejtësisë, e kësaj vlere të shenjtë dhe vitale për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Eshtë edhe frymëzuese, pasi shoqëria jonë sot ka nevojë për më shumë gjyqtarë dhe prokurorë, që të tansmetojnë dhe të ngjallin besim dhe optimizëm tek publiku për sistemin e drejtësisë.

Eshtë padyshim edhe e vështirë! Në një shoqëri, ku politika e ka të vështirë të gjejë kufijtë e vet, janë njerëzit e drejtësisë, ata duhet të ruajnë pavarësinë e institucioneve të demokracisë. Janë ata që duhet të ruajnë parimet e ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve. Shpeshherë, këto parime janë delikate dhe të vështira per t’u gjetur në formë të shkruar në Kushtetutë apo ligje të tjera. Por, për këtë arsye, puna e gjyqtarëve dhe e prokurorëve është e bukur dhe e vështirë.  Gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit, të kushtetutshmërisë së akteve ligjore dhe mënyrë së sjelljes së institucioneve, ashtu sic jane mësuar në tekstet e rinj dhe të vjetër të Aristotelit, të John Lock-ut apo Baronit Monteskie, deri në jurisprudencën e Gjykatave të rëndësishme në botë, si ajo e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, apo Gjykata e Lartë Amerikane, është padyshim një sfidë intelektuale dhe profesionale, intriguese, por dhe e vështirë. Por, mendoj se nëse udhërrëfyes do të jenë Kushtetuta dhe jo politika, nëse do t’i rezistohet përpjekjeve të politikës apo interesave të tjera, që do të kërkojnë të imponojnë vendimmarrjen dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse do të ruhen të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të shenjta këto për cdo jurist, atëherë, i është bërë një shërbim shumë i madh demokracisë, i ështe bërë një shërbim shumë i madh vendit.

Nga ana tjetër, mendoj se është e nevojshme, që rëndësia e kësaj pavaresie, të pranohet së pari nga vetë gjyqtarët. Gjyqtari i famshëm amerikan Learned Hand, ne vitin 1944 fliste për shpirtin e lirisë dhe shprehej se: “Nëse liria vdes në zemrat e njerëzve atëherë nuk ka kushtetutë, ligje apo gjykatë që ta shpëtojë atë.” Unë dëshiroj t’u them gjyqtarëve, se nëse ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm për forcën e madhe, që i jep pavarësia e dhënies së drejtësisë zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, atëherë as kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë. Nëse vetë magjistratët nuk janë të bindur për rëndësinë që ka pavarësia e tyre për konsolidimin e një shoqërie të drejtë, atëherë as kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë.

Gëzuar edhe një herë këtë ditë frymëzuese!

Ju faleminderit!