Inspektori i Lartë i Drejtësisë së Shqipërisë dhe Inspektoriati i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Republikës së Bullgarisë e formalizuan bashkëpunimin mes tyre përmes nënshkrimit të një memorandumi të përbashkët mirëkuptimi.
Në memorandumin, që u nënshkrua në ambientet e ILD-së, mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani dhe Inspektorit të Lartë Toedora Tochkova, parashikohet shkëmbimi i praktikave dhe përvojave më të mira, në kuadër të procedurave të verifikimit të ankesave, hetimit të shkeljeve disiplinore, fillimit të procedurës disiplinore ndaj magjistratëve, si dhe të realizimit të inspektimeve institucionale e tematike.
Shkëmbimi i informacioneve mbi sistemin ligjor dhe legjislacionin në fushën e procedurave disiplinore ndaj magjistratëve, masat e zbatimit të ligjit në fushat e juridiksionit të tyre dhe eksperiencën e tyre ndërkombëtare, të zbatueshme gjatë procedurës së hetimit disiplinor, përfshirë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është një dimension tjetër i memorandumit të mirëkuptimit së bashku me shkëmbimin e përvojës mbi mënyrën e komunikimit me publikun me qëllim garantimin e parimit të transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale e integritetit të magjistratëve.