KLGJ PRANON KËRKESËN E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR SHKARKIMIN E MAGJISTRATIT K.S

Këshilli i Lartë Gjyqësor në seancën e sotme pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të magjistratit K.S.

Në seancën dëgjimore në KLGJ Inspektori i Lartë Metani tha se “në analizë të dokumentacionit të administruar në kuadër të këtij procesi disiplinor, rezultoi se gjyqtari K.S., me vendimin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (nr. 69, datë 29.10.2019), lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (nr. 19, datë 21.09.2020) është deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal.

Në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor  si dhe të pranuara nga gjykata rezulton se nga ana e magjistratit K.S.  janë ndërmarrë veprime aktive me anë të përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprime të cilat janë vlerësuar se përmbajnë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal, të kryera gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje direkte dhe me qëllim përfitim të parregullt prej tyre, duke favorizuar njërën palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimi gjyqësor civil në favor të tij.

Në parashtrim të konkluzioneve, z.Metani u shpreh se “Veprimet e magjistratit K.S. kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm, por edhe nga veprimet e vetë atyre si funksionarë të drejtësisë. Këto veprime kanë cenuar besimin e palëve ndërgjyqëse dhe të publikut në organet e drejtësisë dhe respektimin e ligjit nga ana tyre, si dhe kanë diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e magjistratit. Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit K.S. ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia.”

Për pasojë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kërkoi nga KLGJ administrimin e provave të paraqitura prej tij në këtë procedim disiplinor, pranimin e kërkesës së ILD për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin ndaj magjistratit K.S. të masës disiplinore “shkarkim nga detyra”, kërkesë që u pranua nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.