INSPEKTIMET TEMATIKE, PRIORITETI I RI I INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË

Misioni Euralius V dhe ILD zhvilluan trajnimin e rradhës për fuqizimin e kapaciteteve të inspektorëve, ndihmës inspektorëve dhe anëtarëve të kabinetit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Trajnimi që u zhvillua në qytetin e Korcës kishte në fokus inspektimet tematike dhe inspektimet e gjykatave dhe prokurorive, si një dimension i rëndësishëm i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në fjalën e tij në nisje të trajnimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nënvizoi se tashmë sfida e ILD-së është të kalojë në një tjetër dimension pune, që janë inspektimet tematike. “Inspektimet tematike në gjykatat e prokuroritë e cdo shkalle në vend do të jetë prioriteti i këtij institucioni në vazhdim, përmes identifikimit e zgjidhjes së problematikave, që sistemi ka sot, pa patur qëllim në vetvete masat disiplinore ndaj magjistratëve, por për të ndihmuar që sistemi i drejtësisë të performojë sa më mirë, në shërbim të interesave të qytetarëve, duke iu përgjigjur në kohë, me drejtësi dhe paanshmëri nevojave të shoqërisë për drejtësi. Kjo do realizohet përmes një studimi, inspektimi dhe analize të plotë e profesionale dhe jo individuale, për gjyqtarë e prokurorë.“, tha z. Metani.

Ekspertja e misionit Euralius, Anita Mihailova dhe inspektorja magjistrate e ILD-së, Marsela Pepi prezantuan përvojat e mëparshme të inspektimit në Shqipëri, rregullat kryesore për inspektimet tematike dhe inspektimet e gjykatave dhe prokurorive, si dhe praktikat më të mira e standardet ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit diskutuan edhe raste praktike inspektimi, si dhe paraqitën propozime për planin e inspektimeve, i cili do pasurohet edhe me propozimet e kërkuara nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Gjatë trajnimit u prezantua manuali për Hetimin Disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve i hartuar nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në bashkëpunim me ekspertë të misionit Euralius V.

Në këtë trajnim dy ditor morën pjesë edhe përfaqësues të misionit OPDAT në Shqipëri.