Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani në Bruksel me temë: “Fillimi punës: Vështrime dhe mësime të nxjerra nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”
Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të ndarë në këtë takim eksperiencën time personale, në cilësinë e drejtuesit të njërit prej institucioneve më të reja, të konceptuara dhe të ngritura në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Njëkohësisht nëpërmjet fjalës sime do të shpreh edhe disa konsiderata, apo ndjesi personale, me të cilat jam përballur gjatë këtij procesi, parë jo vetëm në optikën e një profesionisti të së drejtës, por edhe si një qytetar shqiptar, që besoj thellësisht në vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të proceseve integruese të vendit, në Shqipëri është duke u zbatuar reforma në drejtësi. Kjo reformë ka për qëllim ngritjen e një sistemi drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe të orientuar drejt shërbimit të hapur, të përgjegjshëm dhe efiçient, i cili të gëzojë besimin e publikut, dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik të vendit.
Reforma në drejtësi lindi si nevojë për ndryshim. Një ndryshim i cili në frymën e vlerave të Bashkimit Evropian ka si qëllim vendosjen e një ekuilibri të drejtë midis pushtetit, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Eshtë një nga reformat më të thella ligjore dhe institucionale. Modeli i përzgjedhur dhe shkalla e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë në Shqipëri përfaqëson një rast unik. Institucionet e reja janë krijuar ose riorganizuar dhe në raport me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, Shqipëria mund të konsiderohet si kryesuese e këtij procesi reformues. Në këtë kuadër, përvoja e Shqipërisë me reformën në sektorin e drejtësisë mund të ndihmojë për proceset planifikuese, zbatimin apo monitorimin e reformave me karakter institucional në vendet e Ballkanit perëndimor.
Megjithatë, në rastin konkret duhet të mbahet në konsideratë fakti se shtetet e Ballkanit perëndimor janë në faza të ndryshme të procesit integrues të tyre. Gjithashtu shtetet kanë sisteme dhe tradita të ndryshme ligjore. Pavarësisht se koncepti i shtetit apo sundimit të ligjit është i njëjtë për të gjitha vendet e BE, kërkohet që aplikimi i këtyre standardeve të bëhet në respekt të plotë të traditave dhe kontekstit politik, social apo ligjor të një vendi. Ky proces duhet të realizohet përmes një analize të kujdesshme, lidhur me modelin e përzgjedhur dhe shkallën e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Duhet të realizohet gjithashtu, nëpërmjet një procesi shkëmbimi eksperiencash për të adresuar sfidat, si dhe për të mësuar nga përvoja e vendeve të tjera.
Sic e thashë, Reforma në Drejtësi është në fazën e zbatimit të saj. Megjithatë ky proces nuk ka qenë i lehtë. Reforma tërësore e sistemit të drejtësisë është përballur me disa sfida në ngritjen dhe fillimin e funksionimit të organeve të reja, të cilat kanë pasur një ndikim tepër të rëndësishëm gjatë veprimtarisë fillestare të këtyre institucioneve, si: (i) Ekzistenca e një vullneti politik fillestar për miratimin e saj, si dhe ndryshimi i këtij vullneti gjatë zbatimit të saj; (ii) vonesa në ngritjen e institucioneve të reja dhe në përzgjedhjen e anëtarëve të tyre; (iii) mungesa e infrastrukturës dhe burimeve njerëzore; (v) mungesa e planifikimit dhe mbështetjes buxhetore; (vi) mungesa e magjistratëve si pasojë e procesit të vettingut; (vii) mungesa e një strategjie bashkëveprimi ndërinstitucional; (viii) ekzistenca e pengesave teknike apo administrative për ushtrimin e kompetencave në mënyrë të plotë nga ana e institucioneve; (ix) apo tjetër.
Faktorët në nivel politik apo organizativ, të cilët mund të kenë sjellë këto vonesa mund të jenë të ndryshëm. Për sa është analizuar nga ana e Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në studimin “Qëndrueshmëria e Reformës në Drejtësi në Shqipëri” ata mund të konsistojnë në disa drejtime si: (i) konceptimi i kësaj reforme jo në bazë të metodës së “hulumtimit vlerësues” , por sipas metodës së “zgjidhjes së problemeve”; (ii) ekzistenca e vizionit, vlerave apo vullnetit politik; (iii) kompetencat kryesore, infrastruktura bazë, njohuritë e ngulitura, burimet teknike dhe financiare; apo (iv) qëndrueshmëria, proceset e të nxënit dhe forca e partnerëve.
Megjithatë, tashmë pjesa më e madhe e këtyre pengesave është kaluar dhe organet e reja funksionojnë në mënyrë të plotë. Reforma në Drejtësi ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të zbatimit të saj. Institucionet e sistemit të drejtësisë janë angazhuar plotësisht për të krijuar një sistem në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe për të dhënë rezultate konkrete në punën e tyre. Tashmë sfida e vendit tonë, si dhe suksesi i zbatimit të reformës në drejtësi nuk është më konceptimi dhe ngritja e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, por funksionimi i tyre në bazë të parimit të mirëqeverisjes dhe shtetit të së drejtës.
Institucionet e reja të sistemit të drejtësisë nuk janë automatikisht funksionale dhe në përputhje me standardet mirëqeverisjes dhe shtetit të së drejtës. Koncepti i shtetit të së drejtës është një koncept kompleks, që bën dallim ndërmjet ekzistencës formale të parashikimeve ligjore dhe zbatimin të tyre në praktikë. Në rastin konkret, reforma në drejtësi ka ngritur kapacitetet e sistemit të drejtësisë, por arritja e rezultateve konkrete kërkon ndikim dhe ndryshim në kulturën gjyqësore dhe politike të një vendi. Ndërsa kapacitetet e sistemit të drejtësisë rriten, rezultatet duhet tregojnë ndryshim.
Bashkimi Evropian bazohet në një sërë vlerash të përbashkëta, të cilat përfshijnë respektimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Këto vlera themelore përbejnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian dhe ruajtja apo sigurimi i tyre përbën një përgjegjësi të përbashkët për të gjitha institucionet e BE-së, si dhe shtetet anëtare të tij.
Duhet thënë se Bashkimi Evropian ka luajtur një rol kyç në hartimin, financimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Ndikimi i BE-së ka shërbyer si një si një stimul i jashtëm, për të ndikuar një proces ndryshimi brenda vendit tonë. Por njëkohësisht ndryshimi i brendshëm mund të arrihet vetëm nga shtetasit e atij vendi.
Bashkimi Evropian si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë nga pikëpamja formale, por ky proces duhet të shoqërohet njëkohësisht edhe me përpjekje të vazhdueshme nga ana e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë për zbatimin e këtyre rregullave dhe si rrjedhim për të arritur një cilësi në praktikë, të sistemit të drejtësisë. Kjo nënkupton që në rastin konkret ka nevojë jo vetëm për një “iniciativë pasive”, e cila materializohet nëpërmjet një procesi legjislativ, por për një “aktivizim politik energjik dhe të vazhdueshëm” në drejtime të ndryshme, të gjitha me një qëllim të vetëm: krijimin e shtetit të së drejtës.
Bashkimi Evropian mund të sjellë ndryshime dhe të ndikojë në cilësinë e reformimit të sistemit të drejtësisë në mënyrë indirekte. Ndikimi i BE mund të ndikojë mbi mënyrën dhe zbatimin e një procesi reformues, nëpërmjet strategjisë së kushtëzimit demokratik (në lidhje me kriteret politike të Kopenhagenit), apo kushtëzimit lidhur me acquis communautaire. Ky proces duhet të jetë sa politik aq edhe meritokratik.
Nga ana tjetër, BE nëpërmjet “fuqisë së saj transformuese”, duke përhapur vlerat demokratike tek qytetarët dhe duke përkrahur elitat politike, të cilat besojnë dhe punojnë për vlerat e Bashkimit Evropian, mund të vendosë një ekuilibër të drejtë ndërmjet pushtetit , demokracisë liberale, si dhe shtetit të së drejtës.
Bashkimi Evropian, duhet të vijojë të ofrojë asistencë teknike, sic ka operuar që nga viti 2005, edhe ndërmjet Misionit Euralius, apo formave të tjera të asistencës teknike. Unioni mund të ndihmojë në implementimin e reformës në drejtësi nëpërmjet udhëzimeve, monitorimit, ngritjes së kapaciteteve institucionale, apo një sërë dimensionesh të tjera, të cilat do të bënin të mundur zbatimin në praktikë të saj.
Shqipëria ka treguar se është në reformim të vazhdueshëm për të vendosur stabilitet dhe garanci demokratike. Por rruga drejt krijimit të institucioneve funksionale, standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës nuk është e lehtë. Megjithatë, shpejtësia me të cilën po zbatohet kjo reformë dhe mjedisi politik ku po zhvillohet janë dy nga treguesit kryesorë, mbi mënyrën e zbatimit të saj.
Zbatimi i reformës në drejtësi është një proces që vazhdon. Kjo reformë është një detyrim i shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të tij. Ky nuk është momenti për të rihapur diskutimin mbi nevojën e reformës në drejtësi, pasi domosdoshmëria e saj tashmë është një fakt tashmë i provuar. Tani është koha për të rritur efikasitetin e saj, si dhe për të marrë masat, që kjo reformë të japë rezultatet për të cilat u konceptua.
Faleminderit!