Pas takimit me homologë nga Inspektorate europiane të Drejtësisë, konkretisht kreu i Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, gjykatësi Lucian Netejoru; inspektori magjistrat Luis Jardim i Inspektoratit të Drejtësisë së Portugalisë dhe inspektorja magjistrate znj. Martine Bardet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani i është përgjigjur pyetjeve të gazetares Anila Hoxha të Top Channel, mes të tjerash edhe për natyrën e ankesave të qytetarëve pranë ILD.
“Ankesat më të shumta janë për sa i përket zgjatjes së proceseve gjyqësore, padrejtësive që qytetarët mendojnë se janë bërë nga gjykatat, nga gjyqtarët apo edhe nga prokurorët në vlerësim të zgjidhjes ligjore, që i është dhënë çështjeve të tyre; civile apo penale kryesisht”, tha z. Metani duke shtuar se “do fokusohemi që t’i përgjigjemi në një periudhë sa më të shkurtër të gjitha ankesave që qytetarët bëjnë, por kjo sigurisht varet edhe nga burimet njerëzore.”
I pyetur për pjesën më të vështirë në këtë moment të punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Metani nënvizoi se vetë puna e ILD synon edhe garantimin e pavarësisë së magjistratëve, si një garanci për të drejtat e qytetarëve.
“Unë mendoj që sfidat sa i përket burimeve njerëzore dhe infrastrukturës ligjore e kështu me radhë janë gjëra që gjejnë zgjidhje në një moment apo në një tjetër, si tani apo pak me vonë. Ajo që është e rëndësishme për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe për qytetarët në përgjithësi është vendosja e standardeve më të mira për sa i përket kësaj balancës, të cilës iu referova në fillim. Gjetja e balancës midis interesit publik për administrimin e drejtësisë, por nga ana tjetër edhe pavarësisë së gjyqtarëve, që nuk është një pavarësi që i përket gjyqtarëve por edhe një e drejtë që i përket qytetarëve. Sa më i pavarur të jetë gjyqtari, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e tij. Dhe kjo është ajo që ne duhet të arrijmë.”, tha z. Metani
Pyetjeve të gazetares Anila Hoxha i është përgjigjur edhe kreu i Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, gjykatësi Lucian Netejoru.
Komunikimi i plotë:
Anila Hoxha, Top Channel: Mendova të pyes zotërinë e Rumanisë duke qenë se kanë pavarësinë totale dhe modelin që po i ofrojnë Shqipërisë në këtë kuadër trajnimi.
Kreu i Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, Lucian Netejoru: Përshëndetje, kënaqësi që ju takova në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që u ftova nga kolegët tanë shqiptarë për të qenë këtu dhe sigurisht me mbështetjen e Këshillit të Evropës.
Anila Hoxha, Top Channel: Ju jeni institucion i konsoliduar në vendin tuaj dhe natyrisht që keni një pavarësi totale dhe kjo ju sjell rezultate më të larta në kontrollin e sistemit. Çfarë duhet të mbajë parasysh Shqipëria, sa kohë ju ndërkohë keni sjellë edhe inspektorë që do të trajnojnë kolegët e tyre në Shqipëri?
Kreu i Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, Lucian Netejoru: Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Rumani është një organ i pavarur. Me këtë nënkuptoj institucionet si Gjykata e Lartë, magjistratura si dhe parlamenti rumun. Ne nuk kemi një eksperiencë kaq të gjatë, -vetëm prej 2012-ës-, ne jemi krejtësisht të pavarur, pasi bëmë disa ndryshime në organizim në vitin 2018. Por jemi vërtetë të pavarur sa i përket hetimeve disiplinore, verifikimeve dhe inspektimeve, që lidhen me ato tematike dhe të përgjithshme. Ne jemi zotuar të ndajmë të gjithë eksperiencën tonë me kolegët shqiptarë, në mënyrë që të përmirësojnë aktivitetin e tyre dhe të forcojnë kapacitetet e tyre, kapacitetet administrative sepse janë në fillimet e tyre në këtë aktivitet dhe në opinionin tonë është e nevojshme të mësojnë të jenë të pavarur. Jam shumë i sigurt se kolegët shqiptarë do të mësojnë se çdo të thotë të jesh i pavarur dhe të mirat që ka të qenit i pavarur. Së pari për vetë sistemin gjyqësor dhe më pas për qytetarët. Edhe pse targeti jonë është sistemi i drejtësisë, besimi i publikut është po ashtu i rëndësishëm. Kjo sepse ata janë të parët që pretendojnë drejtësi dhe sepse sjelljen jo të mirë të gjyqtarëve apo të shërbimeve nëpër gjykata, qytetarët e ndiejnë të parët.
Anila Hoxha, Top Channel: Z Metani një pyetje të shkurtër. Ju gjatë funksionimit tuaj si institucion, praktikisht i ri, keni shënuar, dhe ka një eksperiencë shumë pozitive, sa i takon qëmtimit të rasteve të paduhura që qëndrojnë në prokurori apo edhe në gjyqësor. Megjithatë, a ka ardhur koha vërtetë, që jo vetëm të mësohet si të jenë të pavarur inspektorët por gjithashtu të ketë edhe një rishikim të kuadrit ligjor, në mënyrë që të jeni totalisht të pavarur dhe nën modelin e kolegut tuaj?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Së pari, më lejoni të falënderoj kolegët që kanë ardhur nga Rumania, Franca dhe Portugalia në kuadër të një vizite të organizuar nga Këshilli i Evropës për të asistuar funksionimin më të mirë të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është një zyrë e re dhe sigurisht kompetencat janë të reja, kërkojnë një mentalitet të ri të funksionimit dhe ushtrimit të këtyre kompetencave dhe modelet më të mira që vijnë nga demokracitë e zhvilluara janë mënyra më e mirë, që këtë mentalitet të ri ta krijojmë dhe ta ushtrojmë edhe në Shqipëri. Sa i përket pavarësisë së mëtejshme të institucioneve, unë mendoj që ne e kemi kuadrin kushtetues dhe ligjor, që organizon funksionimin e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Është ende herët për të diskutuar për gjëra të tilla sepse ne jemi në kuadrin e konsolidimit të praktikave tona të para, kështu që ky është interesi ynë i parë tashmë, edhe për të diskutuar me kolegët. Të shohim si ecën puna, si krijohet ky mentalitet i ri dhe kjo filozofi e re me gjetjen e asaj balance të duhur ndërmjet interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është ajo që ne kërkojmë të arrijmë dhe që do të diskutojmë me kolegët sot, gjithmonë e në vijim.
Anila Hoxha, Top Channel: Sapo morët stafetën si drejtues i ILD ju konstatuat dhe deklaruat se keni gjetur gati 900 ankesa të qytetarëve shqiptarë që pretendonin shkelje ligjore, qoftë nga gjyqtarët por edhe prokurorët. Kryesisht për çfarë ankoheshin qytetarët shqiptarë dhe për çfarë vazhdojnë të ankohen?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Ky numër ka ndryshuar. Tashmë shkon tek 4500 ankesa mesatarisht. Ne jemi munduar t’i përgjigjemi interesit të qytetarëve me përgjigjen e ankesave. Kemi trajtuar rreth 1500, edhe pse me burime njerëzore të kufizuara. Megjithatë, për t’iu fokusuar pyetjes suaj, ankesat më të shumta janë për sa i përket zgjatjes së proceseve gjyqësore, padrejtësive që qytetarët mendojnë se janë bërë nga gjykatat, nga gjyqtarët apo edhe nga prokurorët në vlerësim të zgjidhjes ligjore, që i është dhënë çështjeve të tyre; civile apo penale kryesisht, dhe do fokusohemi që t’i përgjigjemi në një periudhë sa më të shkurtër të gjitha ankesave që qytetarët bëjnë, por kjo sigurisht varet edhe nga burimet njerëzore.
Anila Hoxha, Top Channel: Cila është pjesa më e vështirë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për momentin, me të cilën ju po ndesheni dhe e keni gati-gati si sfidë?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Unë mendoj që sfidat sa i përket burimeve njerëzore dhe infrastrukturës ligjore e kështu me radhë janë gjëra që gjejnë zgjidhje në një moment apo në një tjetër, si tani apo pak me vonë. Ajo që është e rëndësishme për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe për qytetarët në përgjithësi është vendosja e standardeve më të mira për sa i përket kësaj balancës, të cilës iu referova në fillim. Gjetja e balancës midis interesit publik për administrimin e drejtësisë, por nga ana tjetër edhe pavarësisë së gjyqtarëve, që nuk është një pavarësi që i përket gjyqtarëve por edhe një e drejtë që i përket qytetarëve. Sa më i pavarur të jetë gjyqtari, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e tij. Dhe kjo është ajo që ne duhet të arrijmë.