Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti në një vizitë pune znj. Toedora Tochkova, Inspektor i Lartë i Inspektoriatit të Këshillit të Lartë Gjyqësor i Republikës së Bullgarisë dhe delegacionin që e shoqëron.
Gjatë takimit të dy Inspektorët e Lartë konfirmuan vullnetin për të përmirësuar bashkëpunimin dypalësh, në shkëmbimin e praktikave për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe inspektimeve dhe në çështjet e interesit të përbashkët.
Z. Metani dhe znj. Tochkova evidentuan se nisur nga funksioni i institucioneve që drejtojnë, ekziston një interes i përbashkët, për garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, garantimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor si dhe mbrojtjen e interesit publik.
Kjo vizitë pune shënon fillimin e një bashkëpunimi konkret mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Inspektoriatit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Republikës së Bullgarisë dhe është në vijim të kontakteve, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po vendos me homologë të vendeve të Europës për shkëmbimin e praktikave më të mira të punës.