TRAJNIM I ADMINISTRATËS SË ILD-SË PËR HETIMIN DISIPLINOR

Misioni Euralius V në bashkëpunim me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë organizuan një trajnim me administratën e ILD-së, mbi hetimin disiplinor në Shqipëri.

Një vështrim i përgjithshëm i sistemit disiplinor në Shqipëri dhe roli i administratës së ILD-së, ishte në fokus të trajnimit një ditor, që u zhvillua në ambientet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në fjalën përshëndetëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nënvizoi rëndësinë që ka forcimi i kapaciteteve të administratës, për ecurinë dhe koordinimin e punës me njësinë e inspektorëve dhe atë të ndihmësinpektorëve, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të ILD-së, me vëmendje të posacme për ankesat e qytetarëve.

Roli i stafit të administratës, rregullat e brendshme të punës, marrëdhëniet me publikun dhe komunikimi me palët ankuese, u trajtuan me ushtrime praktike gjatë sesioneve të trajnimit.

Për pjesëmarësit u bë prezantimi i manualit për hetimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Aktiviteti i sotëm është pjesë e ciklit të trajnimeve që misioni EURALIUS V po organizon në bashkëpunim me ILD-në, për fuqizimin e kapaciteteve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.