Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë diskutoi dhe miratoi gjatë një takimi dy ditor pune rregulloren e brendshme të Institucionit, në të cilën u përfshi i gjithë stafi i ILD-së.
Rregullorja përcakton modalitetet e organizimit dhe funksionimit të ILD-së për përmbushjen e funksioneve të parashikuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, së pari përmes përshkrimit të detyrave dhe funksioneve të çdo njësie administrative.
Në fjalën hyrëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nënvizoi se me këtë dokument pune rregullohet dhe lehtësohet mirëfunksionimi i brendshëm i njësive, që kryejnë funksione administrative e atyre përgjegjëse për shqyrtimin e shkeljeve disiplinore të magjistratëve, si dhe bashkëveprimi mes tyre.
Z. Metani vërejti se tashmë ka një përcaktim të qartë të mënyrës së administrimit të dokumentacionit, të krijuar e të ardhur në adresë Zyrës së ILD, duke patur parasysh sfidën e kontigjentit prej mbi 2100 ankesash të trashëguara nga institucionet e tjera, para ngritjes së ILD-së, konkretisht ish Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe ministria e Drejtësisë.
Në diskutimet për miratimin e rregullores së ILD-së morën pjesë përfaqësues të EURALIUS dhe OPDAT, partnerë në rrugëtimin e një institucioni të ri, si Inspektori i Lartë i Drejtësisë.