Për të lehtësuar edhe më shumë procesin e ankimimit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sjell një formë të re, më të thjeshtuar të ankesës, që qytetarët apo institucionet mund të paraqesin për shkelje të dyshuara nga ana e magjistratëve, gjyqtarë a prokurorë.
Forma e re e ankesës gjendet tashmë në faqen zyrtare të ILD-së, me udhëzuesin përkatës dhe një shembull konkret plotësimi të saj.
Në rubrikën e posacme të ankesave të interesuarit mund të mësojnë mbi mënyrën se si pranohen ankesat nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, mënyra dhe afatet kohore të trajtimit të tyre, si dhe shembuj konkretë të kësaj mënyrë trajtimi.
Cdo qytetar apo institucion i interesuar ka disa mënyra për të paraqitur ankesë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nëpërmjet:
– Plotësimit online të formularit të ankesës, që gjendet në faqen zyrtare të ILD-së.
– Dërgimit me postë të formularit të ankesës në adresën e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
– Dorëzimit personalisht të ankesës në ILD, e plotësimit të formularit, në rast nevoje me asistencën e ekipit të zyrës së ankesave.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të mira, transparencës dhe lehtësive për cdo ankues, qoftë qytetar apo institucion, në drejtim të verifikimit e trajtimit të ankesave në një kohë sa më të shpejtë, si dhe hetimit të shkeljeve disiplinore të cdo magjistrati në vend.