5 VITE PAS MIRATIMIT TË REFORMËS NË DREJTËSI, SFIDA E INSTITUCIONEVE TË REJA MBETET MBËSHTETJA DHE BASHKËPUNIMI I KOORDINUAR MES PUSHTETEVE

Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z.Artur Metani në tryezën “Reforma në drejtësi – 5 vjet më pas: finalizimi i strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2021-2025”

E nderuar znj. Gjonaj,

I nderuar ambasador Soreca,

E nderuar ambasadore Kim,

Të nderuar kolegë të institucioneve të drejtësisë,

Të nderuar të ftuar,

 

Zhvillimi i një strategjie të re vjen në një kohë kur të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, janë krijuar, falë strukturës kushtetuese e ligjore të ndërtuar për një sistem e qasje të re ndaj sistemit të drejtësisë. Jemi në momentin kur ka përfunduar cikli i ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe pajisja e tyre me kapacitetet e nevojshme infrastrukturore dhe njerëzore per jetësimin e prioriteteve strategjike për vendin. 

Pesë vjeçari që lamë pas, shërbeu për të kuptuar rëndësinë e nevojës për të transformuar një prej shtyllave sa delikate aq edhe të domosdoshme në një shtet të së drejtës. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në rrugëtimin e tij 17 mujor, ka patur sfida të gjithanshme në ngritjen dhe fillimin e funksionimit të tij, që nga sigurimi i ambienteve të punës, tek plotësimi me burime njerëzore, sfida të cilat janë ende në proces.

Por, në këtë përshëndetje, do fokusohesha te planifikimi strategjik, si sistemi kryesor që garanton bashkërendimin dhe zbatimin e politikave të institucioneve kushtetuese, në terma afatgjatë për të siguruar shpërndarje efektive dhe të qëndrueshme të burimeve financiare.

Dua të përshëndes përpjekjen e muajve të fundit për të ofruar një planifikim të integruar të politikave sektoriale dhe hartimin e tyre në një dokument të integruar sipas aktorëve të sistemit të drejtësisë, të përkthyera këto në qëllime konkrete, me masa dhe indikatorë të matshëm, në fokus të të cilave mbetet vazhdimësia e reformave të ndërmarra.

Në këtë kuptim, me ngritjen e institucioneve të pavarura, procesi i planifikimit strategjik ka patur një përmirësim në sajë të gjithëpërfshirjes dhe rakordimit të politikave në nivel planifikimi institucional të koordinuar dhe ndërthurur me planifikimin strategjik.  Struktura e dokumentit strategjik, të vënë në dispozicion për mendim, mbështet zhvillimin e misionit institucional, në drejtim të vlerësimit dhe analizimit të kuadrit normativ mbi të cilin mbështetet veprimtaria, fuqizimit të kapaciteteve njerëzore dhe zhvillimit të mjeteve të teknologjisë në funksion të efiçencës së dhënies së shërbimit.

Si në çdo fazë të hartimit të reformës, mbështetja e partnerëve ka qenë evidente dhe reflektohet edhe në cilësinë e përmbajtjes së këtij dokumenti. Megjithatë, çelësi i suksesit pritet të jetë përfshirja proaktive e institucioneve të pavarura në këtë proces, përfshirja e tyre duke marrë në konsideratë kërkesat dhe propozimet, pasi matja e rezultateve e objektivave do të jetë produkt i performancës së organeve të pavarura në përmbushjen e qëllimit madhor, atij të konsolidimit të sistemit të drejtësisë.

Tashmë me dokumentin e ri për 5 vitet e ardhshme, del në pah nevoja për një qasje më gjithëpërfshirëse edhe në zhvillimin e politikave të sektorit buxhetor dhe shmangien e ndikimit të ekzekutivit në kontrollin e buxhetit të institucioneve të pavarura kushtetuese, si mjet për të garantuar autonominë dhe pavarësinë e institucionit.

Nga përvoja e deritanishme, një nga faktorët që ndikon në performancën e institucionit është edhe mënyra e dhënies së fondeve, përdorimi me efektivitet i tyre dhe përshtatshmëria e burimeve financiare, materiale e njerëzore në dispozicion të institucionit. Sigurimi i këtyre burimeve të mjaftueshme në kohë, garanton sigurimin e pavarësisë së institucioneve. Financimi sipas nevojës dhe përdorimi në mënyrë transparente, janë thelbësorë për të arritur objektivat e vendosur, në kohë dhe me cilësi.

5 vite pas miratimit të reformës në drejtësi, sfida e vërtetë e institucioneve të reja mbetet mbështetja dhe bashkëpunimi i koordinuar mes pushteteve, në vlerësimin e kujdesshëm e të paanshëm të nevojave dhe adresimit në kohë të shqetësimeve dhe problematikave që evidentohen, përmes mekanizmave funksionalë të monitorimit të zbatimit dhe atyre miratuese.

Kemi lënë pas erën e ngritjes së institucioneve tona, e tani është koha e rezultateve, të matshme e cilësore, për të justifikuar tashmë besimin e publikut tek drejtësia.

Kjo është sfida e të ardhmes!

Ju faleminderit!

 

Për të ndjekur videon e plotë të fjalës e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, klikoni në linkun më poshtë.