KLGJ PRANON PJESËRISHT KËRKESËN E ILD PËR MASË DISIPLINORE NDAJ MAGJISTRATIT H.S.

KLGJ pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masë disiplinore ndaj gjyqtarit të Vlorës H.S.

Kryetarja Naureda Llagami tha se KLGJ vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së ILD-së, dhe caktimin ndaj magjistratit të masës “vërejtje publike”.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nënvizoi se i qëndronte propozimit, në bazë të hetimit disiplinor, për caktimin e masës “ulje page në masën 40% për 1 vit” për magjistratin H.S.

Hetimi disiplinor ndaj magjistratit H.S., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, u krye bazuar në praktikën e nisur ndaj magjistratit në vitin 2017 nga Inspektoriati i KLD-së dhe e përcjellë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Gjatë paraqitjes në KLGJ të gjetjeve të hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani tha se në mënyrë të përsëritur magjistrati rezulton të mos ketë zbatuar legjislacionin procedurial e material, si dhe ta ketë zbatuar në mënyrë të gabuar, përmes vendimeve të konstatuara si të gabuara edhe nga një gjykatë më e lartë.

Shkelje janë kryer në të paktën gjashtë vendime – objekt hetimi disiplinor, dhe pavarësisht vendimit të gjykatës më të lartë, e cila ka konstatuar këtë shkelje, magjistrati ka kryer të njëjtën shkelje dhe një herë tjetër, gjatë periudhës kohore 2020- 2021, duke bërë që shkelja të jetë edhe vazhduese.

Shkeljet proceduriale provohet të jenë kryer me dashje direkte, pasi rezulton se magjistrati ka mbajtur një qëndrim konseguent deri më sot në të tilla raste, duke mos lëshuar urdhrin e ekzekutimit për aktet e dhënies së kredive bankare, ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, nëse nuk janë akte noteriale.

Veprimet e kryera nga ana e magjistratit, kanë sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, kanë cënuar prestigjin e gjyqtarit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia. Për këto arsye Inspektori i Lartë i drejtësisë i propozoi KLGJ-së caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.