Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti në një vizitë zyrtare homologë nga Inspektoratet e Drejtësisë të Rumanisë, Portugalisë e Francës, anëtarë të Rrjetit Europian të Inspektimit, mbështetur nga projekti i Këshillit të Evropës SEJ III, që ka në fokus mbështetjen e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri të krijuara me reformën në drejtësi.
Inspektimi, si një praktikë e re, ishte në fokus të takimit me kreun e Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, gjykatësin Lucian Netejoru, me inspektorin gjykatës Luis Jardim nga Inspektorati i Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në Portugali dhe inspektoren znj. Martine Bardet nga Inspektorati i Përgjithshëm i Drejtësisë së Francës.
Z. Metani tha se ILD është institucion i ri, që me gjithë mungesat në burime njerëzore, po përpiqet të ndërtojë një eksperiencë me praktikat më të mira të inspektimit. Prandaj komunikimi e bashkëpunimi me institucionet homologe europiane është shumë i rëndësishëm. “Filozofia e ILD-së, tha z. Metani është se për inspektimin, duhet gjetur balanca e duhur ndërmjet interesit të publikut për punën e magjistratëve dhe pavarësisë së gjyqtarëve e prokurorëve. Kjo filozofi e punës së institucionit rrjedh nga debatet më të mira me personalitete të fushës së drejtësisë por edhe kolegë të huaj.”
Z. Netejoru, z. Jardim dhe znj. Bardet bënë një paraqitje të modelit të inspektimit në vendet respektive dhe u shprehën të gatshëm të ndajnë eksperiencat me zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Kreu i Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, gjykatës Lucian Netejoru tha se edhe Rumania që ka një model krejt të pavarur të inspektimit, e ka eksperiencë të re, të nisur në vitin 2012 dhe për këtë komunikimet me homologët e vendeve të tjera janë të nevojshme.
Pas takimit, të shoqëruar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, tre të ftuarit zhvilluan një vizitë pune në Vlorë, në Gjykatën e Rrethit.
Ndërsa në dy ditët e mëpasme të vizitës zyrtare në Shqipëri janë parashikuar takime në Kuvendin e Shqipërisë (23 Nëntor) dhe në KLGJ, KLP e Shkollën e Magjistraturës (24 Nëntor).
Pjesë e rëndësishme e kësaj vizite zyrtare është trajnimi dy ditor, që zhvillohet në hotel Tirana ku inspektorë magjistratë nga Franca, Italia e Rumania do të flasin mbi praktikat më të mira të inspektimeve gjyqësore nga Inspektoriatet Europiane të Drejtësisë, me inspektorët, ndihmës inspektorët dhe anëtarë të kabinetit të zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.