ASKUSH NUK ËSHTË E NUK DO JETË I PAPREKSHËM PARA LIGJIT

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani ka dhënë një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, me gazetaren Sidorela Gjoni mbi punën 15 mujore të institucionit që drejton.

I pyetur për shkarkimet e magjistratëve në këto muaj punë me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Metani tha se ky nuk është synimi i institucionit. “Synimi i këtij institucioni është të ndihmojë mesa mundet që sistemi gjyqësor, sistemi i drejtësisë të performojë sa më mirë, në shërbim të interesave të qytetarëve. Dhe këtë ndihmë sistemit të drejtësisë ia jep edhe nëpërmjet inspektimeve individuale, nëpërmjet procedimeve për gjyqtarë të caktuar, por edhe nëpërmjet inspektimeve tematike. Ky është mjeti kryesor i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, inspektimet tematike, që do të thotë, zgjidhja e problematikave që sistemi ka sot dhe për këtë arsye unë them, që nuk është qëllim në vetvete masa disiplinore ndaj gjyqtarit, por është gjetja e së drejtës. Pra edhe mbrojtja e interesit qytetar nga njëra anë, por edhe mbrojtja e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana tjetër.”

Por pavarësia shkon bashkë me përgjegjësinë, nënvizoi z. Metani dhe përpara ligjit, sa i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë askush nuk është i paprekshëm. “Asnjë nuk është i garantuar nga askush. Ligji do zbatohet për të gjithë njëlloj, nga më i madhi tek më i vogli, përfshi edhe mua. Të gjithë jemi në një mekanizëm pune e vendimmarrjeje, por edhe kontrolli e monitorimi nga ligji dhe nga organet, që janë caktuar për të kontrolluar punën e gjithkujt. Askush nuk është imun e nuk do jetë imun, për sa i takon kompetencave që unë kam.”

I pyetur nëse është e mundur që sot një gjyqtar a prokuror të mos ndikohet nga politika, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se kjo sot është e garantuar nga legjislacioni i ri kushtetues për cdo institucion të drejtësisë. “Kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë një varësi nga cdo institucion politik, apo institucione të tjera, që mund t’u bëjnë presion gjyqtarëve e prokurorëve në vendimmarrjet e tyre. Kjo reformë për mua këtë ka sjellë të mirë, që ka krijuar një sistem efikas kundër mundësisë për ndërhyrje apo ndërhyrjeve që mund t’u bëhen gjyqtarëve e prokurorëve në punën e tyre. Kjo është e para. E dyta, ka lidhje me atë që ju thashë më sipër, që këtë pavarësi duhet ta ndiejmë të gjithë vetë. Duhet të ndihemi vetë të pavarur, që të na respektojnë të tjerët, si të pavarur së pari.”

Intervista e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhënë për emisionin “Breaking” të gazetares Sidorela Gjoni në Top News.

Gazetarja: Z. Metani si fillim faleminderit që jeni në “Breaking”. Me 98 vota pro jeni zgjedhur në parlament dhe tashmë prej 15 muajsh jeni Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Tani jeni në fazë raportimi në kuvend…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Po. Eshtë raportimi vjetor që kryhet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Bilanci është e vështirë të thuhet me pak fjalë. Së pari mund t’ju prezantoj idenë e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë u zgjodh sic e thatë në insertin tuaj me 20 Janar të vitit të kaluar, por e filloi punën ligjërisht më 1 Shkurt 2020. Eshtë hera e parë që krijohet një institucion i tillë. Jo se inspektimi i gjyqtarëve e prokurorëve nuk ka ekzistuar më parë, por ka ekzistuar në tjetër format. Më parë ka patur Ministria e Drejtësisë një Inspektorat në varësinë e vet, ka pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë një Inspektorat në varësinë e vet, ka pasur edhe Prokurori i Përgjithshëm për pjesën e prokurorisë, një njësi monitorimi apo inspektorat le të themi për punën e prokurorëve. Tashmë asnjë nga këto inspektorate nuk ekziston, por janë të unifikuara në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pra Inspektori i Lartë i Drejtësisë inspekton tashmë cdo magjistrat, nga Prokurori i Përgjithshëm deri tek prokurori i shkallës së parë dhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë deri në gjyqtarin e shkallës së parë. Duke u krijuar si një institucion i ri, padyshim që kishte vështirësi të shumta, sepse nuk trashëgonte asgjë nga e kaluara, përvec problematikave, pra nuk trashëgonte zyrë, nuk trashëgonte infrastrukturë, nuk trashëgonte burime njerëzore dhe më datë 1 Shkurt kemi qenë shumë pak veta, në nisje të punës së institucionit. Tashmë e them me kënaqësi, se është bërë një punë e mirë gjatë këtyre muajve, për të cilën unë raportoj në Kuvend, pra nga shkurti deri në dhjetor 2020. Eshtë bërë një punë e konsiderueshme, si në ngritjen apo sigurimin e infrastrukturës fizike, si në miratimin e infrastrukturës nënligjore, në plotësimin me burime njerëzore me inspektorë magjistratë apo inspektorë jomagjistratë, me ndihmës inspektorë, por edhe pjesën administrative të institucionit. Eshtë hartuar e miratuar strategjia e zhvillimit të institucionit. Janë shqyrtuar e verifikuar një numër i madh ankesash të trashëguara nga ish KLD-ja apo nga KLGJ-ja. Kjo sepse deri në momentin që u krijua Inspektori i Lartë i Drejtësisë, cdo ankesë protokollohej nga këto institucione dhe me ngritjen e ILD-së, i kaluan institucionit për trajtim. Eshtë trajtuar një numër i madh ankesash. Mund të them ka shkuar në rreth një mijë numri i ankesave të trajtuara. Kemi një numër të konsiderueshëm në këndvështrimin tim, procedimesh disiplinore për gjyqtarë e prokurorë. Janë 7 kërkesa të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për masa disiplinore për gjyqtarë dhe 2 për prokurorë drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurisë. Masat e marra ndaj disa magjistratëve janë bërë publike, të tjerët janë në proces në të dy Këshillat.

Gazetarja: Është më e lehtë sot të shkarkosh një gjyqtar apo prokuror?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Asnjëherë nuk është e lehtë të shkarkosh gjyqtarë e prokurorë, as sot as më përpara, sepse e tillë është figura e gjyqtarit e prokurorit. Gjyqtari a prokurori nuk është një figurë që shkarkohet kollaj dhe tek e fundit, synimi i këtij institucioni nuk është të shkarkojë gjyqtarë e prokurorë. Synimi i këtij institucioni është të ndihmojë mesa mundet që sistemi gjyqësor, sistemi i drejtësisë të performojë sa më mirë, në shërbim të interesave të qytetarëve. Dhe këtë ndihmë sistemit të drejtësisë ia jep edhe nëpërmjet inspektimeve individuale, nëpërmjet procedimeve për gjyqtarë të caktuar, por edhe nëpërmjet inspektimeve tematike. Ky është mjeti kryesor i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, inspektimet tematike, që do të thotë, zgjidhja e problematikave që sistemi ka sot dhe për këtë arsye unë them, që nuk është qëllim në vetvete masa disiplinore ndaj gjyqtarit, por është gjetja e së drejtës. Pra edhe mbrojtja e interesit qytetar nga njëra anë, por edhe mbrojtja e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana tjetër.

 Gazetarja: Për të shkuar deri tek hetimi i një gjyqtari apo prokurori, cfarë hapash duhet të ndjekë një qytetar?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Një qytetar që ka ankesë për cdo gjyqtar apo prokuror në Republikën e Shqipërisë mund t’i drejtohet Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo bëhet ose nëpërmjet faqes së internetit të Institucionit, aty ka një formular ankese bashkë me udhëzuesin për plotësimin e tij. Mund të dërgohet me email, me postë, mund të vijë të paraqitet vetë në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Aty ka edhe një njësi të komunikimit me qytetarët, për t’i asistuar nëse kanë vështirësi në plotësimin e formularit të ankesës e kështu me rradhë. Pasi merret kjo ankesë, kalon nëpër filtrat e trajtimit nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe inspektorët që punojnë në këtë Zyrë. Sic e thatë edhe ju në insertin tuaj, ne shqyrtojmë, verifikojmë, hetojmë dhe nëse pas hetimit konkludohet se ka një shkelje disiplinore, atëherë procedohet më raportin hetimor dhe i dërgohet kërkesa sipas rastit dy Këshillave, Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët, me propozimin për masë konkrete, nga masa më e thjeshtë deri në shkarkim.

Gazetarja: Kemi parë shkarkime deri tani, por a ka masa të tjera, që mund të merren?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Po, pa dyshim që ka masa të tjera, nga më e ulëta që është vërejtja konfidenciale, vërejtja publike, duke u rritur e intensifikuar shkelja, rëndësia e shkeljes së kryer, transferimi i gjyqtarit e kështu me rradhë, apo pezullimi i tij, deri në masën më ekstreme, që është masa e shkarkimit nga detyra.

Gazetarja: Sipas ligjit Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton edhe nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë, pra Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e te tjerë, e megjithatë a do thyhet miti i “të paprekshmëve” me anë të kësaj?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Përgjigja e shkurtër është po! Por sigurisht duhet shtjelluar. Sot reforma në drejtësi, edhe pse e dhimbshme, ka krijuar filtra dhe mekanizma shumë garantues të punës së prokurorit e gjyqtarit dhe të punës së Inspektorit të Lartë apo edhe të Këshillave, për t’u garantuar atyre pavarësinë në vendimmarrje, që do të thotë edhe forcë vendimmarrëse për të goditur këdo që ka shkelur ligjin dhe unë e kam bërë të qartë që në momentin që jam zgjedhur, edhe në daljen time të parë për mediat më datë 8 Shkurt 2020, që kam nisur të godas fenomene në sistem, që janë të rënda në këndvështrimin tim, sic është fenomeni i lirimit para kohe me kusht të disa personazheve, cështje që ishte sensitive në atë kohë. Pra dua të them se asnjë nuk është i garantuar nga askush. Ligji do zbatohet për të gjithë njëlloj, nga më i madhi tek më i vogli, përfshi edhe mua. Të gjithë jemi në një mekanizëm pune e vendimmarrjeje, por edhe kontrolli e monitorimi nga ligji dhe nga organet, që janë caktuar për të kontrolluar punën e gjithkujt. Askush nuk është imun e nuk do jetë imun, për sa i takon kompetencave që unë kam.

Gazetarja: Jo pa qëllim e përmenda faktin se janë 15 muaj punë deri tani. Nuk e di sesa i kënaqur jeni me ecurinë e punës apo me objektivat që i kishit vënë vetes dhe cilat do të jenë hapat e radhës. A është gjithcka sic e kishit paramenduar?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Në kuptimin afatgjatë padyshim që kërkohet shumë më shumë punë. Kërkohen shumë më shumë rezultate, por janë rezultate të cilat efektin nuk e japin sot me nesër, sepse drejtësia nuk e jep efektin sot. Një akt i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, apo i Këshillave, apo i prokurorisë a gjykatës, nuk e jep efektin për drejtësinë sot. Efekti i kësaj goditje është një efekt që do kohë. Do kohë që të gjithë të kuptojnë, që disa procedura duhet të ndryshojnë, se nuk janë më ato procedurat në shkelje të ligjit. Në këtë kuptim, puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do vazhdojë sic ka vazhduar, në fakt edhe më fort, në mënyrë më të organizuar, sepse tani janë shtuar edhe burimet njerëzore. Po flasim për një vit ku s’kishte as burime njerëzore, për një vit ku kisha të tjera prioritete, sic ishte ngritja e Zyrës, por edhe me këto prioritete infrastrukturore, unë mendoj se Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka pasur rezultate sepse janë shkarkuar apo janë marrë masa, apo janë evidentuar shkelje në sistem për një numër të madh gjyqtarësh e prokurorësh. Tani sfida e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është të kalojë në një tjetër dimension pune, që janë inspektimet tematike, ato që thashë edhe më parë, pra në mënyrë të organizuar për të identifikuar problematikat apo shqetësimet që ka sistemi, për t’iu përgjigjur në kohë pritshmërive të qytetarëve, sepse tek e fundit ky është edhe qëllimi kryesor për të cilin u bë kjo reformë e dhimbshme, pra që t’i përgjigjemi në kohë, me drejtësi dhe paanshmëri nevojave të shoqërisë për drejtësi.

(Insert)

Gazetarja: Pra nga materiali i gazetares Zilie Feci kuptojmë se SPAK ka ndërmarrë hetime për gjyqtarë dhe do doja të dija mendimin tuaj, si e gjykoni një vendim të tillë në rast se edhe ju mund të keni ankesa nga qytetarë të ndryshëm.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: E para, unë nuk kam dijeni për cështjen, sepse është një veprimtari e pavarur e punës së prokurorisë, e SPAK-ut në vecanti. Ajo që unë shoh me kënaqësi është që SPAK ka aktivitet. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që SPAK dhe cdo institucion tjetër i drejtësisë në Shqipëri, nuk vepron dhe nuk duhet të veprojë me emocion, por vepron mbi prova sepse tek e fundit ky është shteti i së drejtës në një demokraci liberale. Ankesa nga qytetarët ka shumë. Numri i ankesave në ILD sot është mbi 3500. Ankohen për gjithfarë situatash në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë, por ligji ka përcaktuar edhe mënyrën se si trajtohet cdo ankesë: kur i referohet institucioneve përkatëse, pra nëse nuk është një kompetencë e ILD-së, kur i referohet institucioneve të tjera, e kështu me rradhë. Pra SPAK dhe institucionet e tjera po veprojnë. Kjo është ajo c’ka në këndvështrimin tim duhet të konsiderohet e rëndësishme.

Gazetarja: Si e shihni rolin e SPAK në shoqëri momentalisht? Mendoni se është rritur besimi i qytetarëve tek drejtësia?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Eshtë herët ta thuash sepse SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë kanë 2 vite, 3 vite që janë krijuar. E rëndësishme është që mekanizmat e sistemit të funksionojnë. Për mua, kjo është e rëndësishme, që të gjitha institucionet e reja të drejtësisë po tregojnë që kanë filluar të funksionojnë. Ka filluar të funksionojë mekanizmi dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre. Efektet do shikohen në afatgjatë. Pra në kohë do shikohet edhe rezultati i punës së ILD-së, rezultati i punës së SPAK, rezultati i punës së Këshillave e kështu me rradhë.

Gazetarja: Nga biseda së bashku, a mund të dalim në 3 ose 4 pika se pse qytetarët duhet t’i besojnë institucionit tuaj?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: E para unë mendoj se Kushtetuta dhe ligji sot, jo vetëm për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, por për të gjitha institucionet e reja të drejtësisë nuk krijon asnjë mundësi varësie apo mundësi ligjore për presione të cfarëdollojshme, politike apo ekonomike apo të cfarëdo lloj natyre. Kjo është një garanci. Që do të thotë se institucionet e reja të drejtësisë kanë mundësinë sot, që t’u tregojnë qytetarëve dhe kujtdo, që po punojnë me ndershmëri dhe paanshmëri për t’i dhënë qytetarëve shërbimin, që ata meritojnë. E kanë mundësinë ligjore dhe kushtetuese. Natyrisht kjo nuk është e mjaftueshme. Ka nevojë që gjyqtarët e prokurorët, edhe institucionet e reja të drejtësisë, që këtë pavarësi që u jep kushtetuta dhe ligji, ta ndiejnë edhe vetë, sepse nëse nuk e ndiejnë vetë pavarësinë, nuk ka kushtetutë dhe ligj që t’ua japë. Mesa shoh, mesa mund të analizoj, sa më takon mua në këtë pozicion unë shoh që institucionet e reja të drejtësisë kanë filluar të funksionojnë. Natyrisht me problematikat e veta sepse është kushtetutë e re, në kuptimin e kompetencave, që këto organe kanë. Janë ligje të reja, janë mënyra të reja të organizimit të këtyre institucioneve dhe sigurisht kanë problematikat e veta, se ka nevojë që të përputhen praktikat, ka nevojë që të koordinohen praktikat, të koordinohen standardet e kështu me rradhë. Dhe këto vendosen rast pas rasti, këto vendosen me kohë, por e rëndësishme për mua është që institucionet po funksionojnë.

Gazetarja: më lejoni t’ju citoj atë që ju keni deklaruar në Ditën Kombëtare të Drejtësisë: “Në një shoqëri, ku politika e ka të vështirë të gjejë kufijtë e vet, janë njerëzit e drejtësisë, ata duhet të ruajnë pavarësinë e institucioneve të demokracisë. Janë ata që duhet të ruajnë parimet e ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve.” Si mund ta kryejnë këtë rol dhe a munden?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Kushtetuetshmërisht dhe ligjërisht, po, munden! Por kjo është e lidhur me atë që unë thashë më parë, se pavarësinë që u jep Kushtetuta, pavarësinë që ua jep ligji, pavarësinë që u jep pozicioni, gjyqtarët dhe prokurorët dhe të gjithë ne që punojmë në sistemin e drejtësisë, duhet ta ndiejmë vetë së pari. Duhet ta kuptojmë vetë rolin që ka institucioni apo sistemi gjyqësor në një shoqëri demokratike. Roli balancues nëpërmjet dy pushteteve të tjera, sepse padyshim edhe pushteti ekzekutiv, edhe pushteti legjislativ kanë qenë jo sot por gjithmonë, të karakterizuar nga konfliktet e tensionet politike, sepse të tilla janë interesat politike, e tillë është dinamika e zhvillimit të shoqërisë. Dhe pushteti gjyqësor qëndron pikërisht në mes të këtyre zhvillimeve, për të qenë i paanshëm, për të bërë balancën e drejtë, jo në shërbim të dy pushteteve, por në shërbim të shoqërisë dhe në shërbim të shtetit të së drejtës. Për këtë arsye unë mendoj se roli i gjyqtarëve dhe prokurorëve është shumë i rëndësishëm në shoqëri, por së pari duhet ta kuptojnë ata të parët dhe më pas, duke e kuptuar më së miri, e duke e ndjerë ata më së miri këtë, edhe zbatimi i detyrimeve që vijnë nga kushtetuta e nga ligji bëhet më i thjeshtë dhe sigurisht, në fund fare, nga kjo sjellje në përputhje me ligjin e kushtetutën përfiton e gjithë shoqëria.

Gazetarja: A mundet sot që një gjyqtar apo prokuror të mos ndikohet nga politika në mënyrë të drejtpërdrejtë?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë një varësi nga cdo institucion politik, apo institucione të tjera, që mund t’u bëjnë presion gjyqtarëve e prokurorëve në vendimmarrjet e tyre. Kjo reformë për mua këtë ka sjellë të mirë, që ka krijuar një sistem efikas kundër mundësisë për ndërhyrje apo ndërhyrjeve që mund t’u bëhen gjyqtarëve e prokurorëve në punën e tyre. Kjo është e para. E dyta, ka lidhje me atë që ju thashë më sipër, që këtë pavarësi duhet ta ndiejmë të gjithë vetë. Duhet të ndihemi vetë të pavarur, që të na respektojnë të tjerët, si të pavarur së pari.

Gazetarja: Flasim pak për objektivat tuaj? Le të themi në vitin e ardhshëm?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka disa dimensione. Ka kompetenca që ka nevojë të ushtrohen në varësi të situatave që krijohen. Një nga kompetencat më të rëndësishme, që unë e konsideroj të rëndësishme është kryerja e inspektimeve tematike dhe institucionale. Pse është e rëndësishme? Eshtë e rëndësishme sepse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është një cekan mbi kokat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të gjetur shkelje e për të propozuar ndëshkime për ta. Sigurisht ata që kanë bërë shkelje do marrin atë që meritojnë, por roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është për të ndihmuar sistemin në problematikat që ai ka.

Gazetarja: Ndoshta deri diku edhe ta parandalojë që kjo gjë të ndodhë…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Padyshim, sepse inspektimet tematike këtë nxjerrin. Inspektimet tematike studiojnë një fenomen, të themi, në të gjitha gjykatat e prokuroritë. Pse po ndodh ky fenomen në gjykatat shqiptare? Dhe duke zbuluar këtë fenomen, ti zbulon që ka probleme ligji p.sh. Mund të ketë probleme unifikimi vendimesh nga gjykatat më të larta, mund të ketë probleme dhe përgjegjësi disiplinore edhe nga gjyqtarë e prokurorë, por këto do vijnë si rrjedhojë e një studimi, inspektimi dhe analize të plotë e profesionale dhe jo individuale për gjyqtarë e prokurorë.

Gazetarja: Jetojmë në Shqipëri dhe natyrshëm më vjen t’ju pyes se sa i qetë ndiheni në detyrën që bëni?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Shumë i qetë.

Gazetarja: Nuk ju ka ndikuar detyra e re as në përditshmërinë tuaj, apo…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Jo, nuk më ka ndikuar. Sigurisht me kufizimet që të krijon pozicioni, por nuk është se më ka krijuar ndonjë kufizim, që nuk do e doja. Unë e doja këtë pozicion. Kam aplikuar me dëshirë për këtë punë. Nga ana tjetër pa dyshim, përvec kënaqësisë profesionale, ditën që u emërova, gjysma e emocioneve ishte ankth, sepse mora përsipër një detyrë që nuk është një detyrë e lehtë, dhe ajo që po përpiqem të bëj bashkë me kolegët e mi në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë por edhe me Këshillat, është vendosja e standardeve dhe në momentin që vendosen standardet për të gjithë, është më e lehtë puna për këdo. Në momentin që ne e shohim zgjidhjen e një situate, jo me nxehtësinë e momentit, por të zgjidhjes afatgjatë të problematikës; në momentin që ne i referohemi kushtetutës dhe jo interesave, cdo gjë bëhet më e thjeshtë për të gjithë, edhe për mua sigurisht.

Gazetarja: Z. Metani ju faleminderit shumë që ishit në “Breaking”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Faleminderit juve.

Klikoni mbi video për të ndjekur intervistën e plotë.