METANI: GJYQTARI DUHET TË KETË STANDARDE TË LARTA TË SJELLJES BRENDA DHE JASHTË FUNKSIONIT SI MEKANIZËM PËR BESUESHMËRI PËR ÇDO VENDIM GJYQËSOR QË JEP

KLGJ pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra deri në përfundim të procesit disiplinor të E.K., magjistrate në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan dhe i kërkoi ILD-së kryerjen e hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet magjistrates.

Më 30.05.2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka filluar me iniciativën e tij, një hetim disiplinor ndaj magjistrates E.K., me detyrë Zëvëndëskryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ushtron njëkohësisht detyrën e Kryetares së kësaj gjykate.  Hetimi nisi pas publikimit gjerësisht në median e shkruar, atë vizive dhe në rrjetet sociale, të disa videove, që mbanin logon e rrjetit social “Tik Tok”, ku shfaqej magjistratja E.K., shfaqej në ambientet ku ushtron detyrën dhe brenda një automjeti, me sjellje provokuese, shoqëruar në sfond me muzikë të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati.

Në parashtresën para anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha mes të tjerash, se nga hetimi disiplinor provohet, se nga ana e magjistrates E.K janë kryer sjelleje në kundërshtim me parimet e integritetit të magjistratit dhe parimit të sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje, të parashikuara në Kodin e Etikës Gjyqësore. Sjelljet dhe veprimet e magjistrates të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, por edhe në ambientet e ushtrimit të detyrës, diskretitojnë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje shumë e rëndë disiplinore.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani nënvizoi se “Gjyqtari duhet të ruajë dhe zbatojë standarde të larta të sjelljes dhe duhet t’i respektojë personalisht këto standarde, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe në jetën private. Gjyqtari duhet të transmetojë përvecse drejtësi, edhe besueshmëri e etikë të lartë, integritet në dhënien e një vendimi gjyqësor. E për ta përmbushur, sjellja e tij duhet ta reflektojë këtë në cdo aspekt të punës dhe jetës së tij.“

Bazuar në konkludimet e hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor, pezullimin nga detyra të magjistrates E.K., deri në përfundimin e procedimit disiplinor dhe masën disiplinore Shkarkim nga detyra” të parashikuar nga neni 111 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar, për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, neni 103, paragrafi 1, shkronja “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shkelje te Kodit të Etikës Gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin nr. 171, datë 22.04.2021: Seksionit “C” “Parimi i integritetit”, shkronja “a” dhe “b”, Seksioni “Ç” “Parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, pika 9, shkronja “c”.