Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për gjyqtarin për magjistratin R.H., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Kryetarja znj. Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ në mënyrë unanime vendosi shkarkimin nga detyra të magjistratit.
Në paraqitjen e rezultatit të hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani tha se veprimet e R.H. kanë diskretituar rëndë figurën e gjyqtarit, imazhin e tij në publik, si dhe kanë ulur besimin e publikut tek figura e gjyqtarit e tek gjyqësori. Kjo pasi magjistrati ka kërkuar e pranuar ryshfet në favor të tij dhe e ka përfituar atë për shkak të detyrës së tij, si gjyqtar dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar favor seksual nga një palë ndërgjyqëse, e transmetuar nga emisioni investigativ STOP në TV Klan, c’ka coi në procedim dhe dënim penal ndaj magjistratit nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda.
Veprimet e gjyqtarit kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm, por edhe nga veprimet e vetë atij si funksionar i drejtësisë.
Kjo shkelje disiplinore sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është aq e rëndë sa e bën magjistratin të padenjë për të vazhduar funksionin e tij, e për pasojë masa disiplinore nuk mund të luajë më rol edukues, por merr përsipër mbrojtjen e interesit publik, duke larguar nga detyra magjistratin dhe duke u kthyer kështu në masë me natyrë të pastër ndëshkuese ndaj tij.