PRAKTIKAT MË TË MIRA EUROPIANE TË INSPEKTIMIT TË DREJTËSISË, TRAJNIM I EKIPIT TË ILD-SË

Ekipi i Inspektorëve, ndihmës Inspektorëve dhe kabineti i zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përfundoi trajnimin dy ditor me temë: “Inspektimet gjyqësore, praktika të mira nga Inspektoriatet Europiane të Drejtësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse në nisje të trajnimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, duke vlerësuar organizimin tha se inspektimi sot kërkon një mentalitet të ri dhe se çdo eksperiencë i shërben punës së gjithsecilit.

Koordinatori i CEPEJ Roland Gjoni prezantoi rolin e projektit SEJ III dhe qëllimin e trajnimit, ndërsa koordinatorja e programeve të bashkëpunimit të Rrjetit Europian të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), Delphine Agoguet, gjithashtu Inspektore e Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, foli mbi rritjen e kapaciteteve profesionale përmes Rrjetit RESIJ dhe bashkëpunimin e nisur nga ky rrjet me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë.

Gjatë dy ditëve të trajnimit katër inspektore magjistrate, Delphine Agoguet and Sylvie Merges, nga Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë, Francë; Emanuela Aliverti nga Inspektoriati i Drejtësisë, Itali dhe Nicoleta Rhfir nga Inspektoriati i Drejtësisë, Rumani kanë prezantuar dy module pune, mbi parimet e Inspektimit të përgjithshëm dhe metodologjinë e instrumentet e Inspektimit, procedurat dhe raportet.

Në ditën e parë të trajnimit u diskutua mbi misionet klasike të inspektimit, statusi dhe etika e inspektorëve, parimet dhe metodat e inspektimit, standardet evropiane dhe ndërkombëtare të inspektimeve.

Në ditën e dytë u diskutua me raste konkrete mbi inspektimin e gjykatave dhe prokurorive, menaxhimin e këtij procesi, instrumentet në dispozicion dhe mbështetjen institucionale, të ilustruara me raste studimore të praktikës së mirë.

Trajnimi i organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me projektin e Këshillit të Evropës SEJ III është nisja e një bashkëpunimi me Rrjetin Europian të Inspektimit, përmes anëtarëve, nga vende të Bashkimit Europian. Në rastin konkret përmes ekspertëve, si dhe drejtuesve të institucioneve të Inspektimit nga Rumania, Portugalia e Franca, që zhvilluan një vizitë pune treditore në Shqipëri.