ILD DHE OPDAT VIJOJNË TRAJNIMET PËR SJELLJEN E PAPËRSHTATSHME TË MAGJISTRATËVE

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në bashkëpunim me Zyrën Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT) vijuan sesionin e trajnimeve në funksion të fuqizimit të kapaciteteve të ILD-së, për hetimin disiplinor të magjistratëve.

Vlerësimi i sjelljes së papërshtatshme të magjistratëve, një këndvështrim nga gjyqësori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte tema e tryezës rrumbullake e organizuar në mënyrë virtuale, ku merrnin pjesë njësia e inspektorëve dhe njësia e ndihmës inspektorëve të ILD-së.

Në nisje të trajnimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z.Artur Metani evidentoi rëndësinë, që ka organizimi i forumeve të tilla për shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira për adresimin e cështjeve të përbashkëta dhe falenderoi për impenjimin këshilltaren ligjore rezidente të OPDAT, nga Departamenti I Drejtësisë të SHBA, znj. Michelle Lakomy.

Pjesëmarrësit u njohën dhe diskutuan mbi raste dhe praktika konkrete të prezantuara nga z. Christian Kennerly, Këshilltar Ligjor pranë Sekretarisë Gjyqësore të Gjykatës së Apelit, Qarku i Njëmbëdhjetë, në SHBA.

Kjo është tryeza e dytë virtuale që Zyra e ILD zhvillon në bashkëpunim me OPDAT, lidhur me përmirësimin e procesit të pranimit, shqyrtimit dhe veprimit, në bazë të akuzave për sjellje të papërshtatshme nga magjistratët, që ushtrojnë detyrat në institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri.