KLP PRANON KËRKESËN E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ MAGJISTRATES O.T.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pranuar sot propozimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates O.T. me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Hetimi disiplinor i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka nisur me inicativë pas indicjes së paraqitur pranë ILD nga emisioni investigativ “Stop”, në TV Klan, si dhe bazuar në të dhënat e marra nga verifikimi i kryer.

Emisioni investigativ transmetoi rastin e vrasjes së një 18 vjeçari dhe pretendimin e familjarëve se prokurorja ka zvarritur çështjen.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, u konstatua se magjistratja ka zvarritur në mënyrë të pajustifikuar veprimet dhe aktet procedurale lidhur me rastin, duke mos ndërmarrë veprimet përkatëse, në njoftimin e familjarëve të viktimës për të drejtat që u njeh ligji, si dhe ka vonuar pa shkak dërgimin e çështjes në gjykatë. Kjo vonesë është bërë tej afatit të arsyeshëm, për një periudhë mbi 6 muaj dhe parashikohet, si shkelje disiplinore (neni 102 pika 1 shkronja “d” e ligjit me nr.96/2016), dhe veprimet e mosveprimet  e magjistrates kanë sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cënimin  e prestigjit të prokurorit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia.